Shqipëria si Siria. Po precipiton drejt një destabilizimi të tmerrshëm. Nga Flamur TAJARI

Kur u kërkoi në prill ish kryeministri Sali Berisha shqiptarëve të armatosen “kundër kësaj organizate kriminale që po terrorizon popullin” u ngritën i madh e i vogël, i gjatë e i shkurtër nga pushteti dhe, përveç përjashtimit 10 ditë nga kuvendi, kërkuan edhe ndjekje penale për zotin Berisha.

Sot në fakt thirrja e tij duket alternativë për ditët që po vijnë. Nuk është retorikë ajo që tha Lulzim Basha pas humbjes në Dibër. Zgjedhjet aty i fitoi Mafia. Vendi tashmë është hashashizuar. Nuk është më çështja se dikush mbjell drogë dhe me ato para blen zgjedhjet. Halli është se me drogën është lidhur jeta e shumicës dhe kjo shumicë po rritet përditë.

Pa dallim feje, krahine,ideje, bindje politike, ose mbjellin vetë, ose punojnë në plantacionet e bosëve, ose punojnë në shtet por janë të lidhur me sistemin nga mbjellja tek transporti.

Nëse hashashi do të qe punë e fshatarëve, secili ca rrënjë të veta, jo se është mirë, por do të qe shumë më mirë sesa një popull, me gjithë sistemet e tij ligjor dhe okultë, i përfshirë dhe inkriminuar në prodhimin e drogës.

Kthehemi tek armët. Domethënë tek siguria. Nuk ka preçedentë në botë që një krim i organizuar të kthehet në një të mirë publike. Sidomos kur ky krim i organizuar është amalgamuar me pushtetin, policinë dhe drejtësinë. Kjo oligarki i ka shëndoshur dhe pasuruar si kurrë më parë “shefat”. E keqja e kësaj pune është se nuk ka kthim pas. Herët a vonë, për interesa apo nga dehja prej parave dhe pushtetit, për influencë a territore, do të nisë edhe beteja, ajo e vërteta. Ndoshta edhe me armë. Edhe sot e kësaj dite një pjesë e territorit të Shqipërisë kontrollohet nga paraushtarakë të armatosur deri në dhëmbë, me uniforma laroshe e rezerva ushqimesh për javë të tëra lufte. Nuk lenë as mizën t’u shkelë në zonën e tyre.

Pak ditë më parë një gomone me 0.8 ton hashash u kap në brigjet italiane. Tjetra “shpëtoi”. E zunë bosh, pa mall e pa njerëz në të. Mendo një rast si ky të jetë tradhëtuar a shitur nga rivalët? Natyrisht plas pushka. Tashmë në kronikën e zezë janë rralluar shumë lajmet për vrasje “se më pe shtrembër” duke u zëvendësuar me “kishte lidhje me kultivimin dhe tregëtimin e lëndëve narkotike”.

Nga kjo rrugë Shqipëria ka kaluar një herë në vitin 1997, kur politika humbi besimin ndër shqiptarë dhe ligjin, deri në ndërhyrjen e botës, e bënë bandat e armatosura, të ardhura nga pjesa më kriminale e drogës dhe trafikut të qenieve njerëzore. Natyrisht atëhere “kapot” ishin ende nivel “cowboy”, me qejfin e madh për të mbajtur kallashin në një dorë, e pistoletat në brez. Sot, pas 25 vjetësh, edhe me asistencën e eksperëve  nga bota e krimit të organizuar, bosët shqiptarë janë shumë më të sofistikuar e të pushtetshëm. Që do të thotë, destabilizimin e vendit e kanë shumë më të thjeshtë për ta kryer e më të lehtë për të marrë në dorë drejtimin në ato kushte.

A po shkojmë drejt rrugës së një Sirie brenda Ballkanit? Çudi nuk është! Kushtet janë që të gjitha për një destabilizim masiv. Ekonomia po fundoset me shpejtësi, klasa politike ka humbur po me shpejtësi besimin, shpresa është asgjësuar, krimi i organizuar bën ligjin , sidomos me hashashin, ndërkombëtarët bëjnë sehir….

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*