Mafia , Basha dhe përrallat e humbjes në Dibër. SHËNIM

“Na mundi mafia”! Para kësaj deklarate në humbje të zgjedhjeve ti si demokrat je para dilemës së jetës: Ta gëlltisësh e të bësh figurën e idiotit, apo t’ia plasësh surratit kasnecëve që ka nxjerrë kryetari Basha të përhapin në korr t’i mbushin mendjen dynjasë e pas tyre edhe kryetarit?

Mafian e ka denoncuar para 3 vitesh e gjysmë Sali Berisha kur paralajmëroi shqiptarët se këta po vijnë në pushtet me “qelbësira të të gjitha ngjyrave bashkohuni”! Nga na u ça veza “kinder” pardje e doli Mafia? U blenë vota? Mos more!! Po që kur, ….se në Shqipëri vështirë se gjen një palë të vetme zgjedhjesh ku të mos ketë patur shit – blerje votash, kërcënime, marrje në punë a heqje prej saj për shkak të militantizmit e të tjera e të tjera. Ç’ndodhi e re këtë herë? Asgjë! Pushteti i kishte të gjitha, përfshi edhe paratë, demokratët shkuan me bukë me vete.

Si u zhvilluan zgjedhjet? Si shpirt!! Asnjë incident….përveç atyre që denonconte pushtetit, i cili i bënte thirrje opozitës të tërhiqte falangat e krimit!!! Kemi incident me një socialist të rrahur paq e kafshuar nga një demokrat, një deputet të akuzuar se ka goditur e ka nxjerrë armën, një makinë që dhunshëm i ikën postbllokut të policisë pa i hyrë gjemb në këmbë…. Si mund t’ia argumentosh ndërkombëtarëve këtë Mafia?

Por ta zemë se tashmë mafia ka marrë dhe pushtetin politik në Shqipëri….apo , pse ta zemë? Në 17 pasdreke e deklaroi vet kryetari i PD – së Basha para memorialit të vrasjes së Azem Hajdarit. Pasi pranon që pushtetin dhe ligjin e bën Mafia. qëndrimi më normal është të mos njohësh këtë pushtet dhe të shpallësh platformën a strategjinë e largimit të kësaj mafie nga pushteti. Natyrisht jo me votë. Vota kundër mafias nuk fiton dot. Sidomos pas deklaratës se kjo votë u ble a u manipulua, ç’rëndësi ka. Të vazhdosh të qëndrosh në Kuvend kur nuk njeh zgjedhjet e fituara nga Mafia, është një absurd i madh….

Sot, sipas kanendarit të zotit Basha, ne duhet të kishim një qeveri teknike dhe të kishim hyrë në zgjedhjet e parakohëshme. Pas kësaj që ndodhi në Dibër, pyetja është: si do të kishin dalë këto zgjedhje të përgjithshme? Si Dibra? Po zgjedhjet e rradhës në qershorin e vitit tjetër, si do të jenë? Nëse Mafia të merr një xhep të harruar si Dibra, a imagjinon njeri se ç’do të bëjë për të marrë Shqipërinë? Dhe pyetja tjetër është: Pasi i ke thënë shqiptarit të ndershëm se mafia fiton zgjedhjet, a do të gjejë guxim e motiv ai të dalë të hedhë votën e ndershme kundër mafias, krejtësisht i pambrojtur?

Pra nuk ngjan se ka shumë rrugë për opozitën. Luftë kundër Mafias , alias diktaturës. Një betim para memorialit të Azemit për rikthimin e demokracisë në vend. Kjo mund të shpëtonte diçka nga lidershipi i Bashës. Mundet ta shpëtojë edhe të gjithin. Por komeditë e tipit “analizë zgjedhjes” që i nxorri sot për Dibrën, por s’i bëri kurrë për lokalet e vjetshme, premtime për revolta, mosbindje civile e fjalë të mëdha që s’u bënë kurrë as mitingje për të qenë, veçse vazhdojnë zhvleftësimin e Bashës si kryetar dhe partisë së tij si forcë serioze politike

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*