Mistika në vdekjen e Andrea Stefanit. Nga Llesh P. Gjeta

Dilema: Lahen në këtë botë apo në tjetrën?

– E vërtetë kjo që ka vdekur Andrea Stefani? – ishte pyetja më e zakonshme atë ditë, e bërë jo me dimbje a shqetësim, por me buzëqeshjen e njeriut që nuk duan ta bëjnë për budalla. Sepse i ndjeri koleg u bë i pabesueshëm në të gjallë , u bë barcoletë në të gjallë e ndoshta për këtë arsye dukej si barcoletë, shaka, tallje, lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta të një njeriu në moshë goxha të re. Aq barcoletë u bë, saqë pavarësisht nga njëri – tjetri, kush merrte lajmin nënqeshte dhe pëshpëriste: “Fajin e ka Saliu”!

Nuk mbaron këtu. Tallja e hipokrizia vazhdon më tej. Rekuiemin për të ndjerin e bëri Sokol Balla në Top Stori në Top Çenëll. Sa qe gjallë i ndjeri Andrea, kë takonte, pikërisht për këtë i ankohej; “Na ka mbyllur dyer Kol Balla, nuk na fton në asnjë emision”.

Po pse e ftoi Sokoli? Jo për Andrean! Të qe për të, do të kish mjaftuar ai emision i vitit 2011 që ritransmetoi në fund të Top Storit, ku ndoshta qe e fundit herë që i ndjeri shkelte në atë studio. Nga mënyra e organizimit të asaj bisede mbrëmë dhe të tjerat në këto 3 ditët e fundit, duket se halli është gjetiu: GJYKIMI I OPINIONIT!

Për të vdekurin thuhet se nëse s’ke gjë të mirë për të thënë, të paktën hesht, se tashmë e gjykon Zoti. Është një hipokrizi shekullore e rrënjosur i kodi i vdekjes. Por sa e sa herë ky i ndjeri gazetar e ka shpërfillur publikisht këtë “kod” thjesht për të përmbushur misionin e agjitatorit të rilindjes? Në rastin e viktimave në rastet e operacionit të ÇEZ apo të INUK etj, kur bashkëbiseduesit në studiu i përmendnin, Andrea hidhej; “Po Saliu që vrau në 21 janar?” “Po Saliu që bëri Gërdecin”? Sa herë dilte në ekran tek Opinioni ky agjitator i rilindjes rrjetet sociale shpërthenin me ironi, gallatë, tallje, sharje e mallkime, ndaj një individi që në mënyrë cinike lëshonte sofizma të trasha me qëllimin e vetëm për të devijuar argumentat e debatet për çështje të rëndësishme.

Ka sot një debat në rrjet për të ndarë njeriun Andrea nga gazetari Andrea. Nuk është çudi për një shoqëri që masivisht jeton me personalitet të dyfishtë dhe është mësuar që nga koha e Enver Hoxhës me atë që Xhorxh Oruell, tek libri “1984” e quan “dymendimi”. Por meqë e kam njohur e kam biseduar gjerë e gjatë , qysh herët me të, po ju tregoj se është e vështirë, deri në pamundësi, kjo ndarje. Kur erdhi në pushtet Berisha, në vitin 2005, kryetari i dhomës së tregëtisë së atëhershme i pushoi nga puna  bashkëshorten Andreas. Këtu i ndjeri u bë hasëm përjetë me Saliun. Por leku është i ëmbël, e , siç tha ai kadiu i famshëm kur hapi qitapin me para në çdo fletë; “me këtë qitap dhjet mustaqet e mia, të pashait e s’të hyn gjemb në këmbë”, Andreas ia gjetën anën. I lidhën një pagë tejet të majme në një televizion gjoja si analist me pagesë. Kontrata kishte si kusht që ky, bashkë me një tjetër si vetja që sot është gjallë e vazhdon me “fajin e ka Saliu”, pagën e merrnin gjithësesi, dilnin a nuk dilnin në emisione, por me kusht që të mos dilnin në asnjë televizion tjetër.

E shiti heshtjen Andrea i ndjerë në atë periudhë dhe iu përkushtua vetes , duke e nisur me vrap që në mëngjes nga Liqeni e me ndonjë shkrim tek – tuk nëpër gazeta. Kur erdhi rilindja në pushtet, Andrean e gjeti gati dhe të gatshëm. Më vret Zoti të them në e paguan a pati të mira të tjera prej kësaj pune, se nuk di gjë konkrete, por ky rahmetliu u quajt “i shitur” nga opinioni mbarëshqiptar për shkak të zellit të jashtëzakonshëm, ndoshta më të madh edhe se Taulant Balla, për të sulmuar Saliun dhe vetëm Saliun dhe për të mbrojtur si mëma fëmijën rilindjen e sidomos liderin e saj Rama.

Në zi e siklet në panelin e Fevziut shfaqej Andrea, pamja e të cilit bënte me dhimbje koke treçerekun e atyre që e shihnin, pasi merrnin vesh pa nisur që asnjë e vërtetë s’do të dilte në atë emision, për shkak të sherrit dhe përshtellimeve që i qante me lot agjitatori i rilindjes.

Tani ai iku nga kjo botë. Për zgjedhje të tij, iku pa respektin e auditorit të tij, i tallur e i përqeshur, duke na lënë të kuptojmë në fakt se të paktën në këtë botë lahen ato që bën. Nuk e dimë për tjetrën, por rasti i këtij të ndjeri na provoi se këtu lahen.

Ndërsa kolegët i dolën krah dje në një emision të lodhur jo se e deshën. Asnjë prej tyre nuk qe shoku i Andreas. Por ngjan që më shumë po mbronin veten. Ca prej tyre , më hollë e më me marifet, të njejtën punë kanë bërë. Dhe me mend a intuitë kuptuan që vërtet mund të tallesh me një popull, vërtet ai popull i shtypur të duron nga halli, mbyll sytë , gojën e ul kokën kur ti ia hipën për llogari të ustait, ama nuk të harron! Lavdia për të cilën robtohet kjo sërë të verë e ta lenë pas kur të ikin nga kjo dynja, në rastin e Andreas së gjorë tregoi se të pëllcet si flluskë sapuni e ti merr në varr, si kurorë, pikërisht atë që u ke bërë të tjerëve. Këtu lahen, këtu!

 

 

 

 

 

 

 

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. nje analize brilante qe meriton te merret si mesim per moralin e shoqerise ne teresi por kryesisht ajo e MEDIA qe nuk fakt vuan me se shumti per moral!

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*