Për kë po bëjnë fushatë Veliaj dhe Tahiri…dhe Pandi? Nga Llesh P. GJETA

Lali me bebe në dorë? Sajmja me dy! Romë madje! Lali ndez pemën e Krishtlindjes në shesh? Sajmja i bën surprizë, në një show në tv një polici, duke i dhuruar një shtëpi! Lali inauguron ura? Sajmja numëron sukseset e policisë….

Sado i pavëmendshëm të jeshë kupton se kjo garë nuk ka të bëjë me fitoren e rilindjes në qershorin e sivjetshëm por ka të bëjë drejtpërdrejtë me karierën e të dyve. Prej shumë e shumë kohësh është thënë se Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri , që të dy, e mëtojnë fuqishëm postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Dhe që të dy e kanë betejë të jetës së tyre. Kush fiton, për rrjedhim edhe ofiqin e kryeministrit pas Ramës?

Veliaj duket se shpenzon shumë më tepër në marketing. Ky djalë fasadë ia ka dalë të blejë (jo doemosdoshmërisht me para) mediat dhe i përdor fuqishëm pikërisht për këtë qëllim; ndërtimin e një fasade gjigande, të shndritshme, të djalit të mirë, njërit nga ne, të qetë e të butë, ama punëtor e të vendosur, të sjellshëm e edukuar, ama luftarak e këmbëngulës, që është tejet i vëmendshëm për gjithçka e i kujdesshëm për këdo; që nga malësorët e Zall Bastarit tek fshesarët e natës, nga të moshurarit që i ushqen me dorën e vet tek foshnjat e porsalindur a gëzimi i vogëlushëve për Krishtlindje e Vit të Ri. Ky është çuni trendi, politikani perëndimor, amerikan, pragmatist, kopjativ i Obamës, Kenedit, Klintonit, Blerit, kujt të duash. Ata kanë qenë të suksesshëm e karizmatikë, kështuqë Lali beson fort se po i imitoi, edhe po s’qe si ata, më i mirë se vetvetja do të jetë….

Tahiri nga ana e tij është një Mehmet Sheh i rilindur në një shtat më të vogël. Tipike e këtij formati është egërsia dhe simetrikisht bujaria, mëshira, mirësia. Ky njeri që të plas pa mëshirë në burg, të sjell forcat speciale të veshur si spiderman e superman në dritaret e pediatrisë për të argëtuar pacientët e vegjël. Ky napolon i vogël prepotent që hyn në linjë direkt në çdo emision televiziv kur e mendon vetë, del e mbledh ndihma me kuti për fëmijët me probleme shëndetësore të policëve të tij. Ky është kandidati tjetër për pasardhës i Ramës, njeriu që të sheh keq , të flet ashpër e nuk ta bën të gjatë. Fiks modeli bolshevik i ministrave të brendshëm të Enverit, që ngjall shpresë e frymëzim tek një pjesë jo e vogël e socialistëve që kanë mbetur mbyllur brenda rilindjes së Ramës.

Pra nëse shihni punë të mëdha, arritje gjigande, takime emocionuese, e të tjera skeçe bajate si këto, me protogonistë Lalin dhe Sajmen, nuk është fushatë për zgjedhjet e qershorit. Është luftë brenda llojit. Beteja e përgjakshme për dominimin e tufës, kur ai që e prin sot të tërhiqet. Që të dy janë pak a shumë në një moshë. Që të dy e kanë shansin e vetëm të jetës. Aut Caesar aut nihil. (O Çezar o hiç). Kush humbet praktikisht duhet të largohet se dy gjela në një qymez nuk këndojnë dot….

…Po kush do këndojë?

Nëse era Soros, për shkaqe jashtë Shqipërie, po perëndon globalisht, ka shumë të ngjarë të fitojë Saimir Tahiri. Satrapi i Sorosit në Tiranë, Edi Rama dhe Sanço i tij, Erion Veliaj, janë të destinuar të zbythen, të paktën nga politika…..Vetëm se një gjë na e prish ekuacionin; Pandeli Majko!

Pandi ka dhënë prova që është i pari ndër minjtë që ndjejnë mbytjen e anijes. Pra ku shkon Majko është shpëtimi, ku është Pandi është fituesi. Së fundi është parë krah Lalit….

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*