Kush fshihet pas vrasjeve dhe vetvrasjeve të fundit…

Hap me zemër të dridhur tani në mëngjes televizionin me shpresën e madhe mos lexoj vrasje, vetvrasje, gjak…..Jo shyqyr! Deri tani – asgjë.  Kam kohë të marr pak frymë e të them sot nja dy gjëra për llahtaret e ditëve të fundit.

Monstra, kurva, plehra – ishin epitetet më të zakonshme për autorët dhe viktimat e vrasjeve e vetvrasjeve të frikshme. “Ne shqiptarët…”, “meshkujt janë….”, “femrat janë…” dhe filozofia jo vetëm folklorike ka vërshuar me përcaktime, epitete, gjykime, teori, teza e pordhë të tjera me rigon.

Një shoqëri që vjen nga injoranca dhe që aplikon me devocion injorancën dhe pragmatizmin nuk mund të ketë kurrësesi metër për këso gjërash. Fatkeqësi si ajo e Fierit dhe e Korçës janë thjesht mish i freskët për urinë intelektuale e kulturore të çakejve, në krye të të cilave qëndrojnë këto media lëtyrë që kemi, Janë rast i mirë që në krizën morale që vazhdon me kohë, secili të ketë mundësinë të shprehet “ashpër” për të treguar se s’ka lidhe me këto “turpe” si dhe për të dhënë tërthoraz mesazhe në frikën e ankthin se i ndodh edhe atij, si për shembull: “Më mirë të kishte shqyer atë kurvën” për t’i thënë gruas se po guxove ti , unë të djeg e të pjek.

Ato qirinjtë që ndizen për këto raste më mirë të ruhen për netët pa dritë që po na fal OSHTEE gjithnjë e më tepër, se qiriri pa lutje nuk bën fajde e lutja pa besim nuk ngjit…..Ou! Doli lajmi në këto çaste; Vëllai godet vëllanë në Tepelenë! Prapë brenda familjes?

Sepse në Shqipëri politika ka qenë përherë kundër familjes. Sot të rrisësh fëmijë është një heroizëm më vete. Jo thjesht t’u gjesh bukë e shtëpi, por edhe shkollën e duhur, t’i ruash nga miliona rreziqe, që nisin nga brenda derës së shtëpisë e nuk përfundojnë kurrë. Ekonomia është Alfa dhe Omega. Burri vret gruan, burri vret veten pasi ka mbytur fëmijët, kushëriri vret me sëpatë kushëririn për një pemë…. Para se t’i quash “monstra”, “derra”, “skizofrenë” ndalo dhe shih pak se PSE? Varfëri, mjerim dhe padrejtësi. Të vritesh për një pemë do të thotë se nuk ke besim tek drejtësia dhe nuk e gjen dot atë në gjykatë. Ndaj merr sëpatën. Po kultura? Pooo! Natyrisht që mungesa e saj është lebetitëse, por kultura nuk rritet në pemë e as mblidhet në pyll. Do kushte, do para, do vëmendje dhe strategji nga shteti.

I bëtë mut të vdekurit e të gjallët këto ditë ë?! Kurva, baxhella, idioti, monstra, kafsha. Po shtetin , a ua mbajti byça ta denonconi? A u ngrit njeri t’i shkojë nën penxhere Edi Ramës e Lal’Erit e t’u thonë: “Shoku! Ju që harxhoni para e energji shqiptare e të huaja për martesat gay, ku e keni strategji për martesat tradicionale”? Majlindës së opozitës po ashtu, që si Sajmir Tahiri propozon vetëm burg e represion, me e pyet dikush: “Maja, ku e keni një nismë ligjore ju gratë e parlamentit, jo për të tredhur burrat e dhunshmë, por për të siguruar ushqimin, veshjen dhe eduimin normal të çdo fëmije nga shteti, sipas konventave ndërkombëtare dhe kushtetutës, pavarësisht se prindërit janë të varfër”?

E fundit: viktima do mëshirë e jo gjykim. Netët boshe në divan a në pijetore mbushi më mirë me hallet e tua, se mbase dikush të ndihmon, por jo duke mbllaçitur mishin që shpërndajnë sallameritë televizive, që duket se janë të etura më shumë se kushdo për gjak! Po po , për gjak. Shih entuziazmin e gazetarëve kur shkojnë në një shesh krimi dhe detajet horror që i përshkruajnë me imtësinë maksimale. Ky kanibalizëm nuk është rastësi. Kjo formulë ka zhvendosur totalisht vëmendjen nga përgjegjësitë e shtetit duke na prodhuar damkën e të qenit “derra”, “të pagdhendur”, “injorantë”

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*