Le të flasim për marrëdhëniet abuzive. Jeta Toçila Shkurti Psikologe Ligjore

Keni vënë re që janë shtuar rastet e deklaruara në media për dhunën në familje, çift apo edhe më gjerë? Kjo do të thotë që shoqëria po ndërgjegjësohet rreth fenomenit dhe e denoncon atë. Por përsëri mendohet se rastet e raportuara janë në minorancë me rastet reale. Kjo ndodh për shumë arsye, ndër to mendësia, mungesa e informacionit, vështirësitë ekonomike ose mosdija. Ka plot femra apo meshkuj që i quajnë pjesë të normës disa sjellje tërësisht abuzive, por për shkak të kulturës së varfër nuk e dinë se këto sjellje nuk duhet të jenë normë as në familje, as në shoqëri. Gjithashtu, përveç kulturës, varësitë e theksuara ekonomike nga partneri bëjnë që viktimat e abuzimeve zakonisht të tolerojnë shumëçka përjetojnë. Megjithatë duhet bërë e qartë se çfarë është një marrëdhënie abuzive.
”Kur një person përdor një model sjelljeje të dhunshme përmes sulmeve verbale, fizike ose seksuale për të fituar pushtet dhe kontroll mbi partnerin apo jo partnerin”, atëherë me plot gojën themi që kjo është një marrëdhënie abuzive.
Në rregull, po cilat janë bazat e një marrdhënieje, në mënyrë që ne të identifikojmë dhe të dimë se çfarë kërkojmë ose pranojmë në një marrëdhënie?
Bazat e një marrdhëniejeje, të shëndetshme janë të punosh si një sistem mbështetës për tjetrin, për të fituar komfort me njëri-tjetrin dhe për ta bërë njëri-tjetrin të lumtur. Dashuria nxjerr në pah më të mirën e të dyve. Diferenca mes një marrëdhënieje abuzive dhe asaj të shëndetshme është që në një marrdhënie të shëndetshme çifti punon njëlloj në drejtim të kësaj marrëdhënieje. Kjo marrëdhënie konsiston në kontrollet dhe balancimet e kombinuara me barazinë, individualitetin dhe kompromisin. Në një marrëdhënie abuzive njëri nga partnerët i tejkalon këtë qëllime dhe i përdor kundër partnerit si një mënyrë manipulimi për të bërë atë që do. Zakonisht ka pak kompromis, pabarazi të forcuar dhe humbje të individualitetit. Abuzuesit finokë shpesh përdorin justifikime si: “nëse më do ti duhet…” ose “duhet të sakrifikosh për marrëdhënien tonë”, ose “ do të isha i lumtur nëse ti nuk …”. Duke përdorur këto fraza nuk bien në sy urdhrat e fshehura dhe është e vështirë të dallohet rruga e ndjekur për të qënë në avantazh ndaj dikujt. Është e pakuptueshme që një partner i lutet tjetrit të përpiqet të mbajë një lidhje të qëndrueshme.
Pra ku është kufiri i asaj çka është dhe nuk është një lidhje abuzive?
Asnjë marrëdhënie nuk fillon si abuzive. Asnjë marrdhënie nuk bazohet fillimisht në sjellje violente. Fillimisht është e mbushur me dashuri dhe afeksion. Në fillim të çdo marrëdhënie jo të shëndetshme abuzuesi shfaq më shumë dashuri për partnerin, më shumë vëmëndje dhe pranim të dëshirave të partnerit. Afeksioni dhe vëmëndja shumë shpejt bëhen dhe obsesive, gjë që është e pashëndetshme. Ashtu si edhe marrëdhënia, abuzuesi jo gjithmonë është i keq. Në fakt, abuzuesi përdor aspektet e mira të marrëdhënies për të sprapsur viktimën, gjë që zakonisht është e suksesshme. Rrallë ndodh që dikush të lidhej me dikë i cili që në fillim do të shfaqej si abuzues, apo jo? Vetëm pas një periudhe kohe, pasi viktima është lidhur me abuzuesin, fillon abuzimi.
Nëse njëri nga partnerët i kërkon tjetrit të bëjë diçka kundër vullnetit, ose të ndryshojë sjellje, qëndrime, atëherë këto janë shenjat e një marrëdhënieje abuzive.
Sapo fillon abuzimi ai përshkallëzohet me kohën. Nis me kërkesa të vogla, të tilla si sugjerimet për veshjet e viktimës e deri tek ulërimat e kërcënimet. Shumë njerëz mendojnë për lidhjen abuzive vetëm në aspektin fizik, kur në realitet, abuzimi fizik është taktika e fundit e përdorur për të fituar kontroll dhe pushtet. Abuzuesi munnd të përdorë ulje-ngritjet, lojrat e mëndjes, kërcënimet konstante, telefonata kontrolluese dhe akuza për tradhti, me qëllim uljen e vetëvlerësimit të viktimës. Abuzimi gjithashtu përfshin edhe manipulimin. Viktima mund të fillojë të ndihet jo në lartësinë e duhur për partnerin dhe mund të ndihet e dekurajuar që përpjekjet e saj për të kënaqur partnerin nuk do të funksionojnë. Abuzimi përkeqësohet ndërsa viktimës i bie vetëvlerësimi. Viktima, e cila ka frikë të shkaktojë një sherr dhe mendon të kënaqë partnerin do ti nënshtrohet kërkesave të abuzuesit. Viktimat qëndrojnë në një marrdhënie abuzive për shkak se ato mund të ndihen përgjegjëse, të mendojnë se xhelozia dhe posesiviteti janë shenja dashurie, mund të mos e kuptojnë që me to po abuzohet. Ndoshta nuk kanë ku të shkojnë, janë pa eksperiencë, ndjejnë presion, kanë vetëvlerësim të ulët, nuk duan të mendojnë se personi që ato dashurojnë po i lëndon. Besojnë se e kanë ato fajin dhe se partneri do të ndryshojë. Nga ana tjetër ata që abuzojnë ndjejnë se kanë të drejtën për të kontrolluar partnerin, besojnë se nuk do të respektohen po të mos kenë kontroll dhe se dhuna i zgjidh problemet. Ata justifikohen se kanë të drejta mbi partneren për sa kohë janë bashkë pasi këtë gjë kanë parë edhe tek prindërit e tyre.
Është e rëndësishme të theksojmë se të gjitha lidhjet kanë uljet e ngritjet e veta. Por marrdhëniet e shëndetshme mund të mërzisin hera-herës por nuk lëndojnë. Vini re se sa shpesh ndiheni të zhgënjyer/a, të lënduar/a, të fyer/a, të frikësuar/a, të trishtuar/a ose të zemëruar/a në marrëdhënien tuaj. Lidhja e dhunshme nuk është e njëjtë me mërzitjen ose zënien. Është përdorim dhune, kërcënimesh ose emocionesh për të mbajtur nën kontroll partnerin.
Të jesh në një lidhje të tillë është e frikshme dhe e dëmshme dhe ju mund të keni frikë ose turp ti tregoni dikujt. Është konfuze që të duash dikë i cili ju lëndon, dhe ju mund të lëkundeni mes dëshirës për të mbrojtur partnerin dhe për tu mbrojtur prej tij. Zakonisht viktimat duan që abuzimi thjesht të mbarojë por jo marrdhënia. Ato/Ata nuk denoncojnë dhunën e tyre e fshehin për shumë kohë me shpresën dhe peshën e turpit. Por mos harroni! Një lidhje e shëndetshme bazohet në besim, respekt, angazhim dhe barazi. Problemet dhe konfliktet zgjidhen me ndershmëri. Asnjëri nuk përpiqet të kontrollojë tjetrin dhe të dy përpiqen të gjejnë zgjidhje të pranueshme. Nëse nuk jeni në këtë linjë marrëdhënieje, të dashura gra apo vajza, djem dhe burra, ju keni nevojë për ndihmë, së pari ligjore e më pas psiko-sociale. Asnjëherë nuk është vonë!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*