Propaganda e Lali Erit me garuzhden e supës në 8 mars. Nga Armir SHKURTI

Me një përparëse që më shumë duket prej kasapi a marangozi sesa amvise, kryetari i Bashkisë së Tiranës u shfaq dje duke u ndarë çorbë, pilaf e nga një copë mish grave të varfra në … Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Grave!

Ka dy rrugë: Ose ai/ajo që merret me marrëdhëniet me publikun të kryetarit të Bashkisë së Tiranës nuk ia ka haberin, ose prepotenca këtij pushteti ia ka errësuar logjikën dhe dhjamosur fantazinë. Si mundet dita simbolike e forcës, dinjitetit, protestës së gruas të trajtohet si dita e mëshirës së pushtetit ndaj “këtyre të mjerave”? Mesazhi i këtij burrit me përparëse që ndaj supë është: “S’ka gjë, se i vjen Lalit gjynaf për ju dhe një çapë bukë për festë, Lali jua jep!”

Mesazhi që marrin gratë e tjera që diku hanë dru nga burri, por këtë e quajnë normale, diku s’kanë punë, diku s’gjejnë të drejtën etj etj është:

– E me mirë. Të paktën lakrat e patatet për supën në shtëpi na i sjel burri. Edhe nji 5 mijëleksh për me festu me shoqet na e jep. Nuk jena si kto të shkretat që ia mbush barkun Erioni për festë.

Nuk po jap formula se si mundet që me të njejtat gra të varfëra të bëhej me shumë më tepër klas ai show, sepse gjithësesi, lëtyrë do të mbetej përdorimi i mjerimit për propagandë politike. Këtë formulë, sidomos ky individ, po e përdor dendur nëpër festa a raste të ndryshme.

Nëse ky kryetar dhe gjithë meshkujt e tjerët si ai, që përdorën një ditë ndërkombëtare të grave për të treguar se sa burra të mirë janë, e kanë me sadopak seriozitet çështjen e gruas, të paktën promovojnë panele me gra të suksesshme. Nëse marrin pjesë, qoftë edhe me fjalimin vjellandjellës të zakonshëm, në një sallë me gra që kanë bërë karierë në politikë, biznes, drejtësi, jetë shoqërore, kulturë e art, ajo gruaja që ha dru rregullisht e ngushëllohet kur i jep burri 5 mijëlekshin për të pirë kafe me shoqet për festë, e mendon ndryshe jetën dhe i kupton ndryshe të drejtat e saj, bashkë me 8 marsin.

 

E fundit, por jo më e parëndësishmja. Duke e parë Veliajn të vetmin burrë mes këtyre grave që festojnë 8 marsin, mu kujtua se dikur një njeri të mirë, të ndjerin Qako Dango, e kishin emëruar Kryetar të Bashkimit të Grave të Shqipërisë.

Të paktën të kish çuar një nga ato gratë e Bashkisë e t’ua bënte festën, më shumë dinjitet do të kish patur edhe festa , edhe gratë, edhe vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. Turp, faqja e zeze, themi ne nga anet tona.. !! Ky njeri qe u be pasanik me pensionin e nenes, vetem mashtrime te perditeshme, qe te perziejne stomakun ben… Po me cudisin keto gra qe i rrijne nga mbrapa! Ne vend qe te mbahen mend per ate cfare jane, perzihen me pislleqet e ketij mashtruesi pa skrupull…
    Me del perpara fytyra e gruas, qyqares, mbushur me dhimbje e lote, se nuk ja varrosnin femijen 1 muajshe, te vdekur prej 5 ditesh, sepse nuk kishte leke per varrimin…Mjerim!!

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*