Sa e rëndë është barra e Kreshnik Spahisë për të tronditur politikën. Nga Armir SHKURTI

Së pari, BRAVO PROTESTËS SË DJESHME PARA KRYEMINISTRISË! Pavarësisht se kush dhe se si e bëri, ka rëndësi që dikush merr përsipër të bëjë më elementarin veprim të dinjitetit njerëzor (pale demokratik) PROTESTËN.

Është paralajmëruar një protestë e dytë më 2 mars. Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu njoftoi se Do shpallim sot lëvizjen “Rama ra.   Do të ngremë çadrat para kuvendit më dy mars dhe nuk do të lëvizim më për të mos lejuar asnjë deputet të hyjë në atë kuvend sepse meritojmë një Shqipëri tjetër. Meritojmë një kuvend intelektualësh e jo kriminelësh

Edhe kjo është për t’i hequr kapelën. Por me kusht që ta çojë deri në fund Kreshniku këtë lëvizje, përndryshe do të renditet tek ata që kanë shitur kauza dhe kanë përdhosur protestën në atë derexhe saqë nuk afrohem më njeri në to.

Në këtë tranzicion Shqipëria ka sakrifikuar demokracinë për stabilitetin. Satrapët e ambasadorëve kanë bërë ç’u ka dashur qejfi, kanë vjedhur vota e kanë rruajtur para pa hesap nën sytë e bëra të dyja qorr të ndërkombëtarëve nëmos me bekimin  e tyre, me kusht që “Shqipëria të jetë faktor stabiliteti në rajon”. Hipja bota Kosovës për qejf, “faktori i stabilitetit” hipja shqiptarëve për qejf. Futja shqiptarëve në Maqedoni kush të mundë, “faktori i stabilitetit” në Tiranë – ngopja shqipove këtej më këtë anë. Oligarkia shqiptare pa asnjë ekuivok ka bashkfajësinë e madhe të Perëndimit…

Kreshniku e ka drejtë që nuk do të lirojë derën e Kuvendit pa nxjerrë që aty kriminelët. Por nuk është kjo zgjidhja. Madje është një ndihmë  e madhe për kryetarët e partive parlamentare heqja e ca të dënuarve, ca të arrestuarve, ca të njomëve që i ze flaka e të thatit…

JO! NGA PARLAMENTI TË DALË E GJITHË KJO POLITIKË, SEPSE AJO HYRI NË PARLAMENT PREJ KRIMINELËVE DHE AJO I MBAJTI ATY ATA.

Me të fortë i ka bërë fushatat e gjithë politika shqiptare, pa dallim krahësh kahera. Banditët kanë shoqëruar kryetarët e partive nëpër fushata, banditët kanë mbrojtur kandidatët, kanë kërcënuar votuesit, kanë mbrojtur, shoqëruar apo shqyer kutitë e votimit, kanë kandiduar dhe politika i ka pranuar pasi këta mbledhin vota.

Në ka një gjë që shquhet ky vendi ynë është informacioni. Kushdo e di në lagje se kush është fqinji, me se merret, si i ka bërë paratë etj, vetëm kryetarët nuk e dinin se kë po vendosnin nëpër lista? Si në rastin kur s’e dinin, ashtu edhe kur e dinin por i vunë me qëllim, përgjegjësia është e plotë për kryetarët e partive parlamentare që kanë – fatkeqësisht – ekskluzivitetin e hatimit të listave për deputet.

U zuri rrota bishtin kur erdhi zarfi nga jashtë të bëjnë “dekriminalizimin”? Mirë! Filloi hardhuca të këpusë bishtin për të shpëtuar veten. Jo or jo! Nuk është më shumë fajtor një trafikant që është bërë deputet se kryetari i tij e ka vendosur aty që të “krefë” votat me lekë a me hu. I pari kryetari! Ai është përgjegjës. Ky parlament, pas miratimit të ligjit të “dekriminalizimit” dhe reformës në drejtësi ka humbur legjitimitetin dhe prandaj

DUHEN NXJERRË PËRFUNDIMISHT DEPUTETËT ME ÇDO MJET NGA AJO SALLË,

për të futur aty një grup politikanësh të tjerë, jashtë këtij konteksti të ndryë.

Nuk ka kuptim që kjo 140 -she që i futi dhe i bekoi “të inkriminuarit” që bëjë sikur nuk i njeh sot e t’i nxjerrë nga dera pa të keq. Nuk mundet që ky legjislativ që ka dalë me ndihmën e bandave e të fortëve të reformojë drejtësinë. Më e shumta është që do ta vendosë nën kontroll të kryeministrit dhe kaq.

Pra që të mos e nxjerrë përfundimisht knok out protestën si mjet në këtë vend, Kreshnik Spahisë i duhet ta çojë deri në fund atë që ka premtuar. Në 2 mars, gjallë a vdekur duhet të ngulë çadrat dhe ta fusë vendin në valën e tronditjes së madhe politike për ndryshime thelbësore. A do ta bëjë dot? …..

….Zoti e ndihmoftë, se barrë shumë të rëndë ka marrë!

 

 

 

 

 

 

 

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. E ben qe cke me te Kreshniku mjafton qe te mos i mungoje deshira se kte vend e ka mbulu maskaralleku forca forca

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*