Kryeministri do që të ikë si i viktimizuar! Nga Arian Galdini

E vetmja mënyrë që ai të ndihej i qetë ishte ta lije të lirë dhe pa Opozitë. Madje edhe kur Opozita e cimbiste vetëm nga foltorja e Kuvendit apo nga Konferencat e Shtypit a fare fare nga facebook, ai zemërohej aq shumë sa derdhte vrer e pasthirma tribale kundër saj. Ngado që shkonte, kudo që fliste, sa herë fillonte 8 orëshin e punës si Kryeministër me facebook online, kur dilte live në TV, gjithë mllefin, urrejtjen, sharjet, fyerjet, etiketimet, i kishte vetëm kundër Opozitës e kundër çdo zëri kritik brenda, jashtë apo përballë tij. Nuk e di nëse Lulzim Basha e ka patur si zgjedhje strategjike këtë fushëlirie që i ka lënë Edi Ramës gjatë pothuajse gjithë mandatit të tij si Kryeministër, por di të them se vetëm 1 muaj ka që është ngritur Opozita në këmbë dhe Kryeministri ka zënë e kuis si ajo që u përfol si ‘foka e Lezhës’ andej nga fundi i viteve ’80 a fillimi i viteve ’90. Nuk po i hyj analizës sesi është sjellë Bashkëkryetari i Metës, ditë pas dite, por po dal drejt e tek ajo çka po ndodh së fundmi. Në ditën e 22 të qëndresës së opozitës dhe qytetarëve, Edi Rama qarkullon lajmin se do të dorëhiqet Saimir Tahiri. Në ditën e 23, u shpall njoftimi se do të ikin 4 Ministra. Në ditën 24, bëhen publikë 4 Ministrat e rinj. Sipas njërit prej agjipropistëve të Ramës, për 3 ditë vëmendje e prozhektorë të tërhequr prej Çadrës së Opozitës tek Pallati i Pushtetit , Shefi i Qeverisë sakrifikoi 4 Ministra. Nëse ky nuk është një mjerim argumentativ, mi gjeni ju një emër tjetër. Unë nuk e di, se një Qeveri e mbështetur, e suksesshme, në pozita të forta, e ka pjesë normaliteti lëshimin e 4 Ministrave për 3 ditë vëmendje. Vetë Rama e më pas shtjelluesit e tij agjipropistë e kanë arsyetuar këtë lëvizje edhe si një zgjedhje politike që nuk ka lidhje fare as me LSI e as me Çadrën e Opozitës. Do të mbahej në këmbë argumenti, nëse e njëjta gjë do të ndodhte edhe me Kordinatorët e tjerë elektoralë që janë ende Ministra. Do të bënte kuptim argumenti me refrenin e stërpërsëritur të shtetbërjes, nëse nuk do të hiqeshin ‘kampionët e qeverisjes’, për tiu rikthyer partisë. Ky që thotë se po bën shtet, heq shtetbërësit më të vlerësuar nga ai vetë, sepse ata i duhen për partine. A ka fokë që e kupton dot këtë Kryeksplorator të Polit të Veriut politik, që edhe pse ka kohë që ha peshk me pinguinët, nuk e pranon se është i rrethuar nga akullnaja? Shkojmë më tutje. Këmbimi i 4 Ministrave për 3 ditë vëmendje të hequra prej Çadrës së Opozitës, nuk paska lidhje as me LSI e as me Çadrën, ngase është një lëvizje e PS për të forcuar kuajt që do tërheqin Karvanin Elektoral të PS. Që ta besojmë këtë logjikë, duhet të pranojmë se LSI, nuk po kërkon sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ndërsa Opozita nuk po kërkon Qeveri Teknike por do të mjaftohej me faktin se Rama ia ka dalë të krijojë Media Teknike. 1 ditë pasi 24 Parti të Koalicionit Opozitar, i kanë nisur KQZ, deklarimin e tyre për mosregjistrim dhe mospjesëmarrje në zgjedhjet e qershorit, Edi Rama ndërron kuajt e qeverisjes sepse i duhen këta Kampionët si Ilir Beqaj që tu bëjnë checkupin elektoral derë më derë shqiptarëve. LSI do zgjedhje të lira, Opozita do Qeveri Teknike për zgjedhje të lira, kurse ky Marsiani ynë që është në krye të Qeverisë, ka hallin e Kordinatorëve që do ti bëjnë fushatën. Po të ishim edhe ne të mahnitur nga ky i pikuari nga qielli Kryeministër, mund të ishte e afërmendshme që tia besonim çdo përçartje si shpërthim gjenialiteti. Mirëpo jo të gjithë e kemi këtë fatin e madh të magjepsjes prej të epërmit artist e Kryeministër. Është e mundur që mosmagjpesja jonë, të jetë një humbje e madhe për ne që nuk e punojmë dot e as ia marim të mirat fushës së artizanatit të zeçjerrjes dhe duarskuqjes për udhëheqësin. Megjithatë, e tillë është kjo botë. Ka ndër ne që humbasin nga mosmagjepsja, e jemi të gjithë ne së bashku, që humbasim shumëçka pikërisht prej numrit të lartë të të magjepsurve. Do të pyesin naivët dhe të magjepsurit, po mirë ç’lidhje ka kjo lëvizje taktike e Ramës me Çadrën e Opozitës dhe LSI? Do tu përgjigjesha këtyre: Sa gjasa ka të ketë fushatë, kur Opozita është mendjendarë që të mos ketë zgjedhje fare, nëse nuk ka Qeveri Teknike e cila garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme? Po ti referoheni sigurisë së Edi Ramës se zgjedhje në 18 qershor do të ketë gjithësesi, e se Opozita do të hyjë se s’bën në këto zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër, atëherë është më mirë të besoni se John Lennon nuk ka vdekur por punon shofer në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave të Shqipërisë. E vërteta është se Edi Rama po ble kohë, para se të ikë. Fakti që bleu 3 ditë duke ngrënë 4 Ministra, tregon se ai ka dashur të blejë gjithashtu edhe atë ngrefosjen e tij të djeshme me ata 10 gishtat e ngritur pro Ilir Metës. E vërteta është se ata 4 Ministra lëvizën nga Çadra dhe sepse Ilir Meta nëse nuk ka hapësirë për të bërë ndërmjetësuesin dhe negociatorin, ka ngut të bëjë të anësuarin. Lulzim Basha si mendjendarë në qëndresën e tij në Çadrën e Lirisë, nuk është fare serenatë për Ilir Metën. Përkundërazi, është një sfidë që Ilir Meta ose të shfaqet palë andej, ose të dalë mënjanë. Rolin e ndërmjetësuesit dhe negociatorit, Lulzim Basha ua ka dhënë qytetarëve në qëndresë. Nuk ka më negociata lart nuk ka më pazare lart e me dyer të mbyllura. Ka një kushtëzim ultimativ që është dorëheqja e Edi Ramës dhe krijimi i një Qeverie Teknike a të Vullnetit të Mirë, pa realizimin e të cilit nuk ka vend fare për negociata a pazare. Çdo pazar apo negociatë me dyer të mbyllura, do të ishte fundi i trishtë politik i Lulzim Bashës. Këtë Lulzim Basha e ka të qartë. Më mirë të humbasë një betejë si mendjendarë, duke u rrëzuar nga fuqia e palëve a faktorëve madhorë, sepse kështu PD dhe Opozita do të kenë fituar një Lider shpresëdhënës, sesa të marë çtë marë nga pazare a negociata nën tavolinë. Në këto kushte Edi Rama e ka kuptuar se do ti duhet ti blejë shumë shtrenjtë ditët në vijim dhe 10 gishtat për Ilir Metën. Derisa ta kuptojë se nuk mundet më, nuk ia vlen më, e nuk do tia lejojnë e as pranojnë më. E vërteta është se Edi Rama po përpiqet të fitojë ca ditë që të projektojë një vete të re, nga arrogant e shpërfillës, të shitet si i viktimizuar dhe vetësakrifikuar për vettingun, integrimin europian dhe të ardhmen e vendit. Prisni vetëm pak ditë, e do ta dëgjoni se nuk ka ndërruar 4 Ministra. Edi Rama ka dhënë dorëheqjen dhe vetëm sa ka blerë disa ditë që ta shpallë si i viktimizuar. Ai ka ikur. Arian Galdini Tiranë më, 14 mars 2017

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*