Nisi egër fushata! PS dhe LSI kundër njëri – tjetrit, PD….aty ku ka qenë. Nga Koli Nozi

A nuk është rritur pak doza e çarjes së trapit nga pushteti këto kohë? “Jooo”! – do të më thotë dikush – “përkundrazi! Janë bërë më të butë”!

Përkundrazi! Kjo rracë është më mut kur bëhet e butë. Futën në burg e çuan në varr plot nga ne për korrentin, për sallatën që shitëm në trotuar, për tjegullat e çatisë sonë, për një gotë birrë para se me hip në makinë….

….sot Edi Rama ka dalë katundeve dhe dëgjon si manare katundarët për hallet, shqetësimet, propozimet e pordhi kali në derë të hanit , si i thonë llafit. Kush? Ky Edi hazërxhevapi që kur qëllon të të dëgjojë, e bën thjesht për të marrë frymëzim e të bëjë një batutë e të bëjë të zgërdhihen zarbot përreth që atë zanat kanë. Ky! Tani na është bërë i vëmendshëm, i kujdesshëm, i urtë, i gjindshëm. Mbi të gjitha po jep zgjidhje. Domethënë me llafe. Po të paktën llafin e mirë ka filluar e thotë dhe pikërisht kjo është çarja e trapit. Edi skuthi është më i rrezikshëm se Edi çorapekuqi. Dhe e di pse?

SEPSE KA FILLUAR FUSHATËN E ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE TË VITIT 2017!!

Natyrisht kjo gjë nuk është se ndjehet thjesht me organet gjenitale të robit në çahen apo jo. Kjo shihet me sy të lirë, për shkak se e mira dhe e keqja e fushatave është se bëhen për t’u parë masivisht. Dhe masivisht po shohim që , ashtu si para zgjedhjeve vendore të vitit të kaluar, tani ka zënë të ndajë “tapi”, që në fakt nuk janë tapi, por për këtë flasim më vonë.

Edi nuk ka toka në pronësi. Këtë e dimë nga deklarimi i pasurisë. Por po të kishte prona të të ndjerit Kristaq a të teta Netës dhe prej qejfit ia fal dikujt, edhe mund të përtypej. Por kjo nuk është as pronë e tij dhe as detyrë e tij ta ndajë. Siç i tundet qenit salçiçja që të njohë të zotin, ky na tund përditë këto kartat për të thënë se “unë i kam në dorë dhe unë po ju bëj legalizimet”.

Së pari le të sqarojmë se ato letra nuk janë tapi por një dokument që të lejon ta nisësh regjistrimin e pronës tënde. Kjo do të thotë se pas kësaj letre vijnë një qerre me veprime , letra të tjera e para.

Së dyti, që për këto veprime ka administratë të strukturuar dhe specializuar mirë.

Së treti, në një vit elektoral një kryeministër ka shumë më tepër punë e detyra dhe shumë më pak kohë që ta shpenzojë ugareve me letra në dorë….po të mos qe në lojë diçka më e madhe se gjithë punët dhe detyrat e tjera: ZGJEDHJET!

Për këtë arsye, nëse ju duket karagjoz sepse në mes të barinjve të dhive flet për arsimin e lartë dhe midis pedagogëve flet për lopët, kjo nuk është lajthitje. Në këtë fushatë që ka nisur ethshëm 9 muaj para zgjedhjeve Edi Ramës i duhet një sebep për të folur dhe një auditor që të duket se atij po i flet. Ndërkohë që i gjithë mesazhi është vetëm për kamerat dhe ne që shohim nga ekrani.

KAQ E RREZIKSHME QENKËSH PD – ja, SA RAMA TA NISË NJË VIT PARA FUSHATËN?

Po kush e ka në defter PD – në në këto zgjedhje? Fushata është PS – LSI. Ky është rivaliteti për pushtetin në 4 vitet e ardhshëm. Ndërkohë që PD dhe kryetari i saj bëjnë konferenca për shtyp, i tregojnë popullit se sa dëm të bën hashashi, se me Ramën nuk shkohet në zgjedhje e pordhi kali në derë të hanit, Ilir Meta mori ca letra si të Edit dhe nisi edhe ai fushatën! Po po!

ILIR META, QË DO TË KANDIDOJË NË DURRËS, NISI EDHE AI SHPËRNDARJEN E “TAPIVE”!!

Dje në kryetari i LSI vajti në Ishëm dhe shpërndau 700 leje legalizimesh. Pse , më budalla është Likja? Pushtet ky, pushtet ai. Formalisht të paktën. Edi nuk mund ta ndalojë ta bëjë. Por sidoqoftë, mesazhi i djeshëm qe: “Sy për sy, dhëmb për dhëmb”!

POR ABUZIMI ËSHTË SE KJO FUSHATË PO BËHET ME SHPËRDORIM DETYRE DHE FONDE PUBLIKE.

Nuk e kam fjalën për naftën, dieta, skenografi e më the e të thashë. E kam për këtë, që një të drejtë ligjore, siç është leja e legalizimit po e përdor pushteti si dhuratë të tijën. Po ashtu, po përdoren gjithë marifetet e tjera , që natyrisht i paguajmë me paratë tona ne, siç janë falje detyrimesh për makinat, gjoba biznesi, subvencione e të tjera,

Nuk është e para herë që ndodh kështu, por këtë herë ka nisur shumë herët dhe do të thotë se do të shkojë shumë shtrenjtë. Por një të mirë e ka kjo punë:

NUK QENKA E VËRTETË QË FUSHATA 2017 DO TË BËHET ME PARATË E HASHASHIT!

Nga mënyra se si po shkon, pra duke dhënë si bamirësi a miell fushate të mira publike , po duket se pushteti i Ramës dhe pushteti i Metës, si rivalët kryesorë të zgjedhjeve të ardhshme, nuk po fusin duart në thasët e tyre të parave, por , si përherë, në tonin. Pushteti po përdoret për të blerë pushtet, dhe kjo është fatkeqësisht historia që përsëritet. Por më e rëndë se kjo fatkeqësi është diçka tjetër:

KATASTROFA E OPOZITËS QË MBETET JASHTË LOJE

Organizata joQeveritare “Partia Demokratike e Shqipërisë” në fakt as rolin monitorues të kësaj fushate nuk e ka marrë përsipër e as një gjysmë llafi të thotë se ç’është kjo fushatë 9 muaj para zgjedhjeve nuk e ka bërë. Kjo OJQ nga ana tjetër dallohet për sensibilizimin e të rinjve për heqjen dorë nga hashashi dhe veset e këqija që mund të infektojnë rininë tonë, si dhe është shprehur edhe kundër ligjit të plehrave. Po ashtu, ka patur kurajo qytetare të denoncojë Mafian në Dibër që ia mori votat dhe ka premtuar se mot , me votë të lirë, do ta mundë këtë Mafia! Kjo është situata këtej.

Ndaj sot, paradoksalisht, lufta e ashpër për pushtet dhe për fitore në zgjedhjet e ardhshme ka nisur …brenda pushtetit, PS – LSI, për shkak se PD, që duhej të kish qenë në këmbë që nga 2015, është këtu ku është.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*