Monkey business, Taulant Balla …e pse jo Koçoja? Nga Flamur TAJARI

O dhe sonte Taulanti!! Sonte kundër Koços. Po para kësaj le të sqarojmë atë që kam vënë anglisht në titull; monkey business.

Fjalë për fjalë përkthehet “punë majmunësh”, dhe në rastin në fjalë shkon kallëp. Por në anglisht është shpenzim i kotë kohe në një punë apo edhe një punë jo fort e paqtë, por jo e jashtëligjshme.

Me respektin maksimal për majmunin si specje, në krahasimin me Taulant Ballën i referohem vetëm pjesës së aftësisë të pazakontë për të imituar e për t’u përshtatur. Dhe ky individ është për t’u admiruar pikërisht në këtë veti. Jo dhe aq në xheste, mimikë, ton e zë, por në fjalor e retorikë. Të mos e shohësh në portret e dëgjosh zërin bën be se po sheh Edin e periudhës së tij më të shfrenuar e të paciptë. Edin që e shanin për çitjanet e çorapet e kuqe, për ulërimat në mitingje, e të tjera që dihen po s’na i nxe goja. Atij s’i bëhej vonë por çlironte edhe më paturpësisht gjuhën.

Ikën ato kohë të admirueshme për Edin. U zhdukën edhe çorapet ylber e poturet e varura por gjuha jo. Atë ia ka transplatuar Taulant Ballës.

Për një pjesë të mirë të rinjsh në fillim të viteve 2000 garipi Edi Rama që s’pyeste për njeri e që fliste “la e pa la” ishte ku idhull, ku model, ku ideal. Mësuar me politikën me vizore e kollare, një “i çmendur”, artis, “çun Tirone”, kundër të gjithëve, rebel, snob, ekstravagand etj etj qe gjë e re e dukej si e përparuar.

Kurioziteti është ; si ndjehet sot ky Edi Rama kur një pjesë të vetes e sheh mish mash brenda një figure të tillë? I pacipë, por me xhaketë e coiffure stil brigadieri. Gojëtar, por jo “çun Tirone”. Pompoz …. kur deklamon tekstet e Edit në Kuvend, në televizion, në Asamble… Kurioz jam të di se si ndjehet Edi Rama kur e sheh veten të rilindur si gjysmagjel brenda një Taulant Balle.

Sot Taulanti komentoi zellshëm votën “publiçitare” kundër Koços në Asamble. Krenarë që vetëm 3 veta në 300 kishin qenë me Koçon! Krenarë që kjo parti vazhdon traditën e saj të të futurës shoshoqit; ata që të ngrenë në mëngjes të varrosin në darkë. Koço , ky mbret i Jugut, sot mori vetëm 3 vota. Këtë fakt Gramozi do ta kish kumtuar ftohtë dhe pa emocion. Te Taulanti rrezatonte zelli. Prandaj AI është i përzgjedhuri për “monkey business”. Duket sikur Edi Rama e ka nxjerrë nga vetja atë pjesë të shëmtuar dhe ia ka transplatuar trupit jo fort të bëshëm të Taulantit. Ka vendosur çorapet me bojna, çitjanet, hallatet e plazheve nudo, megafonin, sëpatën, brekët e Violeta Manushit, ulërimat në foltore, të futurat dhe intrigat ku ka gjetur vend brenda mendjes dhe shpirtit të këtij njeriu të ardhur nga një provincë e Jug- Lindjes, me ambicien e manifestuar për të çarë me çdo çmim.

Po prapë, pyes veten, se ky Edi është edhe piktor e bir skulptori; ashtu si Mikelanxhelo kur mbaroi Davidin dhe e kundronte, ç’mendon ky piktori ynë kur e sheh këtë pjesë të vetes, të veshur me stof e kollare, që thërret në kuvend e emisione me atë “r” – në qiellëzore ala franceze, me ato xheste bolshevike krahësh që vërtiten në ajër e gishta që drejtohen?

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*