Lulzim Basha, heroi i ditës së sotme! Nga Armir SHKURTI

Çfarë estrade!! Basha hero!!! I buzëqeshuri, i buti, europiani Basha na del në variantin “Sali”, bllokon foltoren e Parlamentit në shenjë proteste dhe bëhet i pari deputet që përjashtohet nga kryetari Gramoz Ruçi.

Në analizë teksti, ky skeç zbërthehet kështu:

Lulzim Basha është një lider i vendosur. Lulzim Basha është një opozitar agresiv. Lulzim Basha është trim. Lulzim Basha është udhëheqësi. Jo Berisha por Basha e bën rrëmujën. Lulzim Basha pra është hero! Këtë analizë teksti e çimenton jo thjesht sjellja e kryetarit të Partisë Demokratike por mbi të gjitha ajo e Kryetarit të Kuvendit.

Jo pa qëllim Gramoz Ruçi theksoi “Zoti Basha nuk do të dëshiroja kurrë që masa e parë në parlament ti jepet liderit të opozitës“. Ky Gramozi, për të cilin opozita bëri një gjoja rezistencë kur ai u zgjodh në krye të Kuvendit, përjashton “liderin e opozitës” se po bën rezistencë të ashpër!

Skeçi në fakt funksionoi, pasi në televizionet e akaparuara prej kohësh nga Rama dhe cektësinë e portaleve që punojnë vetëm për titullin “scoop”, doli se Ruçi (pra komunisti, ish ministri i brendshëm i Ramiz Alisë etj etj) përjashtoi nga seanca Bashën.

Po pse duhet heroi dhe heroizmi sot?

Së pari, në gjithë tollovitë dhe kaladibrançet që ndodhën në PD nga 18 maji e këtej, kryetarit i duhej kjo e sotmja për të thënë në një farë mënyre se “unë jam”.

Së dyti, i duhet edhe pushtetit shumë që të konturojë atë raport të vendosur prej 18 majit: Rama pushteti e Basha opozita. Dhe Basha është gjeni në prodhimin e kauzave boshe për të injoruar çështje të rëndësishme.

Së treti: LSI! Është vijim i çështjes së dytë, ose më mirë , pjesë e saj, por meriton pak më shumë kohë. Dje, kryetarja e LSI doli dhe shpalli Frontin Kombëtar Kundër Krimit të Organizuar, ku ftoi të bashkohet kushdo, i majtë a i djathtë qoftë, “pa dallim krahine, feje, ideje”. Me këtë kauzë, pra zhdukjen e bandave, Sali Berisha, 8 vjet pasi e kishin rrëzuar nga pushteti me kryengritje të armatosur, u rikthye në pushtet. Sot më fort se atëhere është problem kombëtar dhe ndërkombëtar dhe ka një ndjeshmëri të lartë popullore. Ideja e frontit gjithashtu është e rrezikshme për dyshen Rama & Basha, sepse do të thotë që gjithë forcat e dëbuara nga parlamenti prej marrëveshjes së 18 majit , të destinuara të shuhen, kanë motiv dhe shpresë rreth këtij bashkimi. Atëhere? Si përherë , bëjmë një zhurmë tjetër për të tërhequr vëmendjen dhe për të konfirmuar se “ne jemi pushteti dhe Basha është opozita, siç ka qenë përherë”.

Dhe e fundit , për këtë heroin e ditës. Në legjislaturën e kaluar 3 kanë qenë fushatat kyçe: Dekriminalizimi, reforma në Drejtësi dhe Reforma Zgjedhore. Duke harxhuar 2 vite të plota me dy të parat, Basha e la për vjeshtën e kaluar reformën zgjedhore, duke e bërë të pamundur të zbatohej edhe nëse punët do të shkonin fjollë, për shkak se u dogjën shumë afate. 27 vjet përvojë paskomunizëm dhe 45 komunizëm na kanë mësuar se kjo politikë nuk ka nevojë për fantazi, por i ka ende të gatshme klishetë. Një prej tyre është edhe kjo: Bëhet zhurmë ose për të tërhequr vëmendjen nga diçka tjetër , ose, në rastet kur janë në lojë të gjithë, për ta shitur si fitore heroike atë që është vendosur prej kohësh me tjetrin të bëhet.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*