Perëndon prej vërteti ylli i Rakipit në Ora News.

Një meteor më shumë se një yll do të mbetet historia e ish drejtuesit të “Të paekspozuarit” në RVT Ora News. Në gusht 2014 ai mori frenat e televizionit të njohur informativ, që në atë periudhë vazhdonte rritjen dhe dominimin në tregun mediatik shqiptar, për ta dorëzuar fiks dy vjet më pas, në shtator 2016, në një pozicion më të dobët se ç’e mori.

Ashtu si Mero Baze, në vitet ’90 Rakipi mbahej si njeriu i Berishës. E nisi tek gazetar Republika për të hapur më pas “Albanian”, trashëgiminë e të madhit Faik Konica, duke e mbajtur gjallë deri kur e konvertoi në leje ndërtimi e pallat. Që atëhere u zhduk nga tregu i mediave, për t’u parë rrallë e për mall në ndonjë studio debatesh televizive ku ftohej “sa për të ndërruar gjellë”.

Në verën e dy viteve më parë, si rrufe në qiell të kthjellët , “Bob Ndërtuesi” na u shfaq si drejtori i ri i RTV Ora News, post të cilin, që prej ikjes së Alfred Pezës në fund të vitit 2010 Ylli Ndroqi s’ia kishte besuar tjetërkujt veç vetes.

Puna e parë që bëri Ylli i ri qe “terapia e shokut”. Mbyllja e pothuaj gjithë programeve që ishin në ekran në atë periudhë në atë media. Reforma konkludoi me ….”Të paekspozuarit” – program i ri, i konceptuar dhe drejtuar nga i paekspozuari për vite me rradhë, Rakipi. Ç’do bënte me të? Namin! Do investigonte për të nxjerrë mbi ujë llumin e kësaj shoqërie. Në një spot pompoz, me intonacion të rëndë, lexuar nga Xhelil Aliu, mësohej se ata që na drejtojnë , që kanë në dorë jetët tona etj, do të ekspozoheshin nga Ylli.

Në dy vjet, shkëlqimi i vetëm meteorit i këtij ylli qe Shukriu. Natyrisht që video e regjistrimit të ish kryetarit të Bashkisë së Dibrës u mësua se nuk qe punë e stafit të “Të paekspozuarve”, por ashtu si video e famshme e Metës me Dritan Priftin, ishte një material i servirur. Sidoqoftë, aty nisi aty pushoi. Dy vjet punë.

Më në fund, iku, duke lënë pas një reformë të re, për të ribërë nga e para atë që shthuri kur ia hyri valles së drejtimit të një pune që as e kishte bërë ndonjëherë e që as mësohet dot në moshën 60 vjeç.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*