Skandali i vërtetë brenda skandalit të Beqajt. Pse e anashkaloi media. Nga Llesh. GJETA

Si e pushoi ministri drejtorin me telefon…skandal? Joo! NUK ËSHTË KY SKANDALI.

“Skandal”, “përgjim”, “ministër” janë lëndët e duhura për të prodhuar koktejlin e preferuar që media ka qejf të shesë e publiku ta pijë me ëndje për t’u dehur ditë me rradhë.

Jo miq!! Dhe turp për median që ka një diamant në dorë për të zbërthyer klientelizmin dhe emërimet politike në administratë dhe e shpërdoron atë, në dobi të Edi Ramës, për të krijuar një zhurmë klasike nga ato që duhen për të tërhequr vëmendjen kur kryeministri është ngushtë.

Drejtori i pushuar ishte militant partie, apo jo? Në telefonatën – kurth me ministrin po i përbetohej për besnikëri, përkushtim dhe militantizëm politik. Ai kishte luftuar në kohën e “atij…” dhe i kishte dhënë partisë.

Nga kjo bisedë ne kuptuam se ky drejtor nuk qe ndonjë gjeni në fushën e vet, por ndodhej aty për shërbimin ndaj partisë dhe militantizmin e tij. Ditën që nuk shkoi në mbledhjen e Asamblesë së PS, që është forumi më i rëndësishëm i një force politike dhe që nuk lajmëroi kërkënd, do të thotë se ky militant ka thyer rëndë disiplinën e partisë së tij. Pra militanti i kthyer në rebel a të padisiplinuar a si të duash ti, për këtë shkak humbi edhe privilegjin e fituar më herët. Kaq!

Ky është alfa dhe omega e korrupsionit në këtë vend: klientelizmi dhe militantizmi në administratë. Shpërblimi i militantëve me poste administrate të cilat këta i konvertojnë në çast me para rryshfeti, tenderi e gjithë marifetet që kanë prodhuar e mësuar në çerek shekulli. Këtë do të qe e ndershme të denonconte media dhe jo një bisedë telefonike mes koordinatorit politik të një qarku që i thotë shokut të partisë “suksese në jetë”. Klienti “prishi pazarin”, nuk iu përgjigj partisë, dhe prandaj humbi edhe shpërblimin, i cili është taksë e jona dhe vuajtje jona nga keqadministrimi, por që natyrisht do t’i jepet të dytit në rradhë që pret me durim e përunjësi dhe që ka futur aksionet e veta politike në rilindje e pret ta konvertojë në para.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*