Loja idiote e sherrit PD – LSI për çmimin e ujit s’është aq idiote. KOMENT

PD akuzon LSI -në për kurvëri, LSI – PD-në dhe dy këshilltarë “tradhëtarë”, ndërsa tiranasit ende nuk e dinë në do t’u rritet apo jo çmimi i ujit!? Po as “lojë shpijash”, nga ata skenaret që improvizojnë fëmijët për t’u argëtuar nuk është ky. As aq fantazi nuk ka!

Pse duhej të ziheshin dy partitë që kishin në dorë rrëzimin e vendimit të Lali Erit për rritjen e çmimit? Asnjë logjikë nuk jep motiv, por të gjitha arsyetimet të çojnë tek pazari. Do të kish mjaftuar një refuzim i pjesmarrjes së të dyja grupeve të këshilltarëve, PD dhe LSI, që të mos plotësohej kuorumi dhe mbledhja të mos niste e vendimi të mos bëhej. Kaq, në rastin më të keq. Se po të qenë organizuar sadopak, rezultati politik do të kish qenë shumë më i madh. Jo vetëm rrëzim i vendimit për çmimin e ujit por edhe ndezja e pishtarit të një opozite luftarake, parimore dhe të bashkuar.

Por pazari nuk është ky. ESTABLISHMENTI ka vendosur të funksionojë në një mënyrë të pastër totalitariste, me opozitë fare të dobët, për të mos dhënë asnjë shpresë e mos ngjallur asnjë frymë a prodhura lëvizje. Premiera u shfaq të mërkurën mbrëma dhe të enjten paradite.

Si pjestarë të lojës së të njejtit ESTABLISHMENT LSI-a NUK e akuzoi PD-në për marrëveshjen me Ramën. Nuk i kujtoi atë që duhej ta bënte natyrshëm: paktin për të nxjerrë jashtë loje aleatët. Thjesht e akuzoi se “gaboi” që hyri në mbledhje dhe këtë “gabim” e bëri se ka interes të votohet lista për strehimin, ku “ndodhen edhe njerëzit e Bashës”. Kjo akuzë është komplimenti më i pamerituar për Lali Lulin, që në botë se ka sakrifikuar ndonjëherë për njeri, e sidomos për ata që janë aq në hall sa edhe shtëpinë e presin nga Lalat.

Si pjesë organike e ESTABLISHMENTIT Basha akuzoi LSI – në, duke e nisur kështu: “Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI.” Pazare? Iu bashkua?

Jooooo! “Bashkimi” ka ndodhur para 2 vjetësh, kur LSI hyri në koalicion me PS-në dhe zgjodhën Veliajn Kryetar Bashkie. Pra LSI praktikisht është parti në pushtet në Tiranë dhe ka , nëmos mijra , të paktën disa qindra të punësuar në ndërmarrjet e bashkisë së kryeqytetit dhe në partnerët e saj. Lali Luli e di më mirë se ne…por NUK E THA!

Ky “sherr” e “përçarje e madhe” mes dy parti e të opozitës ka një qëllim shumë më madhor. Pas ca javësh Rama do të “pastrojë” tepsinë e për rrjedhim mijëra të LSI -së e ca të mbetur nga PD do t’u lirojnë karriget rilindasve që presin. Me një opozitë copë – copë askush nuk ka për t’u dalë zot dhe kjo braktisje do të jetë edhe e justifikuar…pikërisht nga “përçarja”.

Ndërkohë “loja shpijash” e pardjeshme dhe e djeshme na sqaruan plotësisht se ESTABLISHMENTI e ka ndarë mendjen për një fasadopozitë të dobët dhe inerte dhe një totalitarizëm të fortë të Ramës. Gjojasherri ” jo po pse ti hyre , jo po pse ti s’ dole” kanë për qëllim të vrasin çdo shpresë për kundërshti, çdo tentativë për frymë dhe çdo ide për lëvizje.

Skenare të qepura kaq trashë ndodhin jo se nuk ka ustallarë për t’i bërë me klas por sepse kaq trashë e kupton edhe bufi, në skajin më të humbur të vendit, se KJO ËSHTË LOJË. “Këta janë të gjithë bashkë” po artikulohet kudo dhe nga kushdo. ESTABLISHMENTI sot është në zenith!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*