Lulzim Basha: Na shite!! Si “plehrat” ashtu edhe opozitarizmin. Nga Flamur TAJARI

Lulzim Basha dje i dha zyrtarisht bekimin ligjit të plehrave. Nga ana tjetër na kthjelloi edhe më për tipin e opozitës që është angazhuar të bëjë.

Ta nisim nga bekimi.

Sot në Shqipëri ka një frymë masive kundër plehrave, të ngjashme me atë të ndalimit të ardhjes së armëve kimike për asgjësim në vitin 2013. Termi “plehra” në Shqipëri e ka gjithë konotacionin e duhur për të krijuar neveri, revoltë, aksion. Shto këtu edhe 3 vjet keqqeverisje të Ramës, represion, varfërim, padrejtësi etj dhe ja tek e ke gati frymën dhe pjesmarrjen. Në rrjetet sociale, ashtu si vjeshtën e vitit 2013, po qarkullon preraz dhe fortë thirrja për t’u ngritur.

Në këtë atmosferë del kryetari i opozitës shqiptare dhe siguron gjithë botën se ai dhe forcat që ka nga pas as që kanë ndërmend të përfshihen në këtë punë. Ajo që deklaroi Basha se do bëjë, është burokracia. Letra! Do t’i kërkojë presidentit të mos e ratifikojë ligjin , pastaj , nëse Nishani nuk do ta ratifikojë, opozita do luftojë në Kuvend që ligji të mos kalojë për herë të dytë. Meqë jemi tek ky , që ligji të mos kalojë për herë të dytë: Pse opozita dhe zoti Basha e lanë të kalojë pa asnjë zhurmë ligjin për sigurinë publike, dmth Big Brotherin e pushtetit, survejimin dhe përgjimin masiv të të gjithëve ne, natën e votimit të ligjit të plehrave? Pra e lamë që bekimi i Bashës për industrinë e importit dhe përpunimit të plehrave është: “Ju vazhdoni rehat! Unë kam teatrin tim”. Teatër, për shkak se, çfarëdo lufte që thotë Basha se do të bëjë, në fund të fundit përfundon tek vota, të cilat u provuan në Kuvend se i ka ende pushteti.

Mesazhi i dytë që na konfirmoi dje Lulzim Basha është se opozita e tij, drejtimi i PD dhe ndoshta nesër i qeverisë, është puro burokratik. Se digjet fshati këtej, Bashës i intereson të bëjë letra. Letër presidentit, kuvendit, institucioneve. Sheshet janë gati, njerëzit super të acaruar dhe presin drejtim e udhëheqje, por udhëheqësi i opozitës ua përplasi syve se nuk ka punë me ta, por me letrat!

Me vështirësi, por edhe mund të qe gëlltitur kohë më parë kjo mënyrë të të bërit opozitë përballë një pushteti arbitrar, arrogant e të padrejtë, sikur vet ky Basha të mos kish premtuar ndryshe. Ju kujtohet dy vjet më parë , që na kërkoi nga Kuksi  MOSBINDJE CIVILE? Po më pas, ju kujtohet që na kërkoi REVOLTA POPULLORE? Sipas kalendarit të zotit Lulzim Basha, sot vendi duhej të drejtohej nga një qeveri teknike dhe ne ose të ishim në porçes votimi ose të kishim përfunduar zgjedhjet e parakohëshme.

Ndërkohë që Shqipëria vazhdon rënien e lirë në një humnerë pafund ekonomike, shoqërore e politike, përballë një pushteti që vetë ky kryetar opozite, sot dy javë më parë e quajti “Mafia që grabiti votat në Dibër”, ka vendosur që , si një avokat i mirë në një shtet të së drejtës tip Suedi a Kanada, të fitojë davanë duke ecur me letra, kërkesa, ankesa dhe marifete mes ligjit!

T’i thuash “na shite” një kryetari opozite, është fjalë shumë e rëndë. Por besoj se me këto dy argumenta madhorë nuk është se po i biem në qafë edhe aq pa lidhje. E ka bërë me dashje a pa dashje, përfundimi është saktësisht i njejti: kauza e plehrave nuk e ka mbështetjen e opozitës dhe opozita është e çmobilizuar ndaj aksionit konkret, duke mbetur thjesht në nivelin e një grushti burokratësh që bëjnë letra e shqyrtojnë dokumenta.

Për pjesën e shitjes me dashje, po rezervohem të shprehem në këtë shkrim, por po qëndroj pak tek ajo e “padashjes”.

Ka plot në PD e rreth saj që – si dikur për Enverin – thonë se “uji buron i kthjellët e turbullohet poshtë”, se gabimi i Bashës është se ka mbledhur të paaftë rreth vetes, se nuk e le doktori të ecë, se nuk e lenë të vjetrit, se ; “prit o burrë se mbase kaq aftësi e mudësi ka” e përralla të tjera si këto. Që Lulzim Basha është një djalë shumë i aftë, këtë e dijnë nga Konispoli në Vermosh, nga SHBA në Hollandë, nga Shqipëria në Kosovë. Një djalë që ka qenë ylli në ngjitje në Kosovë, në misionet ndërkombëtare të pasluftës, deputet, ministër, kryetar Bashkie. Një individ që ka ndërtuar një jetë publike, private e karrierë administrative e politike të shkëlqyer, nuk mund të quhet “i paaftë”. Minimumi i aftësisë së individëve të tillë është të ngrenë e drejtojnë një staf të afërt të aftë, që bën punët. Por jo një staf gjenial për të mos bërë asgjë e për të shuar çdo nismë.  Më e pakta në rastin e zemërimit popullor të fundit të plehrave, do të mjaftonte, në atë fjalim  pa gjak, një “jemi në krah të shqiptarëve të zemëruar dhe mbështesim çdo nismë në ndalim të importit të mbetjeve”. Por bëri të kundërtën: distancimin e hapur nga masa, votuesi.

Pra e zemë se ky burrë tashmë mbi të dyzetat është fare i paaftë të dallojë një konferencë shtypi nga një protestë, një amendament nga një mosbindje civile. Mirë. Por në të tilla raste, pas 3 vitesh në një post ku vetëm dështon, jepet një dorëheqje.

Në opinion të enjten e kaluar na premtoi se që dje , pra të hënën do të niste turin nëpër Shqipëri! Di gjë njeri ku ishte për tur dje ky Basha?

Këto i kisha për të qenë i qetë me veten meqë përdora fjalën “shitur” për një politikan të rëndësishëm. Por më kundërshtoni, më gjeni të kundërtën dhe do të jem i lumtur të them “më fal” nëse ka argumenta ndryshe

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*