Ku u tall Kuvendi sot me interpelancën dhe kurthi tragjik me “futjen në Europë”. EDITORIAL

Ndal një çast dhe hap sytë se ç’po të bëjnë me “Europën”! A e pe sot interpelancën me kryeministrin se përse nuk u hapën negociatat? Brilante apo jo? Politikisht – sipas modelit tonë politik – ishte bombë. E bënë “copë” Ramën po aq sa i dhanë mundësinë që të lajë Pilati duart përmes retorikës së tij.

Ç’ISHTE NË FAKT INTERPELANCA E SOTME?

Akt i doemosdoshëm i një tragjikomedie që luhet prej çerek shekulli me shqiptarët. Tinëzisht, e gjithë politika shqiptare e ktheu thirrjen e Dhjetorit ’90 “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” në “Ta fusim Shqipërinë në Europë”. Për shumicën duket e njejta gjë. Por në fakt janë dy gjëra krejt të ndryshme.

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” është sllogani që ngërthen një platformë shumë të hershme të elitës dhe shtresës së mesme të shqiptarëve. “Europa” si sinonim i Perëndimit, ku pëfshihen fort edhe SHBA, do të thotë në rradhë të parë LIRI, në të gjitha kuptimet. Si fillim, liri fjale, mendimi, organizimi dhe shprehjeje. Liri politike, ekonomike, individuale etj etj. Për rrjedhim edhe demokraci e drejtësi. Kjo e fundit – e munguar por tepër e rëndësishme në historinë e Shqipërisë së shkuar dhe të sotme. Ki parasysh: SHTET TË SË DREJTËS. Ky mungon tek ne. Ama është principi themelor i SHBA. Më tej, drejtësi shoqërore. Pra kujdes për më të dobtit , të pamundurit, të miturit, të moshuarit….

Pastaj bollëk! Në fund të fundit kjo ka qenë Europa për ne. Njerëz të veshur bukur, me shtëpi të bollshme, me makina të mira, që pushojnë në vende të këndshme, që punojnë në biznese të tyre apo të dikujt tjetër ama punojnë me dinjitet e kushte.

Shkolla! Studentët atëhere kërkuan që diploma jonë të njihej në Europë. Pra që standarti i fakulteteve tona të qe ai i Sorbonës, Sapienzës e mbarë Perëndimit….

…Poetike? Idilike? Naive? Ndoshta. Ne vinim nga një mbyllje e injorancë sistematike shtetërore e mbase edhe mund të kemi qenë fëmijënorë në ca ëndrra. Ama thelbi i shqiptarëve atdhetarë ishte ndërtimi i vendit sipas modelit më të mirë të Perëndimit , si koncepti më përparimtar i zhvillimit të planetit.

POR POLITIKA E VODHI, KEQPËRDORI DHE TJETËRSOI KËTË ASPIRATË NË FAVOR TË SAJ.

“Ta fusim Shqipërinë në Europë” apo “të integrohemi në BE”  zuri vend menjëherë pas eksodeve të mëdha të viteve 1990 – 1992. I drobitur nga diktatura, i  paduruar dhe pragmatist, shqiptari i drobitur nga diktatura qëlltiti karrotën e ofruar me bujë nga politika e re në Shqipëri. Europa u identifikua me lëvizjen e lirë, me heqjen e vizave. Një e treta e këtij vendi kishte shtegëtuar ose ishte duke shtegëtuar…në Europë! Në Perëndim! Pjesa e mbetur, me slloganin e ri “ky vend s’bëhet” o vazhdoi të çajë ferrën e të dalë me skafe, më këmbë, me viza fals a me një milion marifete të tjera…në Europë. Kusuri këtu vazhdon të gëlltisë ditë pas dite propagandën e futjes në BE

BE – MIRAZH,  SI KOMUNIZMI DIKUR

Barcoletë nga koha e Enverit; Kur sekretari i Partisë po lavdëronte punëtorët se kishin tejkaluar normën dhe me këto ritme komunizmi po dukej në horizont , dy punëtorë hapën fjalorin për të parë se ç’është  “horizonti” dhe gjetën: VIJË IMAGJINARE MES QIELLIT DHE TOKËS. SA MË SHUMË I AFROHESH AQ MË SHUMË LARGOHET.

Kështu është “Europa” sot. Duke rendur drejt këtij mirazhi, shqiptarët kanë lënë pas dore vendin e tyre. Jo harruar! Jo pa dashje! Këtu i udhëheq politika, këtu i çon pragmatizmi dhe natyrisht edhe konjukturat ndërkombëtare.

“Të investohesh për të bërë vendin tënd? Po kush ia ka parë hajrin? Gjithë patriotët kanë vdekur të varfër apo në kurbet” – i dëgjon ngado, apo jo?

“E huuu! Sa të bëhet ky vend, na ka mbirë bari!…. Çoji kalamajtë jashtë o vëlla, mos i merr në qafë….” – varianti tjetër i “futjes” në BE.

“Futju politikës lale, se nuk bën hajër ndryshe….” – alternativa tjetër.

Ndërsa politika ka të paktën 15 vjet që tall menderen me të gjithë duke i premtuar se “ja, pas x muajsh ne nënshkruajmë marrëveshjen e stabilizim asociimit me BE” “Na lanë ca detyra të tjera shtëpie por na thanë se keni bërë progres, kështuqë, …ja, sa t’i përmbushim ato dhe do nënshkruhet”

Ikën vitet. Tani po presim hapjen e negociatave!!! Pse nuk u hapën – pyetën Ramën sot. Po pse, po të qenë hapur, ç’do t’i ndodhë Shqipërisë? A mendon njeri se vaporrë me euro e dollarë do të mbajnë rradhën në radën e Durrësit për t’iu shpërndarë shqiptarëve? A do vijnë kapitalistët e mëdhenj gjermanë , francezë, italianë, suedezë e do t’u luten ekonomisëtve tanë, bankierëve tanë, elektriçistëve tanë, mësuesve tanë, mjekëve tanë, politikanëve tanë, juristëve tanë…. ; “Aman eja e punoni për ne?”

Shqiptari e provoi Perëndimin këta 26 vjet. Shumica dërrmuese shkoi si qytetar të Botës së Tretë dhe ashtu vazhdojnë edhe sot. Natyrisht shumica e kësaj shumice jeton më mirë se në Shqipëri. Kanë punë, rroga me të cilat përmbushin nevojat, shkolla cilësore për fëmijët, kujdes të kënaqshëm shëndetësor e social ama e pranojnë; “…PËR FËMIJËT”. Ata për vete janë brez i djegur. Është pjesa më aktive e vendit, që mund ta kishte bërë Shqipërinë si gjithë Europa, por që shkoi në Europë kur nuk pa shans që vendi i tyre mund të bëhet.

E fundit por jo më e parëndësishmja:

PO EUROPA A E ÇAN SHUMË PËR NE?

Ky bashkim delikat vendesh të fuqishme ekonomikisht, shumica me tradita të lashta e të qëndrueshme arsimore, kujturore, industriale, politike, shkencore, ekonomike, diplomatike, ushtarake e shumë të tjera ka kohë që përjeton kriza shumëformëshe të ekzistencës si e tillë. Dalja e Britanisë nga BE është një shembull. Vendose pak veten në pozitën e një burokrati gjerman, suedez, francez, belg a spanjoll në Bashkimin Europian. A do të të interesonte një vend i vogël, i paqëndrueshëm politikisht, me nivel të lartë korrupsioni, me ekonomi të dobët dhe gjerësisht informale? A do të punoje ti për ta përfshirë këtë vend brenda këtij bashkimi apo do të merreshe me punët e telashet e vendit që të ka zgjedhur e dërguar në Bruksel a Strasburg e më tej me problemet e BE – së?

Refreni konstant që “keni bërë hapa përpara por duhen përmbushur më shumë standarte” është eufemizmi për “ça mutin doni ju në BE me standarte që në Afrikë shumë vende i kanë më të mira”?

ALIBIA PËR LLUMIN TONË POLITIK

Vetingu, reforma e gjithë përrallat e kësaj gjinie janë alibia e kësaj klase politike për të mos bërë asgjë. Vetë e kanë pompuar si ëndrrën më të madhe të shqiptarëve, si një gjë që (pa e hedhur kurrë në votim ) e votojnë 97%  e shqiptarëve! Çdo sakrificë të këtij populli që po lundron me gjithë motorrët nga varfëria në mjerim ia faturojnë mirazhit të Europës. Ja, po shtrëngojmë rripat që të përmbushim standartet, se një hap larg hyrjes jemi!

A NA DUHET TË VAZHDOJMË TË ËNDËRROJMË HYRJEN NË EUROPË APO DUHET TA NISIM NGA ’90-A “TA BËJMË SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA”?

Ky është debati që shpresojmë të nisë sa më herët në këtë vend, edhe pse për fat të keq Rama çdo ditë po konsolidon totalitarizmin e tij duke uzurpuar të gjithë pushtetet në vend…

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*