Kush e zgjodhi Gramozin dhe a po nis Basha revoltën popullore? Nga Armir SHKURTI

Gramoz Ruçin në krye të Kuvendit e solli LULZIM BASHA! Jo vetëm se humbi kaq thellë zgjedhjet, por sepse Ruçi nuk do të kish hyrë fare në Kuvend si deputet këtë rradhë sikur këtë “betejë” me mullinjtë e erës sot opozita ta kish bërë realisht dhe elektoralisht në qarkun e Fierit gjatë fushatës dhe zgjedhjeve.

Ruçi u vendos i nënti në listën e qarkut të Fierit, aty ku fitorja ishte më e pasigurta e mundshme. Nëse kjo gjoja energji e prodhuar kundër ish ministrit të fundit të brendshëm të diktaturës do të qe shpenzuar në maj –  qershor, me shumë gjasë Gramozi do të kish mbetur në listë pritjeje e dje as do qe betuar dot si deputet, palé si kryetar i kuvendit.

Në Lushnje , në kampet e persekutimeve komuniste, ende jetojnë familje të internuarish. Në Fier e zonat përrreth janë me mijra ish të përndjekurit, pronarët e shpronësuar nga diktatura, antikomunistët etj. Nëse në vend t’u fliste për dividentin, në town hall-e Basha do t’u kish kèrkuar që të mos lejonin Gramoz Ruçin të hynte në Kuvend, edhe po të mos e kish fituar si betejë, sot të paktën do ta kishte si moral ta shprehte sot.

Personalisht besoj se kjo beteja me Ruçin është një truk për të shmangur vëmendjen nga thelbi. Establishmenti ka ngushtuar liritë në vend dhe ka mbytur demokracinë. I gjithë pushteti ndodhet në pak duar, si ai politik ashtu edhe ai ekonomik. Ky si problem madhor identifikohet nga i madh e i vogël…përveçse nga opozita?

Thjesht për të vazhduar logjikën e “shqetësimit” për Ruçin. Tre vota opozite dje rrodhën drejt pushtetit. Qëndrimi zyrtar i grupit të PD – së ishte se i vodhi Rama. Bukur! Kjo do të thotë se me sot me nesër duhet të shpërthejë revolta. Nëse vidhet vota në Kuvend , ky është fundi i parlamentarizmit dhe nisja e revoltës popullore. Përfshi këtu që kjo votë është vjedhur për të zgjedhur një person ndaj të cilit opozita po protestonet…shto këtu që këto vota janë vjedhur kot, sepse me aq deputetë sa ka pushteti nuk ka nevojë për të tjerë.

Kjo thjesht për muhabet, se kur opozitës i ka ikur barra e vajit si zor të merret me kokrrën e ullirit. Por për të kuptuar se sa energji po shpenzohet për të ngritur kauza kot, vetëm e vetëm për t’iu shmangur detyrimeve opozitare që thërret realiteti.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*