Prova teknike? Nga Dritan SHANO

Në një intervistë tek Ora News të korrikut 2017 pyetjes pse ministrat teknike të PD-së vazhdojnë rrinë në qeveri i jam përgjigjur me një lloj indiferentizmi, se, edhe pse vetë do kisha ikur një orë e më parë, tashmë qëndrimin e ministrave teknike në qeveri nuk e shoh më si një gjest politik por thjesht një inerci. Por inercia nuk mund të vazhdojë në pafundësi, me muaj. Atributin e inercisë perpetuale e ka vetëm Zoti.

Për të gjitha llojet e inercive të tjera ekzistojnë forcat e fërkimit që ndërpresin inercitë. Forca të fërkimit në politikë janë morali, indentiteti politik, përgjegjshmëria etj. Vijimi i kësaj lloj inercie “teknike” duket sikur i ka eliminuar këto forca fërkimi, dhe ajo vetë po shndërrohet në një gjest tjetër politik, të cilin nuk po dimë më si ta lexojmë.

Hyrja e ministrave teknik të Partisë Demokratike në qeveri ishte një gjest politik. Një triumf politik mbi Edi Ramen. Që synonte të garantonte paprekshmerinë e votës së shqiptarëve. Ky ishte gjesti politik që na futi ne si PD në zgjedhje. Ky gjest politik shkaktoi mbylljen e një gjesti tjetër politik tonin – mbylljen e çadrës së lirisë, e cila qëndroi për 3 muaj në mes të bulevardit si protestë ndaj mungesës së garancive për zgjedhje të lira e të ndershme, dhe gjithshkaje ka bërë deri më sot qeveria e Edi Ramës për shqiptarët.

Arsyeja e qëndrimit të këtyre ministrave teknike në qeverinë e Kryeministrit Edi Rama de fakto mbaroi në datë 25 qershor 2017, kur u mbyllën kutitë e votimit. Kishin bërë, ç’kishin bërë, ministrat teknike nuk kishin më arsye të rrinin më gjate në postet teknike. Ne, nuk i kishim çuar ministrat të qeverisnin, të çonin përpara reformat apo tenderat e PS-së. Por të ruanin voten. Vota u hodh në kuti. Partia e numëroi votën, dhe pranoi rezultatin. Por këta ministra vazhdojnë të qëndrojnë në qeveri. Pa lëvizur… Pse? Mos kemi filluar të qeverisim bashkë me PS-ne, por nuk e kemi marrë vesh akoma?

Gjatë Korrikut u tha se këta ministra do rrinin në post derisa të mbaronin Raportin për Zgjedhjet. Nuk e kuptoj pse duhet të vazhdosh të rrish ministër, për të shkruar një raport të detajuar për zgjedhjet, a thua se në PD nuk ka zyra. Në fakt, unë mendoj se sot për sot, dokumentimi i parregullsive në zgjedhje, nuk është detyrë e administratës por e forcave politike. Sa për çfarë ka ndodhur kuti më kuti, më mirë se e di struktura e partisë, nuk kanë për ta ditur kurrë ministrat teknike.

Zgjedhjet kanë dy muaj që kanë mbaruar dhe ministrat tanë teknikë ende nuk e kanë mbaruar së shkruari raportin për zgjedhjet. Ose janë krejtësisht të paaftë dhe nuk dinë të shkruajnë, ose nuk kanë se çfarë të shkruajnë. Ose jemi përballë një raporti stil Penelope. Personalisht, nuk besoj se ata do shkruajnë ndonjë raport më të mirë se ai i OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, edhe sikur të rrinë ministra teknike për një vit tjetër kalendarik.

Ka të tjerë dashamirës që thonë se ministrat teknike nuk ikin dot, se nuk kanë kujt t’ja dorëzojnë detyrën, se duhet garantuar funksionimi i administratës. Zotërinj, ky nuk është problem i PD-së, por i atij që ka qeverinë. Dua të sqaroj se Ministri në një qeveri është personi që garanton zbatimin e vizionit të forcës politike që ai përfaqëson, apo koalicionit ku bën pjesë. Prapë, a jemi në ne qeveri? A jemi në koalicion? Në dijeninë time zyrtare, jo! Pra, kur ministri nuk është duke bërë sa më lart, mbarëvajtja dhe funksionimi i ministrisë garantohet fare kollaj nga zëvendësministrat dhe sekretari i përgjithshëm i çdo ministrie. Si bëhet kjo?

Në rastin konkret, të gjitha shkresat që lidhen me përditshmërinë e funksionimit të ministrisë përkatëse mund t’i firmosi zevendësministri socialist. Për këtë, mjafton një shkresë e cila depozitohet në Protokollin e ministrisë, ku titullari delegon kompetencat e veta tek zëvendësministri. Ky i fundit, këtë kompetence e ushtron duke firmosur: Në mungesë me porosi. Kaq. Ministrat tanë mund të ikin të qetë admistrativisht. Në rast se ka ndonjë interpretim kushtetues që ua ndalon këtë gjë, le të hiqen si të sëmure. Dhe qeverisja e socialisteve le të vazhdojë pa teknikët tanë, “në mungesë me porosi.

Mendoj se çdo orë e qëndrimit të ministrave teknike në qeverinë social-lsiste është një gjest që zhvlerëson çadrën e lirisë, stërmundimin tremujor të qindra-mijëra demokratëve për të krijuar frymën dhe shembullin se PD është shpresa. Mendoj se qëndrimi, i pajustifikuar nga ajo ç’dimë dhe ç’njohim, i ministrave teknikë në qeveri është një mesazh çoroditës që PD jep në raport me zgjedhjet, në raport me PS, me Edi Ramën dhe me të ardhmen. Aq sa ndokujt, në këtë vapë afrikane, i duket sikur LSI është opozita.

Çdokush ka të drejtë të pyesë, në mos të tjerët, veten e tij. Ai ishte gjesti politik i PD-së, hyrja e këtyre ministrave për të mos lejuar vjedhjen e votave, apo gjesti i vërtetë politik është qëndrimi i tyre i tejzgjatur në qeveri? A është kjo prova teknike e bashkëqeverisjes? Sepse gjesti politik mbetet i tille. Ai nuk mund të arsyetohet tani si çështje burokracie, si lexim administrativ apo kushtetues. Jo çdo gjë mund të përthyhet dhe rrumbullakoset sipas nevojës. Gjesti politik nuk mund të shihet më si një inerci e çastit, për aq kohë sa vazhdon me këmbëngulje dy mujore, dhe krejt i shurdhët e ndoshta shumë i bezdisur nga nevoja e thjeshtë, por ulëritëse që çdo anëtar i PD-së ka për qartësi.

Prandaj, ministrat teknike, që i çuam të na ruanin votën, duhet ndoshta të bëjnë një sakrificë, qoftë edhe personale. Ata duhet të ikin. Edhe pa leje. Sepse PD ka nevojë të tregojë se jo vetëm nuk ështe e çoroditur, nuk po tenton eksperimente, por se është akoma e zonja për një gjest politik që shpreh vendosmëri, identitet, moral dhe vizion të qartë politik. Atë të opozitës që fillon të ringrihet. Dhe kjo nuk vjen kurrsesi nga vazhdimi i llokoçitjes së njerëzve tanë në atë qeveri, të cilën donim, por për shumë arsye, dështuam ta rrëzonim.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*