Sot Edi Ramës i ka ardhur zarfi i tretë. Më mirë vetë e me të mira… Nga Armir SHKURTI

Ka një milion arsye për t’u larguar Edi Rama, aq sa ishin shuplaka që e sollën në pushtet. Sot “uji i gamiles” së tij është sosur. Si tek ajo meseleja e këmbanës, nuk është me vend të përmend të gjitha arsyet kur mungon këmbana. Pra kur kryeministri ka thyer besën me votuesit dhe me mbështetësit e fuqishëm jashtë. “Besën” nuk e kam në kuptimin kanunor por në atë institucional. Pushteti merret kur një shumicë populli beson tek ti, tek ajo që thua dhe tek ajo që thua se do të bësh.

Plehrat janë “këmbana”. Le ta fillojmë me to. Kur PD çoi ligjin e “mbetjeve” në Kuvend, rilindja e këtij që sot është kryeministër tundi botën! Ata “mbetje” – këta “plehra”! U mblodhën firmat për referendum por…me të ardhur në pushtet Edi Rama anuloi referendumin duke I DHËNË BESËN të tijëve dhe gjithë shqiptarëve se KURRË nuk do të importonte plehra ky vend. Ajo që po ndodh sot është jo vetëm pabesi, prerje në besë, hile, cinizëm…por edhe një tallje prepotente e pashembullt. Ai që ishte në ballë të luftës kundër plehrave, Eduard Shalsi, pas tre vjetësh e sjell pikërisht ai ligjin! Tani s’janë më as “plehra”, as “mbetje” por…”lëndë e parë dytësore”. Jo Edvin po Edi!

Mjeshtrat pas tij e mësuan në opozitë që çdo të zezë t’ia hidhte Saliut. “Fajin e ka Saliu” ngjiti, se kështu funksionon opinioni dhe Rama u zotua të na e heqë qafe Saliun. Jo personin Berisha, por modelin Berisha. Dhe në fakt ia doli. Sot modeli Rama e ka bërë të adhurueshëm Saliun. Prepotenca, cinizmi, mungesa e theksuar e humanizmit, megallomania, arbitrariteti, vaniteti e një milion vese, huqe e tipare karakteri formojnë një figurë kryeministri që prej shumë kohësh është kthyer në të keqen e vendit, në rrënim ekonomik, depresion shoqëror, perversion politik dhe problem rendi e sigurie. Shqipëria – hashash mjafton që të kish ikur nga sytë këmbët me kohë. Shëndetësia falas duhej ta kish bërë t’i uronte “suksese në jetë” Beqajt me vakt.

TRUMP

Duhej, me një fije sado të hollë turpi, ta bënte të lagohej gjithashtu. Se për shumë shumë herë më pak kanë dhënë dorëheqjen burra më të mirë e më me peshë politike në botë. Për një llaf a një dështim. Jo kur je dështimi vetë dhe vazhdon të krekosesh si gjeli majë plehut.

Deklarata për kandidatin e atëhershëm për president Trump se zgjedhja e tij do të qe kërcënim i madh për Amerikën, botën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë del e tepron që ai ta lerë zyrën ku rri tani, të marrë me vete ato fuoriseriot e veta e të shkojë e të ketë “suksese në jetë” diku tjetër.

Ka një barcoletë të lezetshme në këtë kontekst.

Drejtori i një ndërmarrjeje dha dorëheqjen sepse punët nuk po shkonin mirë. Kur po i dorëzonte detyrën pasardhësit i dha tre zarfa.

– Kur ta shohësh punën ngushtë, hap zarfin e parë. Po ashtu me të dytin e të tretin.

Punët nisën të ecin mirë deri kur një ditë….ngecën. Drejtori hap zarfin e parë dhe lexon:

“HIDHJA FAJIN PARAARDHËSIT”

Kështu bëri dhe e shtyu ca kohë , deri kur ngeci prapë. Atëhere hapi zarfin e dytë:

“PUSHO NJERËZ NGA PUNA, VENDOS GJOBA DHE KRIJO PANIK”

Kështu bëri dhe – ke parë ti? – u shtrua mileti. Ecën punët edhe për ca kohë derisa ngecën keqas. Atëhere hapi zarfin e tretë dhe lexoi:

“BËJ GATI TRE ZARFA PËR ATË QË DO TË TË ZËVENDËSOJË”

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*