Po! Këta të dy e të tjerë, sillen si guvernatorë në Shqipëri. Ja nja dy fakte të vogla. Koçi Fosi

Pse çuditet opinioni kaq shumë nga e vërteta se ambasadorët janë kthyer në guvernatorë në Shqipëri? Që pa rënë komunizmi shqiptarët ishin si Rozafa; një sy, një vesh e mbanin jashtë. Domethënë shihnin e dëgjonin Zërin e Amerikës, Telegiornalen e Rai-t, Jugosllavin, Grekun e këtë të dilte. Deri vonë pasi u hap Shqipëria, edhe m*** kur vinte nga jashtë, e hanin me qejf, “se është i jashtëm”. Për të mos folur pastaj për politikën! Japin bythën politikanët shqiptarë vetëm për një foto me një personalitet të lartë amerikan. Më pak japin për ndonjë të BE, por aty aty janë në pazar, me qëllim që t’i thonë ende elektoratit inferior; “Shih kush më mbështet mua”?!

Jo më larg se sot në Kuvend ke Ramën që “ia plasi” PD – së “komplotin” se po sulmon ambasadorin e SHBA! Medemek ka sharë perëndinë! Nuk ka nevojë të rrëmojmë thellë në historinë e këtij vendi për të gjetur gjurmë të sjelljes sonë të zellshme prej vendi kolonial dhe të rroça – poçave të huaj si guvernatorë. Mjafton reforma në drejtësi, kur si një ambasador si LU dhe një që përfaqëson BE – në në një vend si Shqipëria, vendosnin afate, caktonin data , jepnin ultimatume, thërrisnin deputetë për t’u bërë deri shantazh.

Ka muaj të tërë që ish kryeministri i vendit , deputeti Sali Berisha, denoncon me foto e video parcela hashashi të shpërndara në gjithë vendin. Ka muaj e muaj që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputetë të partisë së tij kanë denoncuar shtrirjen e frikshme të mbjelljes së hashashit nga jugu në veri. Para një muaji Basha denoncoi mafian e drogës si pushteti që vendosi fatin e zgjedhjeve në bashkinë e Dibrës. Parmbrëmë Berisha tha se mot nuk ka zgjedhje por farsë zgjedhore, për të njejtat motive. Vetëm guvernatorët Lu e Vlahutin nuk shohin e nuk dëgjojnë e nuk shprehin pikën e ndjeshmërisë për kthimin e vendit tonë në një kopsht të pasëm të kontinentit të vjetër të gjelbëruar me drogë.

A nuk ishte “guvernatori” LU që futi me ustallëk të madh hundët në një protestë të Shoqërisë Civile duke keqorientuar opinionin se “është protestë e opozitës” dhe paralajmëroi shtetasit e tij se mund të kish probleme në trafik! Pikërisht për sa thamë më lart, për shenjtërinë që kanë tek ne të huajt, plot njerëz që ishin gati të dilnin, u kthyen në shtëpi pasi panë në mediat e Ramës se “Ambasada Amerikane paralajmëron qytetarët e saj për protestën kundër plehrave”.

Nuk po ngjitemi më lart në histori e më thellë në kohë, duke besuar se kaq është mjaftueshëm për të thënë se sjellja e disave prej ambasadorëve të huaj në Shqipëri, është prej guvernatori. A e bëjnë këtë për interesa të shtetit nga vijnë apo “shqiptarizohen” e u lezeton fliri me pushtetin, kjo pastaj do prova të tjera. Por ajo që ne nuk duhet të harrojmë është fakti se:

ATA PËRFAQËSOJNË VENDIN E TYRE DHE INTERESAT E SHTETIT NGA VIJNË. PËRFSHI EDHE TË TYRET PERSONALE. Nëse gjejnë tokë të butë e “lepe – peqe” servile, të shitura për një udhëtim, apo më keq, për një përkëdhelje, fjalë të ëmbë a foto, siç ka ndodhur deri më sot, edhe nëse s’duan ata vetë të jenë, i vendosin këto rrethana në atë pozicion.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*