PD, Basha dhe Besimi! Nga Koçi Fosi

BASHA TAKIM ME GAZETARET - Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur gjate nje takimi me gazetaret, ku ka deklaruar se gjendjes se rende ekonomike te vendit, i eshte shtuar dhe deshtimi total ne dogana dhe tatime, i qeverise Rama./r/n/r/n

T’i kthejmë besimin qytetarit tek politika – ishte mbyllja e fjalimit të Bashës në festën e 26 vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike.

Janë dashur qindra vjet e mijëra martirë që popujt të besojnë në të mirën universale që quhet Zot. Besimi është çështje dhe proçes shumë i ndërlikuar dhe personal. Sa do t’i duhet kryetarit të PD – së që në gjysmë viti ti kthejë besimin një populli në një gjë që ky popull e quan si të keqen më të madhe të tij: politikën?

Para se të mbërrinte tek zgjidhja, pra kthimi i besimit të qyetarëve tek politika, Basha renditi fillimisht gjithë të zezat e kësaj politike, që nga korrupsioni e vjedhja e votës tek hashashi e padrejtësia. Kur demokratët humbën pushtetin në vitin 2013, edhe vetë brenda partisë qarkulloi fuqishëm teza se deputetët, ministrat dhe funksionarët e korruptuar na sollën këtu. Për vite me rradhë herë haptas e herë nën zë qarkullon teoria e “të rinjve” dhe “të vjetërve” e metaforizuar në atë që mediat e pushtetit trumbetojnë si “Berisha nuk e le Bashën”. Pra, kthimi i besimit të qytetarëve tek politika, a është fshirja e të vjetërve na lista për zëvendësim të plotë me “të rinj”? A është kjo “hapja”?

Në fakt kjo duket se është, pasi paradigma klasike e besimit është prova, vepra dhe sakrifica. Ky është modeli i krishtërimit, ky është modeli i Islamit dhe çdo besimi tjetër. Për të kthyer besimin e qytetarëve tek politika, në rradhë të parë politika nis me përfaqësimin. Para ca ditësh sekretari i Përgjithshëm i PD – së, Arben Ristani u ankua se 4 protestues të partisë së tij u dënuan dhe mbahen në burg. Derisa protestën e thirri kjo forcë politike, përfaqësimin dhe mbrojtjen e pjesmarrësve në të e ka për detyrë AJO ta bëjë deri në fund. Minimumi i besimit ky.

Në tre vite e gjysmë vet qytetarët dhe media kanë denoncuar pafund padrejtësië të pushtetit të rilindjes. Që nga burgosjes për energji elektrike, ndërtimet pa leje, shpronësimet arbitrare, varfërimi masiv, dhunim të të drejtave të njeriut, uzurpim dhe alienim të pushteteve, përfshirje të pushtetit në masivizimin e hashashit në mbarë vendit. Qytetarët kanë denoncuar rastet e lidhjes së policisë me kultivuesit dhe transportuesit e drogës e , pas humbjes në Dibër këtë tezë e tundi fuqishëm Basha, si shkakun e dështimit aty. Për çudi, këto e të tjera kauza o nuk janë zënë në gojë nga opozita ose janë mjaftuar me konferenca për shtyp e deklarata. POR JO AKSION!

Pyetja më spontane që i vjen çdo qytetari, që potencialisht është objekt i besimit për t’u rikthyer , është:

– Kush garanton që këta nuk do të bëjnë si ata kur të vijnë në pushtet?

Sepse për fat të keq përvoja ua ka dhënë përgjigjen. Të gjithë kur janë në opozitë i dijnë hallet dhe i qajnë fort ato….derisa marrin pushtetin. Në rastin konkret as deri tek qarja e halleve nuk jemi tamam. Pyetja e dytë që vjen është:

– Pse duhet lënë i patrazuar një pushtet arbitrar, që përditë e më tepër konsolidon totalitarizmin, duke shkuar i qetë drejt një mandati të dytë katërvjeçar?

Sepse edhe sikur sot të nisin protesta e lëvizje të fuqishme brenda vendit dhe në BE e SHBA, nuk del koha. Pas 6 muajsh votohet. Nëse, kur Basha u ndërgjegjësua në Dibër për hashashin, do kishte hartuar dosje serioze me prova e fakte e i niste në Bruksel e Uashington, siç bënte  çdo javë Berisha në opozitë kundër qeverisë Nano, edhe po të mos vinte  në pushtet këtë qershor, i bënte një të mirë gjigande vendit, duke kthyer vëmendjen ndërkombëtare ndaj drogës këtu. Me prova ama, jo me facebook e retorikë konferencash shtypi!

Tjetër pyetje:

– Kur do të duket kjo hapja?

Sepse po vazhdojmë të shohim po atë grusht njerëzish në televizione, në aktivitete , në tribuna. Hapje do të thotë – besoj unë – të tjerë individë nga ata që kanë bllokuar ekranet nën siglën e opozitës, decentralizim të pushtetit – siç e tha vetë kryetari – duke u hapur udhë aktivistëve e njerëzve me ide e iniciativë në gjithë vendin. Kur e tha atë ditë kryetari, në që e kemi ende besimin e nuk na duhet ta fitojmë, besuam se platforma e hapjes është e bërë dhe pas përurimit në 11 dhjetor do të dukej dhe jo që atë ditë do të hidhej si ide.

Megjithatë , ne që nuk e humbasim kurrë besimin kemi shpresë se kryetari që e tha, një gjë e di. Mbase e ka një formulë të panjohur deri më sot të kthimit në pak ditë të besimit të njerëzve tek politika. E them “në pak ditë”, se shumë shpejt vijnë zgjedhjet. Dhe nëse në qershor 2017 ato i fiton sërish Edi Rama, atëhere ekziston mundësia që edhe ai besim që është gjendje sot , të jetë i vështirë për t’u ruajtur…..

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*