Reformën në drejtësi Rama po e përdor si kobure elektorale ndaj Metës dhe opozitës. EDITORIAL

Para ’90-ës, po të shkoje në dyqan për të blerë patate, të mos gjeje patate e të thoje se “s’ka patate” haje burgun për qejf, si armik i klasës. Çuditërisht po ndodh e njejta gjë tani. Po të mos brohorasësh “rroftë reforma në drejtësi”, je armik tashmë jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i SHBA dhe BE.

Drejtësi e korruptuar, pastrim i gjyqsorit, rivrasës e ripëdhunues dhe reformë kanë qenë fjalët kyçe të pushtetit që e kanë bërë sexy këtë punën e “reformës”. Pallati i Ëndrrave të rilindjes ka punuar fuqishëm me shqiptarët e drobitur nga trazicioni. Zor të gjesh familje a fis ku nuk janë në gjyq vëlla me vëlla a me kushërinj për toka e prona. Të gjithë, si fituesit ashtu edhe humbësit thonë se ua ka prurë shpirtin në majë të hundës gjykata, se duan para, se janë të korruptuar etj etj Kësaj mase dhe të tjerëve që ndjejnë peshën e padrejsësisë kudo, kur i thua se do pastrojmë drejtësinë, u ke bërë magji e i ke pas vetes si dele. Kujdes! E kam për politikën këtë punën e propagandës!

SEPSE POLITIKISHT, PËR ZGJEDHJET QË PO VIJN, PO PËRDORET REFORMA NË DREJTËSI!

Vet Edi Rama i ka marrë meritat e saj. Sikur AI po e bën këtë reformë. Kujto ditën kur u votua në parlament kjo paketë. Plasën militantët dhe punëtorët e propagandës rilindase në rrjetet sociale: “I erdhi dita Saliut të shkojë në burg”, “E ka rradhën Likja t’i venë prangat”…. ndërsa për satrapin Rama – jo!

SEPSE REFORMA NË THELB ËSHTË KALIMI I NJË SISTEMI TË KORRUPTUA TË PAVARUR NË VARTËSI TË NJË SISTEMI EDHE MË TË KORRUPTUAR.

Tashmë emërimet, shkarkimet , transferimet e gjyqtarëve i bën pushteti politik. Dhe euforia për fundin e Berishës dhe Metës në ditën e votimit të reformës shpjegohet pikërisht me entuziazmin për kapjen e këtij pushteti kyç, me të cilin ke në dorë në rradhë të parë kundërshtarët politikë e më tej këdo, përfshi edhe paratë.

Kundërshtia e shqiptarëve nuk është me pastrimin e drejtësisë. Përkundrazi. Por me rrezikun që një armë e tillë në duar kriminale, drejtësia vret më fort. Për një gënjeshtër lidhur me një marrëdhënie intime, ish presidentin amerikan Klinton desh e shkarkuan nga detyra. Dje në SHBA gjykata dënoi me një vit burg me kusht një burrë që kish gënjyer për llogari të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, që ky i fundit të bënte me çdo kusht një foto me presidentin Obama për…të gënjyer!! Po po!! Për t’u thënë votuesve shqiparë përmes një fotoje të paguar 80 mijë dollarë, se ka mbështetjen e SHBA!

Kjo është frika, ky është frustrimi. Jo Bilali, jo. I gjithë çka përfaqëson Edi Rama. Ky individ po përdor Reformën dhe ambasadorët aleatëve tanë për fushatë. Ky është “i miri” ata të tjerët “të këqinjtë”. Ky reformatori – ata krimi Sikur të ketë edhe pak fat e t’ia dalë të arrestojë Liken dhe Salën para zgjedhjeve, si Enveri në ’45 -ën, nuk e ndalon dot kush në rrugën e totalitarizmit. Vini re se 4 muaj para ditës së zgjedhjeve nuk po merret njeri me reformën zgjedhore, por me këtë kryqëzatën e reformatorit të drejtësisë Rama kundër qafirëve aleatë dhe opozitarë…

 

Po si do të qe e mirë reforma që me zemër vërtet të thërrisnim: “Rroftë reforma në drejtësi”?

TË FILLOJË NJËKOHËSISHT ME VETTINGUN E POLITIKËS!

Presidenti, kryetari i Kuvendit, Kryeministri, deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive, drejtorët, ashtu si gjyqtarët e prokurorët, të tregojnë xhepat deri në qindarkën e fundit. Siç do t’u përgjohen gjykatësve, prokurorëve dhe familjarëve të tyre çdo lloj bisede, ashtu të bëhet edhe me çdo funksionar administrate dhe shteti. Hetimi të fillojë me këtë qeveri, se korrupsioni është sot. Vetvetiu do të çojë tek rrënjët e do prekë çdo qeveri, çdo kryeministër. Por i ndershëm është kur nis me këtë qeveri që drejton vendin, jo me paraardhësit, sepse, – sidomos 4 muaj para zgjedhjeve – ky është një mjet elektoral , që nis nga frika e shantazhi deri tek dhuna përmes gjykatave – që po përdoret kundër aleatëve dhe kundërshtarëve.

Edhe pse qëllimi teorikisht është shumë fisnik, kështu si po ndihmohet Rama, përfundimi është përkeqësim i gjendjes. Është instalim i totalitarizmit, i një regjimi të kontrolluar nga një njeri i dyshimtë në pasuritë dhe lidhjet e tij, nën hundën dhe me keqpërdorimin e aleatëve strategjikë e më të rëndësishëm të Shqipërisë

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*