Sot Shqipëria manifestoi sërish se është satrapi. Nga Armir SHKURTI

Situata e tanishme në Shqipëri në fakt është shfaqje e krizës së sistemit. Është përplasja e formës me përmbajtjen, dukjes me thelbin. Shqipëria shfaqet si republikë parlamentare, si demokraci në rritje, por në thelb s’është veçse një protektorat ndërkombëtar.

Për ironi, sot në Tiranë ishte Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Ministri i Jashtëm i Hollandës dhe….zëvendëskryeministri i Kinës! Ky i fundit në fakt nuk e zuri me gojë as krizën politike, as opozitën, as çadrën. Ai kishte ardhur me nja 50 biznesmenë dhe u mor me ekonomi. Po dy të tjerët pse dhanë receta, nota, komente, kritika, porosi … për politikën e brendëshme shqiptare?

Sepse klasa politike shqiptare ka dorëzuar sovranitetin në emër të një iluzioni 27 vjeçar  që quhet “futja në Europë”. Në emër të këtij ideali ne kemi lëshuar sa të duash prej standarteve të demokracisë, kemi hequr dorë vullnetarisht nga shumë liri. Për BE rëndësi kanë politikat e saj dhe stabiliteti në Ballkan. Se kush dhe si i realizon, pak rëndësi ka.

“Çadra” dhe reagimi i ndërkombëtarëve thjesht e bën evident këtë status të Shqipërisë. Hashashin, keqqeverisjen, tjetërsimin e votës, korrupsionin, varfërimi , arbitraritetin e pushtetit “ndërkombëtarët” nuk e shohin. Ata, edhe sot, “shihnin”… vettingun! E theksoj: jo liritë, jo demokracinë këtu, por vettingun, që është projekti i tyre. Gomarit të uritur shqiptar i treguan edhe sot karrotën, pa ia dhënë: “…Europa i ka dyer e hapura…”! Po u zbatua linja që  vjen nga burokracitë e Brukselit dhe Strasburgut, “jemi në rrugë të mbarë”, nëse jo “kemi ende rrugë për të bërë”, ama në asnjë nga rastet ne nuk mbërrijmë.

Në këto kushte kriza e sotme politike në vend është një shans për ta hapur këtë debat e për të ndërgjegjësuar edhe opinionin. Politika shqiptare në 27 vite ka qenë e nënshtruar ndaj Perëndimit. Fillimisht për shkak të inferioritetit e më pas për shkak të korrupsionit. Për në mbështetje a deklaratë nga SHBA, a BE, udhëheqësit shqiptarë vazhdojnë të jenë gati të shesin shpirtin. Por ka shkuar aq larg sa nuk mund të qëndrojnë më në një karrige edhe satrapi edhe demokrati, edhe qehajai edhe atdhetari. Administratorët shqipfolës të Shqipërisë kanë humbur çdo kuptim e moral për të vazhduar rrenën se “po ndërtojmë demokraci perëndimore”. Kjo fasadë ka rënë.

 

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*