Protesta, Rama, ofertat dhe koha që po rrjedh pa mëshirë. Nga Armir SHKURTI

Pas gati 3 javësh tenda tek Kryeministria duket se po i jep kokrrat. Shumë u përpoqën ta përqëndrojnë të gjithë protestën vetëm tek ai send, që në të vërtetë më shumë është një simbol sesa protesta vetë.

Ajo që i ka vënë punët në lëvizje është në rradhë të parë dalja e opozitës prej kuvendit.Në një kohë e rëndësi me të edhe këmbëngulja dhe vendosmëria për ta çuar deri në fund kërkesën për qeveri teknike pa Edi Ramën kryeministër. Zarat e propagandës së pushtetit në krye të herës e nisën me qesëndi këtë punën e tendës. Ca u englendisën me termin “çadër”, ca u hargalisën me “bathorasit”, ca me picat, të tjerë me durimin që do të sosej…

POR NË FAKT DURIMI PO I SOSET PUSHTETIT.

Koha që rrjedh e vërdallis edhe mokrën e mullirit. Po afron data për zgjedhjen e presidentit të republikës. Pa ky president pastaj do të çerfitikojë zgjedhjet, pa po vijnë edhe zgjedhjet….

I mësuar t’i fitojë pazaret dhe me përvojën e një opozite të qetë e pa aksion, Edi Rama po vazhdon ta mbajë të tendosur nga vetja litarin, të lëshojë thërrime që nuk i prishin punë por jo atë që kërkon PD. Mirëpo këtë herë sharra ka hasur në gozhdë. Dje Agron Duka e çrregjistroi partinë e tij nga KQZ dhe kështu do të bëjë gjithë koalicioni që drejtohet nga demokratët. Dhe kushti për të shkuar në zgjedhje me qeveri teknike nuk diskutohet.

…AMA KOHA RRJEDH E NUK TË FAL..

Për ta bërë lojën më interesante po duket se Edi Rama po ofron dorëheqjen e tij, një qeveri JO QEVERI TEKNIKE, por një qeveri kalimtare. Tingëllon bukur! Pse jo? Rama jep dorëheqjen, jep disa ministri të rëndësishme për opozitën…. Ç’do më shumë Basha? Mmm…por e ka një kleçkë kjo punë. SEPSE EDI RAMËN MUND TA ZGJEDHIN SËRISH SOCIALISTËT KRYMINISTËR 😉 Kuptohet që me atë kryeministër , siç thotë populli: “Ku ishim? Hiçgjëkundi”! Kushdo të bëhet ministër i brendshëm, kushdo të jetë ministër i drejtësisë a i financave, kryeministri mbetet ai dhe në zgjedhje plaka shkon si nuse, me ca pudër e të kuq buzësh të freskët…

Duke patur ngutjen e presidentit, nuk është aspak çudi që ky kryeministër të tentojë t’i gënjejë demokratët me presidentin. Pra të mbajë qeverinë në këmbim të një presidenti të ri të zgjedhur nga opozita. Nuk do të qe keq ndoshta, nëse në këto 4 vite të mos kishim përvojën e sjelljes së Edi Ramës me “Jarin”. Nëse zoti Nishani rizgjidhet apo zgjidhet kushdo nga opozita, por kryeministri e qeverisa e trajtojnë me të njejtin përçmim siç bënë me presidentin aktual, atëhere ky nuk është hakkandar por e futme shqeto.

Po sikur Rama të çojë në djall të gjitha e të zgjedhë të bëhet ai president? Sa bukur duket! Demokratët bëjnë qeverinë teknike, president është Edi Rama, me shumicën në parlament dhe gjithë administratën e komanduar prej tij. Me hijen e përforcuar të pushtetit nis skemën “Putin”, me një kryeministër të caktuar prej tij dhe pushtetin e hapur e okult për një periudhë të gjatë.

Pra nëse nuk i qëndron këmbënguljes për qeveri teknike ose bojkot të zgjedhjeve, opozita e ha nga të gjitha llojet e ofertave të Edi Ramës, i cili, e theksoj, është shumë i aftë t’i ndërtojë në favor të vet.

PO SIKUR RAMA TË ZGJEDHË OPSIONIN E PËRPLASJES?

Kush e ndoqi dje nga tenda ish kryeministrin dhe ish kryetarin e PD – së Berisha, e kuptoi mirë mesazhin për këtë opsion. Qëdresa dhe reagimi janë “si qëmoti”. PD dhe opozita e kanë çështje ekzistence këtë protestë, qëndresën dhe zgjedhjet. Në të kundërt si partia ashtu edhe një pjesë e elitës së saj shuhen përgjithmonë nga skena politike. Krahas kësaj arsyeje praktike qëndron fort edhe ajo parimore. Për çfarë po lufton opozita në fund të fundit? Që zgjedhjet të bëhen të lira e të ndershme, jo si ato që u morën me hashash e presion në Dibër dhe ato që u fituan me dërgatat e pushtetit dhe kërcënimet për bukë e vend pune në Kolonjë.

Kjo e bën opsionin e forcës tejet të rrezikshëm, pasi as njerëzit jashtë opozitës nuk do ta pranonin zgjidhjen e një totalitarizmi të këtij lloji. Thuhet shpesh që populli është dele, që shqiptarët janë kështu e ashtu, por në kohën dhe vendin e duhur ky popull ka dëshmuar që nuk pyet shumë.

Nejse. Mulliri vazhdon të bluajë dhe gruri po shterron. Erdhi vakti i presidentit…Për dy muaj duhet të fillojë edhe fushata….

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. Ceshte kjo fare e zeze qe na ka mbi ne kte vend ,cjane kto genjeshtare hajdute qe bejne show cdo dite ne televizor o popull mjeran kerkoni te drejtat tuaja po jua vjedhin cjane kto pushtetare qe kane vesh kostumin e gabuar

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*