Qytetarët e pakuptuar ! Nga prof. Artan FUGA

Me votimet në Dibër, kur pritshmëritë për arsye të ndryshme ishin për një garë të fortë, dhe fakti tregoi një diferencë edhe më të madhe sesa më parë midis të majtës që mban bashkinë dhe së djathtës që nuk e fitoi dot atë, nisën edhe analizat për të kuptuar këtë sjellje elektorale.

Midis fituesve ka versione të ndryshme. Por, i bashkon ideja se populli i kënaqur i Dibrës votoi në masë për kandidatin e majtë Disa analistë e quajnë rezultatin e votimit paradoksal. Kurse në të djathtë e shpjegojnë me blerjen e votës nga pasunarët socialistë që derdhin në xhepat e votuesve një thërrime nga fitimet e tyre.

Asnjeri nga shpjegimet nuk ta mbush mendjen. Nëse dibranët dhe veriorët do të ishin qytetarë të kënaqur përse e braktisin me dhjetra e qindra vendin e tyre, qoftë duke ikur jashtë, qoftë nëpërmjet emigrimit të brendshëm? Kur sjellja elektorale e votuesve quhet paradoksale, a e kanë kuptimin e pohimit të bërë? Paradoksal, lidhur me kë? Me pritshmëritë e analistëve! Po sikur, pritshmëritë të jenë paradoksale dhe jo sjellja e elektoratit? Si nuk shikojnë njëherë përballë konceptet e tyre! Kur realiteti nuk përputhet me mendimet tona, natyrshëm faji nuk është i realitetit.

Edhe teza se elektorati u ble, nuk shpjegon asgjë. U ble? Por, përse u ble? Përse pranon ta shesi votën për pesë lekë në vend ta përdori atë për një jetë më të mirë? Kuptohet që dhe kjo hipotezë nuk çon asgjëkundi, madje e mbyll siparin edhe për më tutje. Populli blihet, pra kot shpresoni në zgjedhje demokratike!

Ka kohë që politika nuk po e kupton elektoratin, qytetarin, popullin.

Maturantët protestojnë sepse është goditur brinjë më brinjë e drejta e tyre për të zgjedhur karrierën e tyre të studimeve, ndërkaq lloj lloj zyrtarësh, politikanësh, pyesin : Por, çfarë kanë xhanëm? Nuk i kuptojmë!

Shqipëria ka një ekonomi të hashashme (jo të hatashme), dhe të gjithë pyesin, por si shndërrohet bujku shqiptar në një mbjellës të hashashëm?

Si votuan dibranët per Ramën, doktorin, ndërkohë që kryetari i bashkisë i majtë më parë i turpëroi keq, kur në Dibër, sikurse thotë edhe i riu, nuk qenka bërë asgjë?

Si votuan përpara disa vitesh në masë për LSI-në kur kjo nuk pritej?

Cfarë kanë shqiptarët qe nuk pranojnë punë si kasap në Korçë dhe plehrambledhës në Tiranë? Janë dembelë.

Gjithmonë përgjigje krejt kot, fyese, lënë përgjysëm, pa asnjë logjikë, pa argument.

Përse ikin xhanëm në emigrim kur Shqipëria po ecën më mirë ekonomikisht?

Politika ka nisur të mos kuptojë qytetarët dhe habitet, ose bën sikur habitet me sjelljen e tyre.

Temë e gjerë. Por, tre arësye janë kryesore :

Retorika gjoja demokratike e politikës, mbi liritë, shtetin e së drejtës, reformat, republikën, etj., janë ligjërime simbolike që kanë kuptim brenda saj, ngjizin pritshmëritë dhe lojrat brenda saj. Kurse populli as ua var më fare këtyre sloganeve. A ke ndonjë gjë me çu në shpi, o burrë? Logjikë tjetër, sistem tjetër shenjash, sjellje tjetër që nuk përputhen me njera tjetrën.

Politikanët gënjejnë qytetarët, por edhe qytetarët gënjejnë politikanët. Do e hedhsh votën për mua? Posi, jo zotni, ti je ma i miri, ma i bukri, ma i zoti! Shënoje emrin tim ke lista jote dhe ik fli rehat! Kështu i thonë edhe njerit dhe tjetrit politikan dhe gurët në trastë. Varu torbat! – mendojnë.

Janë shumë egocentrikë politikanët. Mendojnë se ata janë në qendër të botës. U duket se mendimet e tyre, ligjërimet e tyre, premtimet e tyre, vlerësimet e tyre, gjykimet e tyre, janë të vërtetat normative që qendrojnë të vërteta absolute. Kush nuk ka të njejtin mendim me ta është i paarsyeshëm, i gënjyer, i blerë, ende i papjekur, e ka gabim, paradoksal Harrojnë se qytetari është qenie tjetër dhe kurrë nuk mund të kuptohet në identitetin e tij personal. Mund të shpjegohet, por jo të kuptohet. Aq më pak prejt tyre.

Derisa politikanët të kuptojnë këto, deri atëhere elektorati do të shihet si i gënjyer, të papunët si parazitë, kritikët e qeverisjes si ambiciozë xhelozë për sukseset e saj, votuesit si të blerë.

Kuptuam gjithçka!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. Analize brilante.
    Ne fakt nganjehere nuk me duket se eshte demokracia ne formim por shteti!? Po citoj Fugen:
    Janë shumë egocentrikë politikanët. Mendojnë se ata janë në qendër të botës. U duket se mendimet e tyre, ligjërimet e tyre, premtimet e tyre, vlerësimet e tyre, gjykimet e tyre, janë të vërtetat normative që qendrojnë të vërteta absolute. Kush nuk ka të njejtin mendim me ta është i paarsyeshëm, i gënjyer, i blerë, ende i papjekur, e ka gabim, paradoksal Harrojnë se qytetari është qenie tjetër dhe kurrë nuk mund të kuptohet në identitetin e tij personal. Mund të shpjegohet, por jo të kuptohet. Aq më pak prejt tyre.

    Ju pergezoj Parrena.com dhe uroj te mos beheni si tregu i gabit ku gjen lloj lloj artikuj te dale boje por qe vishen gjithesesi!

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*