Misteri i letrës së hapur të Blushit dhe ç’po nxjerr ai nga kazanët. SHËNIM

Ka folur vetëm me figuracion letrar deputeti socialist Ben Blushi në letrën e tij. Gur, dru, plastikë parlamentare, kazan elektoral etj si këto. Dhe në fund na deklaron se “kam vendosur të dalë përfundimisht që aty”. “Aty” – ja është kazani elektoral. Do të thotë se nuk do të përfshihet në fushatën e ardhshme të PS? Nuk do të kandidojë fare , me askënd për deputet? Do të lerë që sot mandatin?

Përshkallëzimi i pozicionit të Blushit në fakt ndodh në kohën e duhur dhe me maksimumin e përfitimit, nëse është nisur nga kjo pikë. Pas disa vitesh letargji, më në fund opinioni dhe aktorët publikë sikur po zgjohen, pas miratimit të ligjit të mbetjeve. Fjalimi prej “tribuni popullor”, thirrja në kuvend – që u vu në jetë tak fak nga aktivistë – për të shkruar emrat e deputetëve që votuan ligjin nëpër kazanët aktualë të plehrave dhe simpatia që mblodhi në çast nga shqiptarët e të gjitha krahëve na tregojnë se tashmë deputeti socialist është pozicionuar këtu.

Ajo që po quhet “letra e hapur” e tij është fund e krye një prozë poetike me leitmotiv plehrat edhe mbetjet, industrinë e riciklimit dhe politikën e riciklueshme. “Kam vendosur përfundimisht të dalë që aty”….

Po ku do të shkojë Blushi pas daljes nga kazani? Në të njejtën letër bën pleh PS -në, po aq PD -në e në një thes fut edhe LSI -në. Për më tepër letrën e mbyll me konkluzionin se “në Shqipëri duhen pastruar partitë që të pastrohet kazani”. Natyrisht që as PD – në dhe as LSI – në nuk ka se si e pastron , pasi as është në to dhe as ka ndërmend të shkojë pasi i konsideron kazan. PS – në po ashtu, ndërkohë që nga kazani po deklaron se po del….

Mos po përgatitet të vihet në krye të një lëvizjeje popullore që po ngrihet mbi kauzën e plehrave? Nga pozicioni në Kuvend dhe retorika në letër, udha më logjike e këtij politikani po duke kjo. Ai u vetofrua si lider, si ideolog, si mbrojtës dhe përfaqësues politik në kuvend dhe me ata “debatikasit” që u ndaluan nga policia për të bërë lajm se – të frymëzuar nga fjalimi i Blushit – po shkruanin kazanët, na la të kuptojmë se edhe lëvizja popullore e do, e dëgjon e ka nevojë për një intelektual, ideator, filozof e udhëheqës si ai.

Nga një anë, një format i tillë nuk do të qe i keq as për Blushin e as për lëvizjen. Gati gati është entuziast dhe shpresëdhënës… po të mos kesh parasysh rrymat që po gurgullojnë nën këtë rrogoz. Dy prej tyre janë Mjafti dhe fryma “të mos afrohet PD” se na dëmton. Ky kokteijl, me një Blush në majë, është futje perfekte në vathë e lëvizjes kundër plehrave, urrejtjes dhe revoltës popullore. Është kontroll total dhe orientim i sofistikuar nga pushteti, pa e lënë të kthehet në kërcënim serioz kundër tij , apo duke  e bërë të tillë kur pikërisht Ramës t’i interesojë.

Pse kaq pesimist? – mund të qortojë dikush. Në fakt Sali Berisha ia ka bërë në sy, në seancë plenare të Kuvendit, një përcaktim brilant këtij politikani: “Ti Blush je tradhëtar kongenital”! Ky Blush la në baltë shokët në LMN (Lëvizjen për Mendimin Ndryshe në PS). Do të qe harruar ndoshta kjo punë sikur të mos kish ndodhur saktësisht e njejta situatë sivjet. Në fillimviti, një grup socialistësh nga ata të “bukës së vjetër” nisën të organizohen për të rikthyer demokracinë në PS. Këtij grupi iu bashkëngjit shumë shpejt edhe deputeti Ben Blushi, i udhëhoqi deri pas Kongresit, për t’i lënë më keq seç ishin në batak….

Kthehemi tek “kazanët”. Nëse vihet në krye të kësaj lëvizjeje masive popullore, ky politikan në fund e ka në xhep një parti, me shumë më tepër moral se këto që janë (pasi do t’i jetë ofruar popullit si shpëtimtari nga plehrat), me shumë më pak mundim organizimi (pasi në situatë të tillë kjo punë ndodh me shumë pak mundim e shpenzime).

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*