Plehrat i solli Lali në derë të kopshtit. Tani prindërit kërkojnë një fik

Ka menduar të nisë nga fëmijët ndërgjegjësimin për mbetjet Lal’Eri. Jo se paguajnë marketet përrreth, jo se kanë ndonjë mik të fortë banorët e pallateve, por thjesht dhe vetëm që vogëlushët e kopshtit Peter Pan, tek ish fusha e zezë tek “21 dhjetori” të familjarizohen me mbetjet.

Siç edhe shihet me sy të lirë, mu në mes të ditës, fiks në orën 12, kamioni mbërrin dhe zë derën. Punëtorët zbresin dhe marrin kazanët, ndërsa fëmijët 3 -5 vjeç, shohin me sytë e tyre se ç’është biznesi i mbetjeve dhe ndjejnë me hundët e tyre se ç’është proçesi i fermentimit.

Pyetëm prindërit, të cilët na thanë se janë shumë të lumtur që kërkesa e tyre për të hequr kazanët nga lagjja e për t’ua sjellë në derë të kopshtit, u plotësuar nga Bashkia e Tiranës. Që kur vijnë në mëngjes në kopsht vogëlushët njihen me gjallesat shtëpiake si qen, mace, minj, miza, grerëza. Po ashtu edukohen përmes shembullit, pasi prindërit, duke u treguar endacakët që ushqehen a mbledhin kanaçe, u thonë se “kështu do të përfundoni nëse nuk mësoni e bëheni fëmijë të mirë”.

Prindërit gjithashtu na konfirmuan se i janë lutur Bashkisë së Tiranës që në oborr të japë lejen për të mbjellë edhe një fik, i cili do të shërbejë edhe më tej për edukimin e karrierës së brezit të ri, nën shembullin e kryetarit.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*