Shqipëria në prag të një “Partie të Hallallit” përballë politikës së “harramit”. Nga Flamur TAJARI

Dhe nuk ka për të qenë e largët kjo ditë, nëse vazhdon kështu.50 vjet komunizëm dhe 26 të tjera tranzicion kanë sjellë sot dëshpërim dhe humbje totale të besimit të shqiptarëve tek politika. Pa ia hyrë analizës, si, pse dhe sa është niveli i kësaj humbje besimi (pasi është masivisht e njohur dhe e ditur), le të shohim ku jemi sot dhe pse them se jemi në prag të asaj që po e quaj “Partia e Hallallit”.

Lazarat, 2014

Policia ndërmori një operacion thuajse ushtarak, me polici e forca speciale, me armë zjarri e mjete të blinduara kundë fshatit që njihej si i përbetuar për mbjelljen e hashashit. Në çdo shtëpi , oborr e parcelë qenë mbjellë bimët e ndaluara përveç…..disa familjave muslimane, që e konsideronin harram

Sot në gjithë vendin hashashi është realiteti. Mbillet kudo ku ka mundësi të bëhet, nga socialistë e demokratë, komunistë, ballistë , zogistë, anarkistë… Pa dallim partie, krahine , ideje, i bashkon pragmatizmi. Mbjellin e shesin drogë “si të gjithë”. Më herët po e njejta popullatë ka shitur vajza për prostitucion në perëndim, ka zaptuar toka, ka shitur shtëpi e futur paratë me fajde, ka marrë para për zgjedhje e i ka dhënë qindrafish si ryshfet në spitale, hipoteka, gjykata, polici…Shqipëria renditet në majat e korrupsionit në botë. Bëhet fjalë për korrupsionin e sistemit politik, administrativ dhe gjyqsor. Se ai moral nuk është matur ndonjëherë e nuk ka kandar që e peshon, veç perceptimit vetjak të secilit.

Për një qytetar të mesëm, të ndershëm e parimor, gjëja më e vështirë është të çajë vetë në këtë sistem, për të mos thënë që është makth të krijojë familje e ta çojë përpara. Seksi në moshë të njomë, droga në derë të shkollës, alkooli, bixhozi, krahasimi social me shokun a fqinjin e bëjnë një baba a nënë të këtij standarti të ndjehen të tmerruar e të pafuqishëm në këtë sistem e për më tepër të papërfaqësuar. Të gjithë e pranojmë që këtë realitet e gatuan që të gjithë së bashku. Atëhere?

Zgjidhja? – si në Lazarat! “Ajo” (korrupsioni, sistemi, hashashi, moda, muzika, interneti, ryshfeti…etj etj) janë harram! Kështuqë një forcë politike, lëvizje, grupim, që del me “hallallin” si doktrinë, ka gjithë shanset të mbledhë si fillim vëmendjen dhe simpatinë e një mase tepër të rëndësishme shqiptarësh. Më shumë se numri, është i rëndësishëm motivimi dhe mobilizimi i tyre. Në kushtet e tmerrit, braktisjes dhe pamundësisë, e gjithë kjo masë është e gatshme të bashkohet në çast e pa diskutim. Duke qenë njerëz nga ata që quhen “të ndershëm” dhe me parime, një ideologji “e mirë”, e përputhshme me parimet e mosvjedhjes, ndershmërisë, drejtësisë, barazisë etj , e gatshme në strukturat e fesë, nuk ka nevojë as për shumë kohë as për shumë propagandë për ta përqafuar.

Në çdo votim, gati gjysma e votuesve shqiptarë nuk shkojnë. Edhe një pjesë e atyre që shkojnë, e bëjnë për forcë zakoni. Por në kushtet e “Partisë së Hallallit”, kjo masë gjigande ka shanse të përmbysë çdo tablo të derisotme, duke çbërë tablonë e sotme PD – PS me LSI -në si përcaktor pushteti, por të kijojnë politikën e “hallallit” vs “harramit”. Të tjerat pastaj, varen shumë nga fati, rrethanat dhe …ata jashtë!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*