Totozani në krah të himariotëve kundër vjedhjes së pronës nga pushteti. Nga Nikollaq NERANXI*

Avokati i Popullit i ndal hovin hajdutëve të pronave të bregdetit, por lufta nuk mbaron me kaq, së shpejti fajtorët para drejtësisë!
Përshëndetje miq! Siç e dini, banorët e Himarës janë prej muajsh në konflikt të hapur me pushtetin vendor dhe qendror, sepse aty po përgatitet grabitja masive e pronave të bregdetit, nën pretekstin e “Rikualifikimit Urban”.

Ne si banorë e kemi kundërshtuar atë plan, në fillim në dëgjesat publike dhe pastaj në protesta qytetare, në rradhë të parë sepse nuk janë marrë akoma çertifikatat e pronësisë dhe prishja e shtëpive të atyre banorëve, do të thotë t’i lësh në mes të katër rrugëve dhe në rradhë të dytë, sepse projekti i ri nuk na shërben ne banorëve, por klientëve të pushtetit.

Banorët jo vetëm që nuk u pyetën për atë projekt, ku me ligj duhet marrë pëlqimi ynë, por u dërguan edhe njoftimet nga Bashkia e Himarës për të liruar shtëpitë brenda 5 ditëve. Në këto kushte të shkeljeve flagrante të shumë ligjeve dhe të disa neneve të Kushtetutës, ne si banorë i jemi drejtuar të gjitha institucioneve të këtij shteti si dhe kemi vënë në dijeni të gjitha Ambasadat në Tiranë, OSBE etj. Personalisht, për këtë çështje, kam takuar me dhjetëra Ambasadorë, për të cilët do flas në një moment tjetër.

Avokati i Popullit, tek i cili u drejtuam gjithashtu, mori përsipër të shqyrtojë ankesat e banorëve të Himarës, lagja Spile dhe gjeti një sërë shkeljesh, shkresë të cilën ia ka përcjellë Bashkisë Himarë dhe Këshillit Bashkiak.

Disa nga shkeljet janë:

Ka filluar puna 18 muaj para se të miratohet projekti, janë bërë disa shpronësime nga Kryeministri pa u bazuar ne asnjë lloj dokumentacioni, projektet nuk jane depozituar për konsultim apo miratim pranë AKPT dhe as janë miratuar nga KKT, të gjitha vendimet janë marrë nga Kryetari Jorgo Goro duke anashkaluar Këshillin Bashkiak në procedurën e miratimit të Lejes së Zhvillimit dhe të Miratimit të Projektit, shkelje e rëndë ligjore kjo, etj.

Në fund Avokati i Popullit kërkon pezullimin e zbatimit të këtyre projekteve dhe anulimin e vendimeve të prishjes së banesave të banorëve të Spilesë në zbatim të ketyre dy projekteve që ka dorëzuar Bashkia Himarë në date 28 Tetor 2016.

Ne vijim, Avokati i Popullit kërkon konsultim e transparencë për të marrë vendime gjithpërfshirëse me të gjithë banorët e Himarës në bashkërendim me AKPT-ne.

Kjo është fitorja e parë që arrijnë himarjotët në betejën e tyre të drejtë kundër grabitjes së pronës, historisë dhe dinjitetit. Por nuk mbaron me kaq. Kushdo që ka pak kulturë juridike, duhet të kuptojë që shkeljet e gjetura nga Avokati i Popullit, janë të rënda dhe në si komunitet me ane te Shoqatës, do të hapim proçes gjyqësor ku do padisim Kryetarin e Bashkisë Himarë Jorgo Goro i cili është përgjegjësi dhe firmosëshi i kësaj katrahure.

Aty pastaj ai të tregojë se urdhrat e kujt ka zbatuar. Ndërkohë ne banorët e Himarës me Kryetarin e ri të Bashkisë, do të miratojmë Planin Rregullues, tek i cili nuk do të ketë beton që më pas të na tallin duke na thënë se po ju a bëjmë Himaren si Jugu i Francës!

Ne e duam Himarën si Himara, ajo e vjetra. Ajo pamje është marka jonë, identiteti ynë, krenaria jonë, me atë pamje na njohu bota dhe ne duhet ta ruajmë dhe t’ju a trashëgojmë brezave.

Marrja e çertifikatave të pronësisë dhe kthimi në identitet i Himarës, janë betejat tona të ardhshme.

I gjithë komuniteti i banorëve të Himarës falenderon Avokatin e Popullit për punën serioze që ka bërë. *Ndërkohë edhe bashkëqytetarët e mij, ata disi më indiferentë dhe mosbesues, besoj se janë bindur tashmë se dy janë kushtet për të fituar; një duhet të kesh të drejtë dhe dy, duhet të jesh i vendosur dhe të luftosh fort pa u dorëzuar asnjëherë, deri në zgjidhje. Beteja vazhdon!

Nikollaq Neranxi, Himariot dhe Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Shtepive, Kulturës dhe Historisë Himarë

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*