Si po e zgjedh Basha Erion Veliajn pasardhës të Ramës. Nga Koçi Fosi

“Pas meje – qameti”! – ka qenë shprehja e Luigjit XIV , mbretit të Francës. Po pas Edit? Ai vet na ka thënë se do të ikë shumë më parë se t’u mërzitet shqiptarëve.

Prej kohësh diskutohen dy emra si pasardhës të tij në këtë parti: Saimir Tahiri dhe Erion Veliaj.  Për sy e faqe duket sikur kryetari është i paanshëm në këtë zgjedhje. Ç’i ka dhënë njërit ngjan sikur ia ka dhënë edhe tjetrit. Por nën të gjërat janë krejt ndryshe. Edi dhe marjonetistët e tij kanë projektuar Erionin dhe për të po punohet butë por shumë fort, edhe pse duket sikur dy termat përjashtojnë njëri – tjetrin.

Sajmiri vjen nga PS -ja, dhe, pavarësisht se është pjesë e qeverisjes së rilindjes së Ramës, në fund të fundit ka dalë nga strukturat, ka punuar me strukturat dhe drejton degën më të rëndësishme të socialistëve, kryeqytetin. Por historia dhe statistikat na tregojnë se jo socialistët por të ardhurit apo të përshtaturit me Ramën kanë bërë prokopi. Në regjimin e Edi Ramës preferohet modeli i tij: kollovari që të merr shtëpinë. Dhe ky është…

…Erion Veliaj. Ai vjen nga jashtë PS. Madje si armik i betuar i saj. Para Berishës ishte ky që nisi një lëvizje popullore “Nano Mjaft” të cilin Berisha e përshtati në “Nano ik”. Aq i flaktë ka qenë ky “luftëtar” se edhe në një ngjarje private, siç qe martesa e z. Fatos Nano, nxorri në një tip proteste tallëse vajza që donin të bëheshin nuse. Ky erdhi në PS- dakord, me thonj të prerë – ama siç solli Nano Ramën, këtë e solli pikërisht Edi Rama. Vetë kryetari i sotëm i rilindjes e ka nisur me protesta e refleksione nga jashtë politikës. Vetë Rama e nisi si ministër e më pas kryetar i bashkisë së Tiranës. Ky kloni i tij po ndjek pikë për pikë rrugën e “shefit”

Prej të paktën dy vitesh ministrit të brendshëm i rritet mullari i akuzave nga të gjitha anët. Vetë ai e ka pohuar disa herë këtë , të cilën e quan “baltë”, si dikur shefi i tij, por ama që është i ndërgjegjshëm se përditë balta zë baltën e është bërë mal. Akuza më e rëndë është për lidhje organike me krimin e organizuar dhe si përgjegjës (nëmos pjesmarrës ) për masivizimin e mbjelljes së hashashit në gjithë vendin dhe inkriminim të policisë pikërisht për këtë shkak. Tashmë edhe pushteti me gjysmë zëri e pranon përhapjen e kësaj droge në gjithë territorin , duke thënë “po luftohet”. Në këto kushte, edhe sikur Tahiri të dalë vet me drapër e pushkë në dorë arave me kanabis, figura e tij është djegur. Ose pothuajse. Mbi të ka rënë edhe gjithë mallkimi i opozitës. Edhe në ditët më të vështira për PD – në, Saimiri ka qenë mes thepit dhe shqekzës. Çdo të zezë të këtij vendi , nga i pari tek i fundit në selinë blu ia kanë veshur Tahirit…

…çuditërisht nuk kanë bërë të njejtën gjë me Veliajn?! Edhe pse një pjesë e rëndësishme e kokës së PD – së (Basha, Bozdo, Tabaku ) vijnë pikërisht nga drejtimi i bashkisë së kryeqytetit, zorr t’u gjesh ndonjë kritikë për pasardhësin e tyre. U përmbyt e gjithë Tirana? Të rinjtë demokratë u çonin groshë e makarona romëve të Bregut të Lumit! U përmbyt sërish Tirana? Në mes të përrenjve deri në gju , kameramanë e gazetarë hynë në PD për një konferencë për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të PD – së për….. Reformën në Drejtësi! Edhe një herë: çuditërisht, kundër Erion Veliajt as opozita nuk shprehet!

Atëhere: Kemi dy kandidatë. Njëri i butë, punëtor, i pa përfolur. Tjetri i egër, i lidhur me mafian dhe drogën,  Cilin do të zgjedhim? Për mua …ky i pari, apo jo? Ky që punon, që po shtron rrugë, që po lyen fasada, që bën maratona, kënde lodrash për fëmijë, që po bën një shesh të mrekullueshëm në Tiranë, apo që po bën “rilindjen urbane” të kryeqytetit. Ai tjetri ka drogën, mafian (që është sinonim i tritolit, vdekjes, torturës, së keqes ), ka burgun, prangat, gjobat. Rilindja apo vdekja? Vetvetiu vjen përgjigjja: Natyrisht rilindjen. Erionin!

SIDOMOS KUR SHES SE PËR TË PO INVESTOHET, VEÇ KRYETARIT DHE GJITHË PARTISË SOCIALISTE, EDHE E GJITHË MEDIA, BIZNESI E MBI TË GJITHA; OPOZITA ME HESHTJEN E SAJ!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*