Sot po që fajin e ka Saliu…tani edhe Iliri. Nga Armir SHKURTI

Është stëranalizuar truku “fajin e ka Saliu” që u përdor me efiçencë të madhe dhe që bëri shumë punë për ardhjen në pushtet të Ramës dhe rilindjes së tij. Me efiçencë përdori më pas , për një kohë të shkurtër edhe tezën “po bëjmë shtet”. Dënime, arrestime, shtetëzime arbitrare, shembje ndërtesash me urdhër goje, për të  mbërritur tek hashashi si “çështje e gjithë popullit”.

Nga ana tjetër kemi një Berishë që u dorëhoq dhe në vend të tij u zgjodh Lulzim Basha. “Ja sa të  marrë nën kontroll partinë”, “Ja se nuk e le Berisha”, “ja se po krijon një model politik ndryshe” “ja se kjo, ja se ajo” dhe jemi pak javë para zgjedhjeve dhe opozita ende nuk ka nisur krijimin e frymës së fitores. Përkundrazi. Është  pikërisht kjo opozitë që ka krijuar të kundërtën; frymën e fatalitetit të fitores së dytë të Ramës. Humbjet në Dibër e Kolonjë dhe deklaratat e mëpasme se votuat u blenë, policia është e përfshirë në biznesin e hashashit e për rredhim edhe shitblerjes së votave dhe teza se do kthejmë besimin tek politika dhe do t’i mundim me votë , janë paradokse të trasha, të cilat tek votuesi i thjeshtë përcillen qartas si mundësi zero për të ardhur në pushtet PD -ja….Kështu është sot. Mbase në ditët në vijim dikush bën magji dhe ndryshojnë gjërat.

Deri në këtë pikë, si unë si shumë të tjerë, kemi shkruar për atë që gjykojmë faj a gabim të Edi Ramës në ato që ne besojmë se janë shkelje a tejkalime të kompetencave dhe të Bashës, për atë që shumë nga ne besojnë se është faji, gabimi apo paaftësia për të vepruar.

……

Pas skenave dhe situatave të përsëritura armiqësore , në vet të parë a përmes njerëzve të tyre Meta dhe Rama kanë deklaruar se marrëdhënia e tyre nuk është dashuri por aleancë. Këto deklarata kanë qartësuar paksa pozicionin e Metës, i cili edhe pse le të kuptohet që është  kundër  ca gjërave, për hir të aleancës mban gojën kyçur.

Berisha nga ana tjetër është detyruar të jetë gojëkyçur ndaj politikave të partisë së tij. Energjinë e jashtëzakonshme politike që ka të akumuluar, ish kryetari i PD e zbraz në sallën e Kuvendit dhe në Facebook, ndërkohë që bateritë e rilindjes sistematikisht shkarkohen çdo ditë, çuditërisht , vetëm mbi të.

PSE FAJIN SOT E KA SALIU DHE ILIRI.

Rama tashmë është paketë me Bashën. Ka teori që kanë një pakt, ka teori që të dy janë pjesë e planit Soros, ka teori që dy teoritë e para nuk janë të vërteta por Basha nuk po gjen forcën ta zotërojë partinë, ka teori që Basha është më i fuqishëm se kurrë por po i bën punët ngadalë….

Por përtej teorive dhe motiveve ka një të vërtetë; Basha po bën një politikë “ndryshe”. Të qetë, të paqtë, të edukuar, ala britanike, me debat e argumenta vetëm brenda sallës së Kuvendit dhe institucioneve. Ky model tashmë po pompohet fuqishëm edhe nga rrethi i tij i PR por edhe nga “kundërshtarët”, media të Ramës, që herë hollë e herë trashë, i vënë në dukje edhe “si të metë” këtë punën e “të qenit ndryshe nga Berisha”.

Një dyshe e tillë Rama pushtet e Basha opozitë e logjikshme , e qetë dhe e duruar është ideale për një totalitarist si Edi Rama. Të mos harrojmë se edhe Sadam Huseini kishte një opozitë fasadë. Dhe për interesat politike të të dyve, në fakt është perfekte. Një tango magjike, ku fuqinë e ka herë njëri, herë tjetri, por kur përherë janë në krahët e njëri – tjetrit.

Kjo “tango” kërkon detyrimisht pistë të pastër, pa Saliun dhe pa Ilirin. Jo vetëm ata fizikisht, por edhe si frymë dhe ndjekës…..dhe për fat të keq Berisha dhe Meta, deri tani, duke mos bërë gjë, po e pastrojnë përditë e më shumë pistën.

Rasti i Berishës është më tragjik. Një pjesë e mirë e PD – së sot ka ngecur brenda për shkak të doktorit. “Prit, se doktori nuk ka lëvizur”, “të shohim, se Berisha nuk mund ta lerë PD -në të shpërbëhet”, “E ka një plan Sala, por prit” e të tjera shpresa si këto që janë kthyer në zhgënjime seriale. Është qesharake të mendosh se kur goditet një figurë e dorëhequr, në moshë të madhe…goditet shpresa! Por e vërteta kjo është. Goditet Berisha, firmoset marrja forcërisht për të dëshmuar në një komision hetimor parlamentar, përmendet dendur arrestimi i tij, fundi i tij, eliminimi nga skena politike.

Dhe në këto kushte FAJIN E KA SALIU! Me  obligimin ndaj një grupi aspak të vogël shqiptarësh, pasiviteti i liderit historik të PD – së është i dëmshëm për të gjithë. Ndër ndjekësit e tij ka të ndershëm e batakçinj, hajdutë dikur në pushtet dhe idealistë të pandreqshëm, por as më të mirë as më të këqinj se militantët a simpatizantët e çdo force tjetër. Ky kapacitet gjigand politik sot gjendet i paralizuar e mpirë , teksa shohin liderin ta godasin për ditë, nga brenda e jashtë partisë dhe ai qëndron pa shprehje. Mbajtja nën narkozë e gjithë kësaj force dhe energjie fatkeqësisht hap pistën për “tangon”

Jo pa qëllim propaganda e rilindjes nga “dyshja Rama  – Meta” e ka përshtatur në “dyshja Berisha –  Meta”. Tani që po vijnë zgjedhjet veglat e pushtetit po investohen fort për t’u shitur shqiptarëve një klishe të përdorur para prillit 2013, kur Ilir Meta qeveriste me Sali Berishën dhe kur gjithë vreri socialist i atëhershëm derdhej mbi Metën dhe pastaj fajin e Berishës që e mbante. Ashtu si Sali Berisha edhe Ilir Meta po pret i qetë. I qetë në dukje. Ndryshe nga Berisha Ilir Meta nuk i ka lënë një çast në prehje anëtarët dhe simpatizantët e partisë së tij. Janë të dënuar të punojnë ditë e natë e “të hedhin valle në gojë të ujkut” , siç thoshte një këngë e komunizmit, sepse janë në shënjestër të “aleatit”. Po të shohësh dënime, arrestime, padi në administratë, janë ndaj “atyre të Ilirit”. Sepse Iliri duhet me doemos të nxihet si djalli i politikës shqiptare për ta nxjerrë edhe atë jashtë piste.

Nuk duket Meta nga ata që e hanë sapunin për djathë, por nëse deri në zgjedhje shkojnë kështu, shanset janë që pa dashje ndoshta, të jetë edhe ai autor i hapjes së pistës për një tango qejfi afatgjatë pushteti Rama – Basha, pastaj Basha  – Rama. Natyrisht fitorja e kësaj skeme do të sigurojnë asgjësimin dhe asimilimin e çdo force tjetër, monopolin politik në vetëm dy duar, largimin e mëtejshëm të politikës nga interesat e elektoratit, rrënimin përfundimtar të demokracisë, konsolidimin e modelit të fasadës së stabilitetit, qetësisë, rritjes ekonomike, pas së cilës fermentohet mjerim pas mjerimi.

Nëse lufta ndaj Metës vazhdon prej muajsh në trajtën e një guerrilie të vërtetë, kjo kundër Berishës ka nisur totale, Metës ia bëjnë duke hedhur gurin e fshehur dorën guerrilasit e rilindjes, ndërsa Berishës , kahas rilindorëve, i kanë dalë ballë edhe “kreshinikët” e partisë që drejtoi që nga ’91 – shi.

Diktaturë dypartiake apo demokraci plot probleme, por demokraci? Çuditërisht kjo sot është në dorë të Berishës dhe Metës. Po vazhduan ata “Gandizmin” e deritanishëm, opsioni i parë ka për të qenë fatal dhe afatgjatë.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*