Sipari ra. Sot dita e “votës kundër”. EDITORIAL

Lexoji pak lajmet nëpër portale e gazeta. Shih pak lajmet në televizor: “Rama tha….”, “Meta u shpreh….”, “Basha u përgjigj…..”, “ambasadori amerikan tha…”. Tha! Tha! Tha…..! Thatësirë e madhe vëlla. Lajme me foljen “bëj”, në kohën e tashme apo të kryer të thjeshtë janë vetëm ato nga kronika: “bëri aksident…”, “ka bërë një vrasje në vitin….”

Ndërsa në kohën e ardhme i ke të gjitha: “qeveria do të bëjë….”, opozita do të bëjë…”, “vitin tjetër do të bëhet….”

LAVAZH PERFEKT TRURI!

Natyrish që media në vetvete është përdorur për të prodhuar opinion e për ta drejtuar atë. Por në këtë farë feje siç bëhet në Shqipëri zor se ndodh në vendet me demokraci.

E gjithë fasada e politikës, pra ajo që duhet të përtypë shqiptari, hidhet me lopatë në ekran. Po ato fytyra, po ato te a bajate e debate pa përmbajtje por me formë, që krijojnë përshtypjen se nuk ekziston gjë tjetër në vend veç një Shqipërie të ndritur, të shëndetshme, në zhvillim e sipër, por me ca halle siç janë vettingu, reforma në drejtësi apo ajo zgjedhore. Ka dhe një “shqetësim popullor” se pse akoma mor aman s’ po bëhet tamam – tamam shtet!

Ajo Shqipëria reale, ajo me mëpak se 2 dollarë në ditë, me bujkrobèrinë e dydynumshit në fshat, me një ekonomi që s’dihet ç’prioritet ka, me një arsim që nuk është edukim, me shëndetësinë për faqe të zezë……ajo NUK EKZISTON në ekran. Dhe në Shqipèri, po nuk ishe në ekran NUK EKZISTON.

Kjo Shqipëria reale, për të cilën ESTABLISHMENTI investon pa kursim që të mos jetë, është ajo që i vuri kryqin votës në qershor. Edhe për këtë kryq establishmenti u kujdes që të mos jetë. Por sot politika reale, ajo jashtë ekranit, është pikërisht kjo: Një establishment i korruptuar dhe i konsumuar PS – PD – LSI e kompani dhe një grupim ende i pakonsoliduar por me moral qytetaro – politik.

Brenda establishmentit i ka dalë kallaji lojës “doktorash” me gjoja sulme e kundërsulme mes pushtetit dhe gjojaopozitës. Edhe pse call centerat e “opozitës” shtrëngohen të pjellin ndonjë “debat të ashpër”, përfundimi është e njejta shterpësi. Pra herët a vonë, pushteti punën e ka me këtë opozitë reale morali, që jorastësisht eshtë e konfirmuar edhe me votë. Si në çdo shfaqje, edhe në teatrin e politikës shqiptare ka një fillim, një pikë kulminante dhe një zgjidhje. Dhe aty bie perdja. Këtu jemi sot!

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*