Po pas epokës së akullnajava, ç’do bëhet me propagandën e Lalit? Nga Llesh P. GJETA

Mbyllja  e shkollave, çerdheve e kopshteve derisa të kalojë i ftohti është një punë shumë e mirë e pushtetit. Gënjeu – natyrisht – sikur gjoja po i mbyll prej gripit. Në qytetet e mëdha e ke të pamundur ta ndalosh epideminë duke u mbyllur në shtëpi. Virusi qarkullon në kafene, dyqan të bukës, qendër tregëtare e kudo. Por, në qe gënjeshtër, truk, naivitet, sinqeritet, kjo ka pak rëndësi. Që shteti nuk është gati për një mot të tillë dhe në ditë të tilla gjen një zgjidhje të tillë, kjo është perfekte. Pragmatizëm efikas.

Pyetja është kur të shkrijnë akujt, ç’do të bëhet me këta që mblodhën me kaq dashuri nëpër qendra, nëpër kopshtet e fëmijëve që u bënë gati të kthehen në fjetore e menca për nevojtarët dhe endacakët. A vetëm ngrica qe problem për këta njerëz? Edhe kur të shkrijnë kongjinjtë, edhe kur të përcëllojë Dielli në verë, po ata do të jenë: pa bukë e pa strehë. Por atëhere nuk rrezikojnë të bëhen lajm edhe po të vdesin.

Minimumi i seriozitetit i këtyre mediave që kemi sot , është të pasqyrojë zbrazjen e qendrave të strehimit, në të cilat ushimin e ngrohtësinë e ofronte buzagaz vetë kryetari i Bashkisë. Ishin të gjitëh kur Lali ndante salçiçe dhe vezë e lëng kutie portokalli për ata që flenë përnatë pranë kazanëve e hanë mbeturinat që gjejnë aty. Këta janë të parët që ndajnë mbetjet në burim. Ia hyjnë kazanit nga fundi në krye, ndajnë kanaçet veç, plastmasin veç, për t’i shitur. Pastaj ia nisin me ndonjë copë pice të lënë përgjysmë, për të mbushur barkun, ndonjë mollë të ngrënë përciptas, ndonjë kuti lëngu të hedhur se i ka kaluar data e skadencës, ndonjë xhaketë të flakur se është shqyer, këpucë se janë vjetëruar….Do t’i kthehen punës dhe qiellit të hapur ata, sa të mbarojë propagandën Lali. Do flenë nën shi, në të ftohtë, në pluhur, rrezik. Aty mundon Lali e për rrjedhim edhe mediat e tij.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*