Marshimi Epik i banorëve të Zharrzës Nga Dr. Albano Zhapaj

 

Nuk është udhëtimi Biblik i Moisiut që u nis nga Deti i Kuq për në malin Sinai, duke kaluar nëpër shkretëtirën e Sinit dhe për të vënë në shpëtim popullin e tij. Nuk është Marshimi Epik i udhëhequr nga Luther King prej 87 kilometrash nga Selma deri në Montgomery që kulmoi me nënshkrimin e Aktit të të Drejtave të votimit nga Presidenti Lyndon Johnson, që rezultoi të ishte një nga fitoret më të rëndësishme për lëvizjen e të drejtave civile në historinë e Amerikës dhe njerëzimit në përgjithësi. Është marshimi i banorëve të Zharrzës, një fshat në lindje të qytetit të Fierit që po bën epizmin në epokën e re shqiptare që duhej të ishte demokratike.

Zharrza është një vend që për nga pasuritë nëntokësore mund të konsiderohet pa frikë si i bekuar nga Zoti, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për banorët e saj. Në vendet arabike kush ka pasur fatin të lind dhe kush vazhdon të lindë në mbitokën naftëmbajtëse mund të quhet i bekuar për nga mirëqenia ekonomike, dhe në këto vende banorët dallohen lehtësisht për nga veshja karakteristike sheikjane që mban, përkatësisht veshje e bardhë nga këmbët tek koka, me shiritin e zi të lidhur mbi shemagh-un (mbulesën tradicionale) e mbajtur mbi kokë.

Jo shumë larg këtyre vendeve, në krahun tjetër të Mesdheut, në Shqipërinë tonë situata rezulton të jetë krejt e kundërta, banorët e zonës naftëmbajtëse më të madhe në vend janë njerëz të ndëshkuar nga fati, ku me fat nënkuptohet jo ai që të ka dhënë Perëndia, por ai fat që për ata ka vendosur Qeveria. Të varfër deri në mjerim, të nëpërkëmbur nga shteti dhe një kompani e huaj, të mashtruar, të përbuzur deri në poshtërim, të papërfillur, pa një të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre, vendosën të ngujohen deri në vetëflijim duke nisur një grevë urie që për turp të shtetit dhe reflektorëve të fikur të mediave kombëtare, nuk do të njiheshin ende sot, në qoftë se nuk do të kishin iniciuar këtë marshim epik.

Banorët e Zharrzës të ngujuar në një grevë urie, ndryshe nga banorët e fshatrave simotra të Arabisë Saudie apo Kuvajtit, dallohen lehtësisht pasi janë të mbuluar me batanije, dhe mbi kokë nuk mbajnë shaminë e bardhë me shemagh-un arab, por një shirit të kuq, atë të mbrojtjes së të drejtave që u takon, me shiritin me ngjyrë gjaku.

Populli i Zharrzës “Fajtor” se ka lindur në tokën e vet.

Fati i tyre i zi është përcaktuar që në lindjen e tyre, ata janë “fajtorë” vetëm e vetëm se jetojnë aty prej shekujsh, në tokën që nga gjyshërit dhe etërit e tyre kanë trashëguar, dhe në shtëpitë që me mund e djersë kurbeti kanë ndërtuar. Ata janë “fajtorë” që vazhdojnë të banojnë aty, janë fajtorë që ngrenë të ardhmen e tyre në tokën e tyre, janë fajtorë që martohen, krijojnë familje dhe lindin fëmijë, janë fajtorë që nuk largohen dhe t`ia lënë dheun dhe pjesën e diellit që u takon kompanive të huaja dhe shtetarëve që nxjerrin përfitime nga pasuria e nëntokës së Zharrzës.

Pse është marshim epik ky i banorëve të Zharrzës?

Me shtëpitë e dëmtuara vazhdimisht nga “tërmetet” e plasjeve me mina në nëntokën e tyre, me ajrin e ndotur të rafinerive të naftës, si dhe me tokën e përmbytur nga shpërthimet dhe dajlet mbitokësore të naftës, me rrugët e katandisura më keq se në kohën e Zogut, banorët e Zharrzës për vullnetin, forcën dhe dashurinë që kanë për të jetuar në tokën e të parëve të tyre i`a kalojnë edhe popullit të Moisiut, pasi kërcënimi i jetës aty është puthuaj i njëjtë.

Për nga vuajtjet, mashtrimet, poshtërimet, sëmundjet, padrejtësitë dhe distanca e rrugës që po përshkruajnë me siguri që ja kalojnë edhe Marshimit Epik të Selmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi marshimi i Selmës u bë në këmbë, ishte vetëm 87 kilometra dhe i udhëhequr nga martin Luter King, ndërkohë që marshimi i banorëve të Zharrzës është gati dyfish, gati 150 kilometra dhe nuk udhëhiqet nga asnjë lider, por udhëhiqet nga vetë banorët, të cilët të uritur, lodhur e rraskapitur nuk ecin dot as në këmbë, por në karroca invalidësh, të shtyrë përgjatë rrugës nga bijtë e tyre.

Në këto kushte ky nuk është dhe nuk mund të jetë një udhëtim i zakonshëm, nuk mund të quhet as një shpërngulje e përjetshme, por vetëm një Marshim Epik, pasi mbart në vetvete të drejtën bazë të njeriu, të banotir të Zharrzës, atë të të jetuarit në tokën e tij, në shtëpinë e tij, të krijuarit familje, të të trashëguarit, të të punuarit me djersën e ballit, qoftë edhe duke punuar tokën dhe pritur të mbjellat e saj, pa pasur frikë se një mëngjez të çfarëdoshëm shtëpia të të shembet dhe toka të të mbulohet me naftën e zezë, duke e bërë jetën dhe fatin e tyre më të zi se nafta.

Marshimi Epik i banorëve të Zharrzës të shërbejë si lëvizje për të drejtat e shqiptarëve.

Shumëkush mund të mendojë se situata e banorëve të Zharrzës mund të përdoret apo keqpërdoret për qëllime politike. Por në qoftë se nuk bëhet politikë për mirëqenien e popullit, për sigurimin dhe mbrojtjen e banesave të tij, për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja e naftës dhe e gazit, për mbrojtjen e të mbjellave, për mbrojtjen e punës dhe të jetës në vendin ku jemi lindur, atëherë për çfarë mund të bëhet politikë tjetër?

Ky popull është lodhur së emigruari, ka thyer shpinën duke punuar në tokën e të huajve, është rraskapitur duke jetuar i ndarë nga familjet, sa në emigrim e sa në vendin e tij, ka parë e ka jetuar mjaft për të kuptuar se e ardhmja e tij mund të ndërtohet edhe këtu. Asnjë nga vendet ku kanë emigruar shqiptarët nuk rezulton të ketë këto bukuri dhe pasuri natyrore, përmos i kemi më tepër se ata, prandaj politika duhet të kontribuojë që populli të jetojë jetën e tij në tokën e tij dhe punë e tij, dhe jo ta detyrojë atë të emigrojë dhe pasuritë t`i lerë tjetërkund e tjetërkujt.

Opozita e sotme ka detyrimin madhor që kauzën jetike të banorëve të Zharrzës ta bëjë kauzë për Shqipërinë, t`i mbështesë, t`i mbrojë dhe t`i udhëheqë në të drejtat e tyre, me respektin dhe dinjitetin që meriton çdo banor i Zharrzës dhe çdo shqiptar. Nëpërkëmbja e të drejtave të banorëve të Zhërrzës është nëpërkëmbje e të drejtave të shqiptarëve. Qeveria u pa se çfarë qëllimesh ka në nëntokën e Zharrzës dhe për banorët që jetojnë në atë mbitokë.

Kreu i opozitës, gjithë faktori opozitar dhe shoqëria civile të mbështesin këta banorë dhe t`u thonë hapur dhe në sy se cila do të jetë e ardhmja e tyre në qeverinë e ardhshme të djathtë, dhe të kenë kujdes me premtimet, sepse bëhet fjalë për të drejta të pamohueshme dhe për ndërtimin e jetës të çdo qytetari, ashtu si të çdo banori të Zharrzës, në shtëpinë dhe vendin e vet. Një shoqëri nuk mund të quhet e tillë kur qeveria nuk i garanton të drejtën e ndërtimit të jetës së vet në tokë të vet. Kauza është më se e shenjtë, ta ruajmë dhe ta mbrojmë.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*