Pse po tall menderen Rama me fushatën e Bashës. Nga Armir SHKURTI

Krahasoji këto dy takime elektorale. A nuk duket se është e njejta gjë?

 

 

 

Ky sipër është “town hall” i Lulzim Bashës. Ky përbri, i Edi Ramës.  Janë si dy pika uji. Pak auditor, i ulur me rregull, në bazë të një skenografie o rrethore o katërkëndëshe, si të jevë vendi dhe lideri që flet në mes.

Në dukje ky njehsim i simbolikës, i skenografisë dhe i retorikës s’ka asgjë të keqe. Përkundrazi. Po shitet gjithandej si modernizim i madh i fushatave, i politikës në përgjithësi. Dhe mundet edhe të jetë i tillë për Ramën. Por jo për Bashën. Për ata që kanë qejf statistikat, në 2015, në zgjedhjet lokale, PD aplikoi simetrikisht me rilindjen town hall -n dhe rezultati dihet.

E dëmshme dhe e pakuptimtë është për mendimin tim modest edhe tani. Madje tani – edhe më shkatërruese. “Të brendëshmit”, “që dinë gjëra” në PD, të thonë se kjo është pjesë e marrëveshjes Rama – Basha. Nëse kjo ka edhe një grimë të vërtete, atëhere gjendja është edhe më e rëndë se ç’mund të na e marrë mendja, sepse:

Së pari: Pozicionet e palëve nuk janë simetrike.

Edi Rama është në pushtet dhe ka nevojë të shpalosë qetësi, arsyetim, shpjegim shifrash të 4 viteve që shkuan dhe 4 që vijnë…

Lulzim Basha vjen nga një revoltë popullore , mosbindje civile dhe ekstremizim të betejës politike. Për 3 muaj çadra ishte town hall-i ku u rrahën idetë dhe u stërshjeguan gjërat. Sot, për të përbysur Edi Ramën kërkohet në rradhë të parë entuziazëm dhe masivitet, për të motivuar këdo që ende ka frikë nga hija e pushtetit, apo që është goditur gjatë 4 viteve nga padrejtësitë e Ramës apo fakti që s’ka qenë i rilindjes.

Së dyti: Kur një luan kopjon një luan, s’është luan por majmun.

(Proverb zimbabwian)

Para zgjedjeve 2013 Edi Rama ndryshoi ngjyrën e socialistëve, tejtërsoi simbolet, flamurin dhe logot e partisë dhe prodhoi konceptin “rilindje” që zëvendësoi “partinë socialiste”. Katër vjet më vonë, Lulzim Basha hyri në fushatë me “republikën e re” në vend të PD -së, pa ngjyrat bardhë e blu të demokratëve,  pa flamuj e pa logo, duke krijuar reagim në rradhë të parë brenda rradhëve të demokratëve, që përditë e më tepër po shpalosin të paktën flamujt që ruajnë nëpër shtëpi. As konteksti 2013 -2017 nuk është  i njejtë dhe as Basha nuk është Rama as në personalitet e as në kontekst. Basha ende nuk është më i fortë se partia që anëtarësia ta gëlltisë tjetërsimin e identitetit, siç ndodhi në rastin e Ramës me rilindjen

Së treti: “Alzeimeri” është rrënues për opozitën dhe opozitarizmin.

Shqiptarët erdhën nga Jugu e Veriu, në borë e shi, diell e erë, për 3 muaj rresht kundër “Edi Drogaxhiut”, “Edi – kreu i Mafias”, “kanabizimit të Shqipërisë” etj. Sot “Alzeimeri” i fshiu papritur nga memorja këto dhe i njejti lider që na lutej ta merrnim zvarrë nëse hynte në zgjedhje me Ramën kryeministër, sot na premton mbrothtësi ekonomike me republikën e re që do të themekojë pas 15 ditësh. Katër vitet që ikën me burg, me papunësi, me inkriminim të shtetit pëmes përfshirjes së shumë strukturave në masivizimin e kanabisit nuk i përmend lideri i opozitës në fushatë.

Po mirë, për diferencat në pikpamjet rreth taksave duhet të rrëzojmë Ramën ne e të votojmë Bashën? Nëse Basha nuk ia bën analizën e dëmit ekononik, shqëror, natyror, politik etj 4 viteve të rilindjes, nga ta kuptojmë ne se 15% -shi TVSH është më i mirë se 20% -shi i sotëm, për të mos ia hyrë shifrave të tjera të town holleve binjake?

“Të brendshmit” pëshpërisin se edhe kjo është pjesë e marrëveshjes. Por kjo qetësi po tregon edhe praktikisht se po shkon e gjitha në favor të Ramës.

Së fundi: Kjo është qartas fushatë personale e Lulzim Bashës për të çimentuar pushtetin personal.

“UNË”, “IMI”, “LULZIM BASHA” dëgjohen dendur nëpër fjalime e intervista. “Ne” – ja dhe “Partia Demokratike” o mungojnë nëpër ligjërata ose përmenden pak. Republikën e re Basha e ka paraqitur si projekt PERSONAL. Unë do të bëj, unë do të vendos, unë do të ndryshoj. Lista ime, premtimi im etj, nuk lenë më vend për interpretim. Si ligji për partitë politike ashtu edhe statuti i partisë së tij e lejojnë të jetë pronar i PD – së. Këtë ka kohë që po ua thotë shqiptarëve dhe demokratëve, por si tek fabula e gomarit që e hante ujku, të gjithë themi: “ZOT BËJE ËNDËRR”!

Si kjo situatë ashtu edhe surrealizmi me të cilin u arrit marrëveshja e fshehtë me Ramën, mbyllja e çadrës, futja në zgjedhje, shtyrja e datës së zgjedhjeve, përjashtimi i koalicioneve, mjegulla e listave për deputetë e gjithçka tjetër nuk kalojnë pa u vënë re.

Së pari ndjehet në anëtarësi. Edhe pse militantët pompojnë entuziazëm, shpresë të madhe për “kryeministrin e ardhshëm Basha”, për republikën e re e më the e të thashë, kjo frymë nuk shkon më larg se kaq.

Më tej, ndjehet nga shqiptarët e paangazhuar, të cilët pjesërisht bëjnë gallatë e pjesërisht dridhen nga estrada bajate që iu servir si revolucion i madh e që përfundoi në town halle ku shpjegohen shifrat e detyrimeve fiskale. Akrobacitë me ligjin dhe me çdo cipë e moral të deridjeshëm kanë krijuar përshtypjen se tashmë këta kanë në dorë të të bëjnë gjëmën e të mos u hyjë gjemb në këmbë.

Për të mos e tjerrë më gjatë, me këtë fushatë simetrike të “rivalit” Basha, Edi Ramës i është dhënë mundësia sot të shpalosë pasionin e tij të pakonsumuar për skenën dhe ekranin. “Luli” – siç e thërret ai, i ka dhënë pambarimisht material për gallatë, të cilin e përdor pa doganë në “one man show” të përditshëm, pa qenë i detyruar të çajë kokën me justifikime e interpretime për 4 vitet që la pas në qeverisje.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*