Nga rilindasit shqiptarë që shkrinë veten për arsimin, tek rilindasit socialistë që shkrinë arsimin për veten Nga Dr. Albano Zhapaj

 

Në harkun kohor të më tepër se një shekulli arsimi shqiptar për herë të parë, sidomos në këto katër vjetët e fundit, mund të konsiderohet pa frikë si mall tregu dhe si një biznes që mund të krijojë përfitime për një pakicë njerëzish të veshur me pushtet. Ky realitet sa i hidhur, aq edhe tragjik, ka zënë shtresë mbi të ardhmen e të rejave dhe të rinjve shqiptarë, duke i shndërruar këta të fundit nga filizat e ardhshëm të shoqërisë shqiptare, në klientët e radhës të pushtetit rilindas.

Ngjyrat e forta të reklamave të rilindjes socialiste të shoqëruara me retorikën dhe gjuhën e zgjedhur të fjalëve, kanë arritur mpirjen dhe deri vënien në gjumë të ndërgjegjes kombëtare mbi atë çka po ndodh realisht me arsimin shqiptar, me djepin e dijes, për të cilin rilindësit e vërtetë kombëtarë shkrinë veten si qiriri, shkrinë pasuritë dhe jetët e tyre për t`i dhënë jetë e shpresë identitetit shqiptar dhe të ardhmes së vendit. Shndërrimi i dijes në mall tregu dhe i fëmijëve në klientë biznesi është sot kryefjala e pushtetarëve të arsimit që kanë interesa përfitimi personal direkt mbi arsimin apo institucionet arsimore private prej tyre të privilegjuar.

Nga “çmund të bëjmë për arsimin, tek çmund të bëjë arsimi për ne”.

Historia e zanafillës së arsimit shqiptar na ka mësuar se rilindja e vërtetë shqiptare punonte për kombin dhe arsimin me moton: ç`mund të bëjmë ne për arsimin dhe për Shqipërinë. Realiteti në të cilin gjendet sot arsimi shqiptar na lë të kuptojmë se filozofia e rilindjes socialiste është një dhe e qartë, ajo punon me moton: ç`mund të sjellë në xhepat tanë arsimi dhe Shqipëria.

Rilindja e vërtetë kombëtare shqiptare, ajo e fundit të viteve 1800 dhe fillimit të viteve 1900,  ishte një lëvizje e gjerë kombëtare, e cila  tërhoqi në jetën politike të gjitha forcat shoqërore të popullit shqiptar dhe që kishte rrënjë të thella historike. Rilindja u zhvillua në një truall të përgatitur nga kryengritjet popullore dhe terrenit të ngritur falë punës së paepur të rilindësve shqiptarë për rritjen e ndërgjegjes kombëtare.

E ku mbarojnë emrat e intelektualëve të asaj kohe, duke filluar nga Pashko Vasa, Vëllezërit Frashëri, Motrat Qiriazi, Petro Nini Luarasi, Andon Zako Cajupi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Faik Konica, e përfunduar deri tek mendimtarët e mëdhenj të shekullit të kaluar Imzot Noli dhe i madhi Çabej, të cilët i dhanë frymë dhe formë arsimit.

Janë rilindasit e vërtetë ata që me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 kishin  krijuar kushtet për ngritjen e sistemit arsimor shtetëror edhe në Shqipëri, të cilët edhe mbas formimit të Ministrisë së Arsimit me në krye me Luigj Gurakuqin,  ngritën rrjetin shkollor në tërë vendin dhe shtypën tekste shkollore me fondet e tyre personalë, me ëndrrën dhe shpresën që mbas tyre të linin një Shqipëri më të mirë, me njerëz të mirë arsimuar dhe qytetarë të denjë për veten dhe për botën.

Filozofia e Rilindjes Shqiptare: Përparimi vjen nga arsimi.

Në vitin e largët 1909, kur qeveria turke mbylli te gjitha shkollat shqipe dhe dha urdher te prerë të shuhen në zjarr të gjithë librat, dokumentet dhe letërsia shqipe, ishin rilindësit shqiptarë që i vunë shpatullat Shqipërisë për të vënë në vend identitetin kombëtar të gjuhës shqipe dhe të arsimit, me bindjen se nuk ka përparim pa arsim.

“Më mirë vonë se kurrë, po nisemi nga përparimi, nga ndërtimi dhe përhapja e shkollës shqipe…”shkruante në atë kohë Naum Veqilharxhi. Naimi i madh në vjershën kushtuar ngjarjes së hapjes së “Mësonjëtores” së parë, me gëzim e shpresë shkruante: “Hapu, hapu errësirë/pa eja tëhu, o dritë/ se arriti koh’e mirë/U gdhi nata, u bë ditë…”

Nuk ka asnjë pikë dyshimi se vizioni i rilindjes kombëtare shqiptare të asaj kohe kishte nuanca të forta perëndimore, jo vetëm se mbështetej tek filozofia e revolucionit francez të asaj kohe, por edhe për faktin se zhvillimin dhe përparimin e kombit e shikonin pikërisht tek arsimi. Nuk ka asnjë pikë dyshimi se rilindësit e vërtetë shqiptarë nuk e shikonin kurrsesi arsimin si një mjet për të siguruar të ardhura personale, dhe kjo i identifikon ata si patriotë e përparimtarë. Si përfundim mund të themi se nuk ka asnjë pikë dyshimi se rilindësit shqiptarë ishin intelektualë të spikatur, njerëz të shquar të arsimit dhe kulturës, që bagazhin kulturor dhe dijet e tyre i vunë në shërbim të arsimit.

Filozofia e Rilindjes Socialiste: Përfitimi vjen nga arsimi.

Me skemën e re të pranimeve në universitet nuk ka më asnjë pikë dyshimi se pushteti edhe këtë vit do të nxjerrë përfitimet e tij duke shitur të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve tek universitetet private. Rilindja socialiste pasi shiti apo dha me koncesion resurset më të rëndësishëm natyrorë të vendit, pasi shkatërroi prona e biznese, pasi mbylli plot vende pune, pasi detyroi me qindra mijëra vetë të emigrojnë, pasi dha me koncesion shëndetin e popullit tek disa kompani private, mendoi edhe më të fundit, atë të dhënies me koncesion edhe të së ardhmes së të rinjve shqiptarë, arsimimit të tyre për pesë vitet e ardhshme tek institucionet private të arsimit, aty ku ata vetë kanë aksionet e tyre të biznesit.

Të mos harrojmë se një vit studimesh vetëm tek institucionet e arsimit tëlartë privat sjell përfitime kolosale, pasi aty tarifa për person shkon nga 2500 deri në 5000 euro në vit, varet nga lloji i universitetit privat, dhe restoja sigurohet nga “zemërgjerësia” e pushtetit rilindas, i cili u akordon kuotat e pranimit dhe u`a shpie studentët tek dera e institucionit me detyrim.

Një skemë tjetër sa përfituese aq edhe korruptive, që në filozofinë e përdorimit, është padyshim dhënia me koncesion i Provimit të Anglishtes së  Maturë Shtetërore, ku ashtu siç rezultoi edhe vitin e kaluar i`u dhurua një biznesi, pra u përdor një agjenci private që përveç të tjerash nuk renditet e para në listën evropiane dhe botërore të testeve ndërkombëtarë të gjuhës angleze.

Ajo që përsëri do të vihet re në këtë proces është edhe kostoja totale që do të zërë për buxhetin e shtetit dhe për xhepat e familjeve të maturantëve, ky provim që do të vlerësohet nga një biznes privat. Të mos harrojmë se një provim i gjuhës angleze kur kryhet në ambientet e një agjencie/bisnesi të tillë, për çdo person shkon nga 60 deri në 100 euro.

Kush e drejton arsimin?

Nuk ka as më të voglin dyshim se menaxhimi i arsimit të sotëm kryhet nga njerëz mediokër, gjysmë të shkolluar, arrogantë, të cilët në disa raste  kanë rezultuar hajdutër, rrugeçër e gjobëvënës të arsimit privat dhe mësuesve të pambrojtur. Nuk ka as më të voglin dyshim se menaxherët e sotëm të arsimit janë pa vizion dhe arsimin e përdorin për dy qëllime kryesore: nga njëra anë për përfitim personal ekonomik dhe nga ana tjetër për katapultim në poste të tjera shtetërorë ku sipas tyre përfitimi korruptiv ka përmasa më fitimprurëse.

Duket qartë se nga epoka e rilindësve shqiptarë që shkrinë gjithë CV-të e tyre për të ndërtuar arsimin, kemi hyrë në epokën e rilindësve socialistë që ndërtojnë CV-të e tyre duke shkrirë arsimin. Padyshim që këta drejtues “Copy-Paste” të filozifisë së pushtetit rilindas për nga ngjyrat dhe fjalët që përdorin mendojnë se janë “profetë” dhe për interesat e tyre pushtetare, kur u duhet citojnë edhe rilindësit e vërtetë të kombit tonë.

Ka ardhur koha për t`u thënë këtyre “profetëve” të pushtet-rilindjes së arsimit se populli ndonjëherë edhe mashtrohet, edhe bindet, edhe duron, por në fund kur t`i jetë zgjuar ndërgjegjja e së vërtetës, do ngrihet dhe ora e mashtrimeve do përfundojë. Jetoni edhe ca mbi plagët e arsimit o rilindas të rinj.

*karikatura marrë nga gazeta MAPO

 

 

 

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*