“Shpëtoni ushtarin Ryan”- historia sot me Lulzim Bashën. Nga Armir SHKURTI

Në vitin 1998 Stiven Shpilberg u ngop me Oscar dhe pare prej filmit “Shpëtoni ushtarin Ryan”. Me dy fjalë historia është kështu:

Nga 4 vëllezër , tre vriten njëkohësisht në luftë. I katërti është gjallë diku në luftë, duke zbarkuar në Normandi. Atëhere Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ushtrisë amerikane jep urdhër të shpëtohet vëllai i vetëm i mbetur gjallë. Në krye të këtij misioni vendoset koloneli Miller i cili, pasi humb një pas një ushtarët shtron pyetjen: “A ia vlen që për jetën e një Ryan-i të sakrifikohen ato të të tjerëve”?

Me Bashën sot puna është më keq. Që edhe ky ushtar është , kjo po sqarohet çdo orë e më mirë. Mjaft të shohim cilat media e analistët që e mbrojnë…nga demokratët! Sot nga selia që Basha drejton ka dalë teza se “po dha dorëheqjen Basha çahet PD – ja”. Kështuqë demokratët që kërkuan dorëheqjen e tij , pas pak orëve nisën misionin “shpëtoni ushtarin Ryan” që të shpëtojmë partinë.

Në 4 vjet, Basha, që nuk solli as ideologji, as opozitarizëm, as stil, as staf…ia paskësh dalë të prodhojë një grupim kaq të fuqishëm sa të prodhojë përçarje? Duke parë a priori emrat e atyre që i kërkojnë dorëheqjen dallon në shumicë personalitete politike. Ca të qashtër ca të pèrlyer, por sidoqoftë janë emra dhe kontribute. Tek rrethi i duartrokitësve “Basha” zor se shquan syresh….për të mos e qelbur muhabetin e me iu fut mirë se kush e kush është aty.

Në këto zgjedhje munguan rreth 200 mijë demokratë. A nuk është çarje faktike kjo? 200 mijë votues tradicionalë të Partisë Demokratike ia kanë diktuar dorëheqjen kryetarit të tyre që në 25 qershor. Kjo që po ndodh tani është transkriptimi politik i asaj vote.

Sidoqoftë ky ushtari Ryan sot në krye të  PD – së është si ajo loja “ç’ujë i ke dhënë gomarit, të ngrohtë a të ftohtë”. Po mbeti, me këtë prepotencë, dhe po iku, çarja çarje është.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*