Kush i kap mediat dhe pse luftohen portalet. KOMENT

Mediat kanë lindur të kapura këtu në Shqipëri. Nuk ndodhi sot çudia. Përgjithësisht gazetat e më pas radiot e televizionet private i hapën individë që s’kishin asnjë lidhje me to. As me kulturën, as me artin, as me gazetarinë…madje ca as me shkrimin e këndimin. Ca njerëz që kishin bërë  para gjykuan se ato mbrohen po të kesh media, që lejet t’i japin më kollaj po t’i bësh presion me shtypin, që kontrollet shmangen kur mbrohesh nga gazetarë…

“Më jep një gazetë të fitojnë një revolucion” – thoshte Lenini. Ky qe edhe motivi tjetër se përse u hapën gjithë ato media private. Biznesmenët që bëjnë e ruajnë para me media e me ato mbajnë media për t’u ruajtur dhe përfituar nga politika, politika që kontrollon mediat përmes qerasjes së pronarëve a shtrëngimit të tyre kanë krijuar këtë sistem kapjeje që në gjenezë.

Natyrisht që keni dëgjuar për gazetarë që kanë muaj pa u paguar. Keni dëgjuar edhe për gazetarë, operatorë, prezantues, montazhierë që paguhen pak. Keni dëgjuar për preferencat e pronarëve (se drejtuesit e mediave kanë qejf të quhen PRONARË) për të marrë studentë, për t’i paguar pak e ndërruar shpesh. Keni parë nëpër ekrane vetëm një grusht analistësh e opinionistësh të superpaguar. Po ashtu janë edhe drejtorët e kryeredaktorët e lajmeve.

SEPSE KËSHTU REALIZOHET MË MIRË KONTROLLI.

Që pronari të marrë tender porosit “me e lon rehat” filanin. Ose “me ia *** nonën qenit që na rrejti”. “Mos ta shof ate b***q*** në televizorin tim”, “po si nuk e ke ftu i her filanin që e kom mik mor burr!!” janë kishe tashmë të njohura nga çdo moderator, kryeredaktor a prezantues. Këta pastaj ua transmetojnë në forma nga më të ndryshmet punëtorëve të tyre që me byrek a sanduiç në njërën dorë e mikrofonin tek tjetra, vrapojnë ku i urdhërojnë…..përndryshe që të dyja duart u mbeten thatë.

Duke u përdorur si Pit Bull nga pronarët, për t’u mbrojtur e për të sulmuar, mjafton që të blesh , shantazhosh apo kapur pronarët. Kaq mjafton. E di vetë ai se si ua lëron nënat punëtorëve, të cilët, përveç rasteve të rralla në konjuktura të caktuara, as që merret njeri me faktin se pse pushohen nga puna, pse paguhen pak, pse punojnë si skllevër edhe 16 orë dita pa shpërblim, pse marrin rrogat kur ka PRONARI etj etj.

I quajta “punëtor” kolegët shumë të nderuar , pasi kështu i trajtojnë PRONARËT. U ka bukën në dorë dhe i tërheq përmes kësaj buke. Ashtu siç politika i tërheq ata përmes kulaçit e kërbaçit.

Fati i keq e deshi që asnjë media të mos ndërtohet si nismë e një grupi gazetarësh apo artistësh. Këta – theksojmë – kur nuk janë pjesë e skemës pronar – opinionbërës – politikë, paguhen me mëditje.

NDAJ SOT JANË SHTUAR EMISIONET TELEVIZIVE KUNDËR MEDIAVE DHE RRJETEVE SOCIALE!!!

Oligarkia e ka zhdukur qytetarin dhe sidomos hallin e tij nga çdo gazetë a ekran. Këto i gjen , përkundrazi, me bollëk nëpër portale dhe rrjete sociale. Nganjëherë edhe të trajtuara në mënyrë jo profesionale, por problemet e shqiptarit i gjen sot vetëm në Facebook. Beteja e tanishme e rilindjes së Ramës në këtë prag zgjedhjesh është as më pak as më shumë kjo: RRJETI!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*