Kush e vërtetoi se vdekja e 22 vjeçarit në burg për hashash qe…vetvrasje?

Nga e di pushteti që një 22 vjeçar i gjendur i vdekur në burgun e Rogozhinës , ka varur veten? Në një shtet serioz lajmi korrekt do të qe: “Gjendet i vdekur një i burgosur. DYSHOHET se shkak i vdekjes është mbytja në qafë me xhaketën e tij. Pritet të sqarohet në është vrasje apo vetvrasje”.

Në Shqipëri ndodh që menjëherë pas një ngjarjeje fatale të dalë versioni, i cili mbetet pastaj i pandryshuar derisa harrohet. Sa e sa vdekja janë quajtur “vetëvrasje” dhe po thuaj të gjitha këto kanë qenë “për shkak të depresionit” (!?)

Depresioni do specialistë të diagnostikohet. Jo çdo individ i mërzitur është në depresion. Dhe jo çdo depresion çon në vetëvrasje….

…kthehemi tek rasti i Rogozhinës. Në një vdekje të tillë, natyrisht që vetëvrasja është kapak floriri në krahasim me vrasjen. Kjo shpjegon ngutim me të cilin u shit lajmi: 22 vjeçari vrau veten! Jo se vetvrasja është ngjarje e lehtë. Sigurisht që me ligj një person me liri të privuar është nën përgjegjësinë e institucionit. Por një vrasje në kushtet e kësaj përgjegjësie do të qe me shumë më tepër pasoja për administratën e burgut sesa një vetvrasje. Ndaj qe edhe ky ngut.

E theksojmë; jo se kemi ne ndonjë të dhënë për këtë ngjarje, aq më tepër dijeni për mënyrën se si ka ndodhur, se është vrasje a vetvrasje. Por ka një protokoll standart që në këtë rast (dhe jo vetëm në këtë) shkelet hapur, duke dhënë që në çastet e para një konkluzion që duhet dhënë vetëm pasi të ketë çertifikim ligjor.

Me “çertifikim ligjor” nënkuptojmë kqyrjen e kufomës, kqyrjen e vendeve që ka frekuentuar (qeli, wc, mensë etj), autopsinë, marrjen në pyetje të gjithë personave që kanë patur kontakt me të, që nga bashkëvuajtësit, gardianët, mjekët, policët e deri tek familjarët e person të tjerë që mund të kenë dijeni.

Një vetëvrasje nuk ndodh tak – fak. Përgjithësisht personi që e kryen lëshon disa sinjale, për të cilat personeli i burgut – sidomos ai shëndetësor – duhet të jetë i kualifikuar. Jo vetëm me qëndrim e sjellje, por edhe me fjalë, viktima tregon se po shkon drejt atij akti. Po ashtu, pothuaj në të gjitha rastet, para se t’i japë fund jetës, viktima le një letër ku shpjegohet apo përshëndetet. Rasti i 22 vjeçarit nga Lushnja është nga ata tipikët ku detyrimisht duhej të kishte një pusullë a një amanet të nisur me gojë për më të dashurit. Një lamtumirë për nënën, babanë, vëllanë, ndoshta ndjesë….. Por deri tani ne nuk dimë të ketë një të tillë.

Në këto kushte hetimi shtrihet në pistën e shtyrjes drejt vetvrasjes. A e ka shtrënguar dikush të ndjerin për ta kryer atë akt? Apo , më keq akoma, e ka vrarë dhe bërë të duket si vetvrasje? Nuk janë fantazi por ngjarje të ndodhura jorrallë të në shkuarën. Ekspertët nuk e kanë edhe aq të vështirë, pasi gjurmën e dhunës mbeten në një trup të pajetë…..

…Mbase shkuam larg në fantazi? Mbase është një vetvasje dhe kaq. Një i dëshpëruar që vendos të largohet dhunshëm nga kjo botë….. PO PSE?

Nga padrejtësia e sistemit?….Nga presioni i dikujt? ….Nga inkompetenca e sistemit penitenciar shqiptar?

Edhe një jetë e vetme është e shenjtë dhe e shtrenjtë. Ndaj është e dhimbshme ajo që iku në burg të Rogozhinës. Por nëse kalon me klishenë “vrau veten në kushte depresioni”, rruga për të tjera jetë të humbura vazhdon të mbetet e shtruar. Po aq dyst i vazhdon edhe pushtetit udha, kur për çdo humbje jete njeriu i vë vulën që në vendngjarje “në kushte depresioni i dha fund jetës”

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*