Një “më fal” për deputetët shqiptarë. Nga Flamur TAJARI

Nga unë Flamuri: “MË FALNI”!!! Edhe unë e kam ngjyer pendën në mutin tuaj, aty ku ju e shpërndani me kova kundër njëri – tjetrit, për të shkruar e arsyetuar mbi kriminelët në Kuvendin e Shqipërisë. U ngrit me të madhe nga opozita se vrasës, trafikantë, drogaxhinj kanë veshur xhyben e ligjvënësit dhe bëjnë ligjin në institucionin më të lartë të përfaqësimit të popullit. Sa seanca! Sa fjalime! Sa akuza! Sa sherre! Unë e plot si unë i kemi komentuar, agrumentuar, qortuar….

..Sot kuvendi njofton se, pas verifikimeve , asnjë prej tyre nuk ka patur punë me drejtësinë. Pak më herët, edhe një kryetar bashkie, i akuzuar si i dënuar por që ia ka fshehur ligjit shqiptar, doli i pafajshëm. Atëhere:

Përse u deshën të harxhohen energji maksimale dhe kohë pafund me ligjin e dekriminalizimit? Mund të qe bërë fët e fët e jo të merrte për muaj me rradhë gjithë vëmendjen e politikës shqiptare dhe diplomatëve të huaj këtu. Ç’do të mbetet në mendjet dhe kujtesën tonë: Që kuvendi i zgjedhur në vitin 2013 ishte një çerdhe kriminelës të rrezikshëm apo gënjeshtarësh dhe manipulatorësh? Sot, të rikthyer në pikën e nisjes, ne formalisht kemi një kuvend të pastër! Dhe këtë e mësojmë pasi kemi besuar fort për dy vjet rresht se rreth 10% e këtij institucioni vinte nga llumi. Për këtë të fundit kemi parë prova dhe dëgjuar dhe mësuar lidhjet përkatëse. Ama të gjitha, me ligj, u bënë zero!

Ndaj them “më fal”! Kur institucioni më i lartë i pushtetit në vend, për vete thotë se është i pastër e i ndershëm, a kam më unë dhe të tjerët si unë ku ta ngjyejnë pendën?  Apo na pret burgu, siç po shohim që po ky kuvend po i vjen rrotull ca ligjeve interesante për kontrollin e çdo llafi të shkruar e të folur? Prandaj “më fal” o Kuvend! Edhe në kam këputur ndonjë budallallëk, ngaqë besoj fort tek ti e kam bërë. Ti më the që je mizëri me kriminelë, ti më thua se je me babaxhanë. Si të thuash ti – është!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*