Satrapi Rama, inteligencia dhe vota e ardhshme e Shqiptarëve. Nga Armir SHKURTI

Të parën punë që bëri Enveri kur mori pushtetin ishte lufta kundër intelektualëve. Nga pushkatimi i kunatit e nisi që në vitin 1945 dhe e vazhdoi sistematikisht gjatë gjithë diktaturës së tij. Natyrisht që nuk e la vendin pa njerëz të shkolluar, por ka një dallim të madh mes intelektualit dhe të shkolluarit. Intelektuali, më së pakti ka një mendim të tijin dhe integritet qytetar dhe profesional. Këta Enveri i çoi në plumb, në burg e kampe pune. Të shkolluarit e tij ndërtuan socializmin nën udhëheqjen e partisë dhe shokut Enver. Një pjesë e mirë e tyre , të prodhuar nga regjimi, ishin më të flaktë se vet Enveri në mbrojtje të marksizëm – leninizmit dhe luftës së klasave.

Pol Poti në Kamboxhia, kreu famëkeq i Kmerëve të Kuq, i zhduku intelektualët e vendit të tij me plumb. Pasi i çoi të punonin orizoreve, niste kriminelët e tij të ekzekutonin mësues, ekonomistë, mjekë… Në fund të këtij genocidi në Kamboxhia kishte vetëm …44 mjekë.

Sot për sot Edi Rama nuk e ka mundësinë e dy të parëve për t’i eliminuar fizikisht. Por goditjen ndaj kësaj kategorie ky individ po e bën po aq të egër e sistematike sepse:

DIKTATURAT NUK NDËRTOHEN DOT KUR KA NJERËZ TË LIRË DHE INTELEKTUALI MË SË PAKTI KA MENDIMIN E TIJ TË LIRË DHE JO TË RRESHTIT.

Për të qenë të ndershëm, nuk është se nisi me Ramën kjo goditje, por ky i fundit e ka qëllim në vetvete dhe e ka ngritur në sistem atë. Vetëm në ato vitet e para të pluralizmit patën ca episode çlirimi intelektualët, kur duhej vërtet mendje e arsye në fillimet e sistemit të ri. Pastaj politikën gjithnjë e më shumë e uzurpuan “të shkolluarit”, ata që kuptojnë menjëherë nga fryn era, bizneset i zunë të fortët dhe të paskrupullit, administratën – militantët, ndërsa intelektualët dhe njerëzit me dinjitet e integritet preferuan në lajnë pjata në Perëndim në vend që të urdhërohen e poshtërohen nga injorantët që kapën ballin e tranzicionit….

Edi Rama është një satrap i perandorit George Soros. Për këdo që s’e di ç’do të thotë saktë satrap, po e sqaroj se vjen nga Persia, e ndarë në disa njësi administrative të quajtura satrapi. Në krye të tyre emërohej satrapi, që shqip do të thotë “mbrojtës i pushtetit (të mbretërisë)”. Natyrisht që modeli i këzij satrapit tonë është ai i kukullave ruse; prodhimi i kloneve të tij në çdo institucion.

Urdhëri i Psikologut është vërtetimi i përsosur i kësaj ç’thashë më lart; goditja e intelektualit si rrezik për totalitarizmin përmes lirisë së tij të mendimit. Atë ditë pamë haptas dhe riprodhimin e shëmtuar të kloneve të satrapit Rama kudo ku ka një grup ku duhet drejtues. Kush ka durim, të më ndjekë pak , sepse është rasti tipik i simetrisë me Enverin e ’45-ës në luftë me demokracinë dhe intelektualët…

Demokracia nis tek fjala e lirë. Atë e ekzekutoi të parën Enveri në ’45 -ën me plumb, atë ekzekutoi të parën Rama në shtator 2013, me një ndër 3 vendimet e para që nxorri si kryeministër. Madje, edhe sot Manjanin pikërisht për këtë “e ekzekutoi”: se tha mendimin e tij.

Votën e lirë eliminoi Enveri në ’45 -ën, duke futur popullin të votojë në kuti me kokrra, votën e lirë eliminoi Rama të dielën, kur i gjithë proçesi nisi e u drejtua nga satrapi i caktuar për atë mbledhje Klosi, kur i gjithë proçesi u zhvillua në terr e prapaskena dhe kur po ky ministër shpalli me qejf në faqen e vet të facebookut fituesen por çuditërisht e hoqi të nesërmen. Dhe shumë pak reaguan, prej këtij grupi kaq të madh intelektualësh për shkeljen e demokracisë edhe brenda mjedisit të ngushtë të tyre…

SEPSE NË VEND TË PLUMBIT KY REGJIM I KONTROLLON ME BUKËN DHE MUNDIME TË TJERA.

Me kokën ulur e gojën mbyllur gjendet një copë bukë. Gjendet edhe ndryshe, por është më e mundimshme.  Prandaj një pjesë e mirë e asamblesë së psikologëve, ajkës së inteligencias shqiptare, uli kokën e mbylli gojën, për shkak se totalitarizmi i satrapit të Sorosit pothuaj ia ka dalë. I rrahuri të rreh, i përdhunuari përdhunon, është ligj natyre. Ai që është vënë pa meritë, si zar, për qëllime thjesht fitimi të një spekulanti ndërkombëtar si satrap i Shqipërisë nuk mund të sillet ndryshe me ata poshtë tij dhe nuk mund të ketë lidhje me demokracinë.

Simetrike, por e një forme tjetër , është edhe sjellja me Avokatin e Popullit. Një regjim totalitarist nuk mund ta lerë jashtë kontrollit një institucion kaq të rëndësishëm. Prandaj shkeli ligjin e prishi proçesin vetëm e vetëm që në krye të Avokatit të Popullit të mos dalë dikush që s’i përket vathës së satrapit Rama.

Kur vrau inteligencian Enveri mbretëroi i lumtur deri kur shkoi në atë dynja.  Shkruante libra që të dukej ai si mendja më e ndritur e kombit. Vini re të njejtën mani tek satrapi ynë sot. Përveç nja dy librave që ka, shih sesi ka nisur në facebook një rubrikë me kujtime nga historia jonë që , me demek ky intelektuali aq thellë ka shkuar sa na nxjerr xhevaire përditë e është mendje e ndritur….

Shihni se si ua mori votën psikologëve: pa lekë, pa miell. Thjesht me presion, kërcënimin për bukën dhe vendin e punës. Dhe ata u bindën. Apo në Kolonjë, gjatë fushatës për kryetar bashkie, shkon Beqaj e takon mjekët, u flet për problemet e mëdha që ka kjo punë aty dhe për vendosmërinë për ta ndryshuar si situatë por, “rastësisht” në krah kishte doktorin – kandidat. Ai nuk e tha, por kur dolën nga mbledhja ia thoshin njëri – tjetrit mjekët: “E o! Po s’votuam Ilian paska reforma o?”

Po pas 5 muajsh në zgjedhjet përgjithshme? Po bërtitet se do na i blejnë me lekët e hashashit, me thesin e miellit… Jo or jo! Pa lekë do t’i marrin votat – aty ku mund t’i marrin. Me asistencën sociale, me kryetarin e urdhërit filan, me drejtuesin e entit fistek, me mësuesin e fëmijëve e me satrapët e caktuar nga satrapi i madh. Ata që kanë në dorë KEMP-in, emërimet e shkarkimet, inspektimet e gjobat. Aty janë caktuar klonët e Ramës dhe s’ka kush i denoncon a rreziston, sepse inteligencian e ka nxjerrë jashtë loje përmes mekanizmave të varfërimit dhe poshtërimit.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

  1. O po ky eshte pjelle e ndyre enveriste nuk ka si te jete ndryshe ,e cfare nuk ka kapur kjo fare. e keqe bashke me ate faren e zeze kucovare qe u shofshin ishalla

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*