Lulzim Basha me kallash ose me kanabis. S’ka tjetër zgjidhje. Nga Koçi FOSI

Hashashi është realiteti. Për këtë jemi tashmë të vetëdijshëm i madh e i vogël, i majtë e i djathtë, shqiptarë e të huaj. Çështja është si do përshtatet vendi me këtë realitet?

Do kthehemi në kultivues droge apo do ta ndalojmë?

Varianti i parë: Shqipëria kthehet në kultivues droge. Pyetja e menjëhershme është: ligjëruar apo kriminale? Pyetja tjetër: me dijeni e leje të ndërkombëtarëve apo thjesht në patronazh të Mafias?

Ka qindra pyetje e pikëpyetje për këtë temë, por edhe këto piketa na ndihmojnë për ta ndërtuar një arsyetim. Sot për sot, siç e shpalli edhe zoti Basha pas humbjes në Dibër, hashashi është mbreti. Ai vendosi rezultatin e zgjedhjeve. Që do të thotë se edhe pas 9 muajsh po ky realitet është. Pra ky lob, a klan, a mafia a çfarë tjetër është, vendos rezultatin, i cili, mesa shihet, është: Rama në pushtet, Basha në opozitë, Meta ende i paqartë.

Le të mos gënjejmë veten as me diçka tjetër: që drogën e mbjellin vetëm njerëzit e Ramës ndërsa “tanët” janë të kulluar. JO! Tashmë ajo është një kulturë bujqësore mbarëkombëtare, “çështje e gjithë popullit” – siç thoshte Enveri për bujqësinë. Demokratët, simpatizantët e opozitës, aktivistët antirilindje, komisionerët a numëruesit e djathtë, sidomos në rrethe, o kultivojnë vetë, ose punojnë në “fermat” e bosëve të hashashit, kështuqë janë të lidhur ose drejtpëdrejtë ose tërthorazi me këtë biznes masiv. Zoti është ai që jep paratë, farën, që blen prodhimin, që merr tokën me qera, që mbyll telashet me policinë, që siguron mbrojtje nga shteti e të tjerët. Ideali? Nuk e hanë kalamajtë.

Edhe në rastin e Dibrës u pa qartë si u blenë kundërshtarët. Njëzetmijë lekshi ishte për fakirët, ishte asistencë. Blerja e vërtetë ndodhi pikërisht me hashash. Faktorë të rëndësishëm të PD në Dibër, që  kishin mbjellë ca rrënjë për vete, u “këshilluan” të “shohin punët e tyre”, pasi qartaz, të hënën, pas votimit iu “premtua” se do ta shihnin veten pas hekurave, me kanabisin e rrafshuar. Pa bukë dhe në burg për partinë, apo kokën ulur e tiganin plot…? Të tjerë, që punojnë me mëditje në plantacione, natyrisht që porositë për vota i marrin nga punëdhënësi….. Dhe kur kryetari i tyre del e sulmon (thjesht me llafe) kanabisin, dyfish u takon të ulin kokën, por s’kanë nga shkojnë e nga e çojnë votën, veç te buka e gojës.

Pra nëse hashashi do të vazhdojë të mbetet realiteti i vetëm në vend, PD – së i duhet të veshë kominoshet e pragmatizmit e të ndërtojë një strategji mbështetur mbi këtë kulturë.

….apo do ta ndalojmë?

Kjo alternativë duket më e vështira – në kufijtë e së pamundurës – por jo edhe aq e pamundur në fakt. Le të kujtojmë se në vitin 2005 Sali Berisha e solli në pushtet Partinë Demokratike me kauzën ; “Do të luftojmë bandat”. Një kauzë “do zhdukim hashashin dhe drogën në vend” në vend të “do zhdukim të vjetrit nga PD” mund të jetë pikënisja. S’ka nevojë për shumë mend për të gjetur se në fillim të çdo ndryshimi është fryma. Nëse PD krijon frymën dhe tregon vendosmëri e ngjall besim, njëkohësisht dokumenton veprimtarinë kriminale të hashashit dhe e denoncon fort në BE dhe SHBA, atëhere fronti është gati. Natyrisht, edhe nëse bën gati një strategji posthashash. Pra, ç’do të mbjellë e me do të jetojnë qindramijë fshatarë kur të mos mbillet më kanabis?

Si fillimi i mbarë do të kish qenë mosnjohja e rezultatit të Dibrës nga zoti Basha kur na tha se atë rezultat ia mori Mafia. Po ashtu edhe masa të tjera, deri edhe drastike në Kuvend, ku të jepej mesazhi se me këtë realitet PD nuk ka punë….ose xhanëm, edhe që KA punë dhe do të ndërtojë arkitekturën e vet, më të bukur se rilindja , për të mbrothtësuar kanabizimin e vendit. O njëra o tjetra. Por me këtë qëndrimin e sotëm, as kështu as ashtu, s’ka tjetër rrugë veç një disfate të tmerrshme, trishtuese të opozitës në zgjedhjet e ardhshme.

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*