Tanga e perde në vend të bukës. Ja si pranoi se i shpenzon paratë Edi Rama

Rreth gjysmë miliardi euro, në kohë krize, Edi Rama pranoi se i ka harxhuar për manikyr – pedikyr – depilim – dhe kremra! Në Opinion mbrëmë, përballë shifrës mbi 1 miliard eurosh që Berisha  i ka investuar kryesisht në rrugë, kryeministri rilindas , pa iu dridhur qerpiku, tha se gati gjysmën e kësaj shifre e ka përdorur në “kryeveprën” e tij “rilindja urbane”!

Rilindja urbane, sipas vetë faqes zyrtare të Këshillit të Ministrave është “programi i madh kombëtar për transformimin urban të qyteteve të vendit (….), i cili do të shtrihet në 70 qytete”

Edi Rama e mori vendin në vitin 2013 në një situatë e cila sipas tij ishte një gropë e lënë nga Saliu. I sapoemëruar në detyrë, kryeministri na tha se falë punës së tij , në pak kohë vendi doli nga rreziku i një katastrofe ekonomike, në prag të së cilës e kishte çuar qeverisja e vjetër. Logjikisht, kur një vend i varfër është në prag të një katastrofe ekonomike, nuk hidhen paratë për kulla si ajo e Korçës, kalldrëm si ai i Përmetit, bojë, si kudo, palma e shkurre dekorative, por hapen sa më shumë vende pune e ndërmerren politika për të nxitur daljen nga kriza.

Teorikisht, edhe “rilindja urbane” mund të kish qenë një mundësi, nëse projekti do të qe konceptuar për të mobilizuar forcat lokale nëpër bashki të arkitektëve, artistëve, urbanistëve, inxhinierëve, ndërtuesve, bojaxhinjve, punëtorëve të krahut… Po të qe kështu – gjysma e të keqes. Ai gjysmë miliard euro – që na deklaroi mbrëmë kryeministri  nuk do të shkonte për kompanitë e kunetërve e baxhanakëve të ministrave , por do të qe shpërndarë kudo nëpër Shqipëri, duke rimëkëmbur e forcuar bizneset e vogla e të mesme vendore, duke punësuar njerëz e lehtësuar varfërinë.

Por – si në rastin e Përmetit për shembull – “rilindjen” e bën kompania e kunatit të një ministri që as nga Përmeti nuk është. Për të mos thënë se, me megallomaninë e të qenit një artist i madh, ky gjysmapiktori ynë nga uniformiteti i komunizmit po i kthen qytetet në uniforma të rilindjes, duke shuajtur identitetin, e duke bërë që , si në Pukë ashtu edhe në Ersekë, si në Dibër ashtu edhe në Gramsh, ti të kesh të njejtin shesh, të njejtën pllakë kalldrëmi e trotuari, të njejtën palmë.

Pra , shqiptar i dashur. Mendo një ditë rrogash, kur ti pret që babai të të blejë këpucët , për të zëvendësuar të grisurat, pret të blejë librat e shkollës tënde, pret të blejë një kile mish , se ke muaj pa të rënë në bark, pret të blejë nja dy ilaçe e fruta, ndërkohë që ai hy në shtëpi me 6 metra copë të shtrenjtë për perde e ca piktura të mëdha, duke iu hakërryer mamasë se , “për shtëpi i kam harxhuar, jo për vete”

 

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*