Si do të pastrohet politika me “dekriminalizimin” dhe vettingun? EDITORIAL

Kjo puna e dekriminalizimit dhe vettingut e ka një preçedent që është sa i ngjashëm aq edhe i ndryshëm: Italinë. Njëzet e ca vite më parë , një prokuror me emrin Antonio Di Pietro u bë i famshëm edhe në botë pasi nisi proçesin “Duart e pastra” për të pastruar politikën italiane. Ca hynë në burg, ca u arratisën, ndërkohë që partitë tradicionale që kishin udhëhequr vendin që pas luftës , u shpërbënë dhe prej tyre lindën të reja.

Formalisht kjo skemë po përsëritet tani tek ne….por jo aq simetrikisht. Natyrisht që drejtësia italiane nuk qe “Lazarat” e askujt s’i shkonte ndërmend ta vinte në diskutim sistemin. Tek ne skenari është i përçudnuar në një mënyrë të pashembullt.

PULA VEZËN APO VEZA PULËN?

Është politika e korruptuar apo drejtësia? Apo janë të dyja? Politika ka futur thellë kthetrat në drejtësi dhe i luan fijet dhe tani po kjo politikë do ta kthejë për së mbari? Pa vazhduar me paradokset e tjera, le të sqarojmë si fillim se ky pushtet, i akuzuar për totalitarizëm, arbitraritet, kufizim dhe dhunim të lirive, për përfshirje të drejtpërdrejtë në kultivimin dhe tregëtimin masiv të hashashit, akuzoi drejtësinë si e korruptuar. Ky pushtet hartoi një ligj për të larguar kriminelët dhe ata me biografi të keqe nga…pushteti. Mirë, deri këtu , duket çuditshëm, por hahet gjithësesi. Pastaj , ky pushtet, me zorr të madh, hartoi një reformë për drejtësinë. Sipas kësaj reforme, në sistem të drejtësisë do të punojnë vetëm ata që janë të kulluar si drita, pa lidhje me krimin, pa një cent të huaj në xhep, pa farë e fis lidhur me punë të pista , pa kështu e pa ashtu. Pyetja më naive por më e natyrshme që do të bënte çdo i huaj që po e lexon këtë është; ” Po ç’mender duan këta që janë të zhytur deri në fyt për vete që bëjnë ligj kundra vetes dhe po këta, me ligj, pastrojnë dhe sistemin e drejtësisë dhe e mprehin aq hollë sa t’ua ngulë thellë fare këtyre…”

Ah, po! Harruam që e porositën dhe këmbëngulën amerikanët dhe BE që të ndodhë, dhe kjo shpjegon shumë gjëra. Pyetja që mund të bëjë një ….fjala vjen italian, është; “Domethënë në burg a në arrati këta politikanë që janë fryrë deri sot e , si në Itali , do të shpërbëhen këto parti që kemi për t’u krijuar të reja”?

Tashmë që mori vendimin edhe Gjykata Kushtetuese, vettingu është një instrument për të kaluar edhe pushtetin gjyqsor nën thundrën e kryeministrit. Ajo që prisnin gjykatësit e prokurorët për muaj me rradhë ishte; bosi. Kush do të jetë , kush i ka në dorë? U sqarua – kryeministri. Pas kësaj, këta që do filtrohen nga vettingu do të pastrojnë politikën nga ….kryeministri dhe njerëzit e tij? Në Suedi – ndoshta. Në Tiranë shkulen gazit kur e lexojnë a dëgjojnë. Më shumë mundësi – siç edhe është dëshmuar muajt e fundit – këto mekanizma kanë të ngjarë të përdoren për shantazh e për të luftuar kundërshtarët, qoftë edhe aleatë, Sa arrestime, shkarkime, denoncime, proçedime kemi parë kohët e fundit ndër “njerëzit e Ilirit”, për të cilët efekti është i dyfishtë: Së pari shantazh për ndjekësit e aleatit të tij të pushtetit, së dyti , nxirja e mëtejshme e emrit. Që pa u bërë aleat Rama me ramaducët e rilindjes s’linin gjë pa thënë për Metën. Kur erdhën në pushtet këtë strategji e vazhduan me forma të tjera, siç është edhe kjo e arrestimit , shkarkimit a denoncimit të “atyre të Ilirit”.

Dëshmi e rëndësishme e paradoksit të rilindjes – vettingut – dekriminalizimit është rasti Roshi. Kryetarin e Bashkisë së Kavajës Rama e përdori si bishtin e hardhucës. E mbajti, e mbrojti, sulmoi të tjerët që e akuzonin por e këputi tani që diçka duhej sakrifikuar, me shpresën se  me këtë bisht ndër dhëmbë opinioni të gënjehet e të ngopet.

Në rradhët e rilindjes ka kohë që qarkullon entuziazmi i arrestimit të Berishës. Në fakt ky muhabet ka një jetë që bëhet, por kur këta erdhën në pushtet, e bënë si premtim këtë punë. Fakti që u janë ngjallur krimbat organeve të rilindjes këto kohë duket se po përgatisin terrenin për atë që mund të ndodhë. Vështirë Berishën vetë, por ndoca nga ajo qeveri nuk është çudi t’i futin brenda. Do jenë të gjithë të lumtur? Patjetër! Propaganda ka funksionuar me shumë kujdes. Ajo e rilindjes së PS – se dhe ajo e rilindjes së PD -së. Edhe këtu “xhonturqit” janë të rebeluar ndaj “të vjetërve”. “Këta na çuan në opozitë! Këta nuk lejojnë njeri të ecë përpara” – lëshojnë aty ku ecën. Kështuqë, ca pranga mes “të vjetërve” janë të mirëpritura edhe këtej. Dhe çfarë do të zgjidhë?

Thjesht kurbane për të huajt , terror për të gjithë këtu dhe konsolidim i pushtetit absolut. Nëse nuk fillon pastrimi nga kjo qeveri, nga kjo shumicë në Parlament, e gjitha është komedi me libret ambasadorësh dhe komedianë këta të zakonshmit tanë…

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*