Rama dhe “1001 netët”. Mitonania rishfaqet në Gjirokastër. Nga Armir SHKURTI

Si në përrallat orientale, ku princi i plotfuqishëm shpërblen kë do e ndëshkon kë do, dje kryeministri i vendit na dhuroi një spektakël të padenjë në një katund të Gjirokastrës. Për shkak të ankesës së një fshatari, Rama aty për aty urdhëroi një të ALUIZNI-t që të hënën t’ia çonte në shtëpi legalizimin e stallës ankuesit. Ti shkosh ti në shtëpi – i tha – e jo të vijë ai atje. Pastaj e kërcënoi se , nëse nuk ia çon me sms që e kreu porosinë, do ta shkarkonte e do ta zëvendësonte me hallexhiun.

Madhështore! Kryevepër e populizmit! Kushedi se sa prej atyre që ndodheshin në shesh gju më gju me Edin dhe sa të tjerë nga ekrani  janë entuziazmuar e kanë thënë; ” I madh”! “Ky u vjen hakut ktyre lale”! “Sa mirë ia bëri”!

Kur nisën arrestimet për energjinë shumë nga kasnecët e rilindjes, sidomos në rrjetet sociale, të nxirrnin sytë me pyetjen retorike; “Pse, nuk do ti të bëhet shtet”? Në fakt kjo e sotmja është pikërisht e kundërta. Manifestim arrogant i antishtetit. Një sundimtar absolut që vendos drejtësi me shpatë, në vend të një shtetari që respekton ligjin, institucionet dhe administratën.

Ai burri i ALUIZNIT ndoshta mund të jetë batakçi, mbase i paaftë, ndoshta i korruptuar. Por kjo nuk është detyrë e kryeministrit ta gjykojë dhe ekzekutojë aty për aty. Ka institucione që veprojnë e kontrollojnë. Premtimi i një shtetari të mirë do të kish qenë: “E mora shënim dhe do t’ia përcjell strukturave urgjent”. Por jo të urdhërojë një punonjës, që teorikisht ka integritetin që i jep Ligji për Administratën Publike e nuk ka veç ligjit frikë nga askush tjetër. Aq më keq të marrë urdhëra verbalë e paralajmërim pushimi nga puna në një mixhlis katundi. Ç’u bë dokumenti i legalizimit? Pizza, që të vjen te shtëpia me papaq? Zyra dhe zyrtari janë të shenjtë e po ashtu edhe përgjegjësia që kane, ndaj nuk mund të përdhosen në këtë mënyrë, se nuk janë të Edit por të Republikës.

Po sikur të mos jetë siç thotë fermeri? Po të jetë në kundërshtim me ligjin? Funksionari mori urdhër të prerë që deri të hënën mbrëma t’ia ketë çuar në shtëpi fshatarit legalizimin e stallës, ndryshe shkëmbejnë vendet.

Mirë ky fshatari pati fat e takoi sundimtarin. Po qindramijë hallexhinj që s’e kanë atë fat?

E përsëris që në një vend si ky yni vetëm mirë i bën Edi Ramës ky lloj populizmi. Vdes masa për përrallat me mbret oriental.

Për atë pjesë që mendon pak më gjatë, përveçse qesharake dhe anakronike, ajo skenë qe edhe e trishtueshme. Na tregoi që as fasadën nuk ia ka dalë t’i bëjë pushtetit të tij që na e ka premtuar të jetë ku e ku me atë të Saliut. Na dëshmoi gjithashtu një defekt karakteri dhe dobësi në lidership të Edi Ramës: mosmbajtjen e përgjegjësive.

Shkarkimi i përgjegjësisë mbi aparatçikun e provincës kish gjithashtu qëllimin e larjes së duarve në sy të milionëshit të shuplakave: “Ja, Edi s’di gjë i shkreti! Këta bashtot ia futin”! “E pe mo?  Sa e mori vesh, tak -fak e zgjidhi” . “Nuk i di ai i ziu ç’kurdisin këta katranët poshtë” e të tjera nga këto. Por në fakt përgjegjësia është vetëm e tija! organizimi i administratës, efiçenca, zbatimi i ligjit dhe kontrolli , janë përgjegjësi e tij, se ai është votuar e jo ai djali i ALUIZNIT. Ai ka eprorë dhe inspektorë që e kontrollojnë dhe vënë në lëvizje. Ndërsa rregullat e ligjet i ka vendosur kuvendi e afatet e legalizimit i ka premtuar ky që është kryeministër.

Do ta kisha dyshuar si lajthitje emocionale të kryeministrit këtë skeçin e djeshëm sikur të mos kisha lexuar jehonën plot admirim të mediave rreth tij.e kishin veçuar me aq kujdes , a thua se qe Moisiu që hapte detin për të kaluar populli i tij, duke na bindur se tashmë Edi Rama ka hyrë de facto në fushatë dhe po aq po rraskapitet për të hyrë në histori, duke krijuar mite e legjenda si kjo e sotmja.

 

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*