Kur shteti të vret për ca lekë, me dorën e të sëmurëve mendorë. EDITORIAL

Rasti David Qoses që vrau policin në Torovicë u mbyll për opinionin. Fakti që ai ishte i sëmurë psiqik u varros më shpejt se i ndjeri që hëngri plumbin prej Qoses. Për ta kuptuar se sa e rëndë është kjo situatë, le të kujtojmë që autoritetet NUK e pranuan që ai kishte probleme të shëndetit mendor. Thjesht – sipas tyre – këtë e thoshin fqinjët, por ai nuk qe vizituar kurrë tek mjeku (!?). Një në njëmijë mund të gjesh një person me probleme të shëndetit mendor që ia pranon vetes e aq më tepër që shkon tek mjeku. Vrasësi në fjalë, ndër të tjera, jetonte edhe vetëm e nuk kishte kush kujdesej a ta vizitonte tjetër.

Pyetje naive është: po ç’leverdi ka pushteti ta mbyllë e fshehë këtë punën e të prekurve në shëndetin mendor?

Sepse politika që kanë ndërtuar qeveritë paskomuniste në Shqipëri, me udhëzimet e institucioneve financiare ndërkombëtare, është që TA HEQIN NGA VETJA BARRËN E SHËNDETIT MENDOR. Numri i të prekurve rritet përvit në gjithë botën dhe trajtimi i tyre është i kushtueshëm. Kështuqë, në mënyrën më cinike, politikat e sotme e trajtojnë këtë kategori si të sëmurë të zakonshëm. Domethënë, një skizofren njëlloj si dikush që vuan nga gurët në veshka, nga majasëlli, nga bajamet. Ai duhet të shkojë të vizitohet. Përndryshe s’merret njeri me të. Në spital një i tillë shkon vetëm kur ka kriza. Pasi merr shërbimin e urgjencës dhe qetësohet, del në rrugë, në shoqëri, në familje SI GJITHË TË TJERËT.

Është punë lekësh, kaq! Për ta hequr si barrë , qeveritë shqiptare ia kanë lënë në rradhë familjeve e po aq edhe mjedisit ku këta njerëz sa hallexhinj aq edhe të rrezikshëm, shtyjnë ekzistencën e tyre. Në rastin e David Qoses, e dhimbshme është ta thuash, por policin e mirë e vrau qeveria. Siç ka vrarë brenda e jashtë familjes plot burra e gra, siç vrau dy turistët çekë në bjeshkët e Veriut e siç do të vrasë e rrahë, me dorën e fatkëqinjve të braktisur në shëndetin e ligë mendor të tyre.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*