Kur Birçja ishte edhe Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit. Nga Ylli DYLGJERI

 

Në vitet 87 u ndodha në festën e Bukës së Re
në Prespë të Korçës. Në atë festë, siç e donte tradita, merrte pjesë dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë se Korçës. Emri i dihet.
Një burrë i gjatë e i shëndetshëm, që për kohën dallohej për partishmëri e për oreks të madh në ushqim. Më vonë, kur liberalizua fjala, në rrethet popullore këndohej edhe kënga:
Ik dele nga kanali
Se të shqehu shoku P…
Nejse, oreks kam dhe unë, por kënga s’më ka dalë ende. Po vazhdoj tregimin.
Pasi u mbajtën fjalimet, e u nda dhe buka e re, na ftuan në një drekë në mencën e kooperativës.
Zumë vendet sipas protokollit:
Partia, Kryesia, dhe në fund Rinia. Erdhi pjata e parë. Supë peshku nga ai i liqenit të Prespës.
U ngrit dhe dollia e parë e po shtronte muhabeti. Kur, një nga shokët e Kryesisë, pasi ngre lugën me supë peshku, shtrembëron surratin dhe thërret:
Birçe! Hajde këtu! Ra qetësia…
Birçja me përparse guzhine vjen me një frymë.
I kulluar në djersën e guzhinës që tymoste, thotë:
Urdhëro Kryetar?
Kryetari ndërkohë me një dorë mbante lugën e me tjetrën nxjerr dy miza të zjera mbi njëra tjetrën!
Çar është kjo mo Birçe?
Birçja që i ish ndruar fytyra, i merr me dorë të dy mizat, i fut në gojë, i përtyp, dhe pasi i përcjell thërret: Qepë! Qepë e zjerë Kryetar!
Mua më del nga hundët supa. Plas gazi.
Birçja ish i pari Autoritet i Kontrollit Ushqimor që e hëngri vetë mizën në gojë.
Njihni Ju në këto kohë të ketë Autoritet të Kontrollit Ushqimor si Birçja?

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*