Kurthi i “call center” për shqiptarët. Emigrantë në vend të tyre, pa perspektivë.

I thotë komandanti ushtarëve: “Kush ka vesh për muzikë”? Gjithë qejf nja 4-5 ngrenë dorën.

“Mirë” – thotë komandanti – “ecni me mua të më ngrini pak pianon në kat të 5-të!”

Kështu është edhe puna e call center. Ke një diplomë? Ke mbaruar një shkollë të lartë? Zotëron mirë italishten? Eja të gënjesh italianët për t’u zhvatur para. Kjo është në fund të fundit ajo që bëjnë call center nga Shqipëria. Telefonojnë familje italiane duke u mbushur mendjen se filan prodhim a fistek shërbim është më i mirë, prandaj duhet se s’bën të hapin kuletën e të nxjerrin paratë.

S’ia vlente të merrnim mundimin të shkruanim nëse ky do që qe thjesht NJË MUNDËSI punësimi. E keqja është se kjo është MUNDËSIA. Mbi të gjitha , është një kurth i keq për shumë të rinj të shkolluar e të aftë, të cilët, për shkak të rrogave relativisht të mira, hyjnë dhe ngecin aty, pa bërë dot përpara as në profesion e as në karierë. Sepse kudo që të shkosh , thjesht je një operator telefonik, agjent shitjeje online dhe kaq.

E gjithë kjo ushtri shqiptarësh në thelb janë emigrantë part – time, që paradite punojnë në Itali e pasdite pinë kafe në Bllok e flenë në shtëpitë e tyre në Tiranë. Nëse do të kishin kaluar detin e do të kishin ngecur në një punë të tillë, patjetër që do të kërkonin një të dytë e të tretë për të ngritur jetën në emigracion, për të siguruar një shtëpi e për t’u sistemuar në profesion. Ndërsa në zyrat e Tiranës asgjë e tillë nuk ndodh. Secili shkon në orar, punon aq sa ka nevojë, merr aq sa punon dhe jeton si të gjithë.

Ç’mbetet në fund? Një armatë mashtruesish të kualifikuar, me gjuhë të huaj, por pa karierë e pa zhvillim profesional, veç atij të mbushjes mendjes online pensionistëve italianë për të prishur këtë kontratë a lidhur atë tjetrën. Një armatë të diplomuarisht që humbasin lidhjet me shkollën e diplomën e tyre, që kënaqen me bukën e kafen e siguruar nga puna me telefon, e që pas një peridhe kohe janë invalidë socialë, pasi nuk kërkojnë punë tjetër veç kësaj dhe nuk dinë të bëjnë tjetër në jetë veç kësaj

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*