Trampi nuk është …trapi! Ja pse ka gjithë shanset për president

Sërish Donald Tramp është para Hillari Klintonit në sondazhe. Kur nisi fushatën brenda partisë së tij shumë brenda Amerikës dhe plot jashtë saj e morën për të marrë, për karagjoz, për ekstremist…Por mes republikanëve ishte AI që fitoi. “Konjukturë” – komentuan shumë.

Sot ai është i preferuari. Konjukturë? Jo! Trampi nuk është trapi. Nuk është as ekcentriku dhe as ekstremisti, por lideri. Ai (domethënë stafi i tij) duket se kanë studiuar në rrënjë elektoratin amerikan, presidencën e Obamës dhe pritshmërinë nga Hillari. Obama mund të kish qenë një papë i shkëlqyer por jo presidenti i mirë i SHBA. Gjatë erës “Obama” Shtetet e Bashkuara njohën venitjen e shkëlqimit perandorak. Toleranca e shtirur dhe e panatyrshme, politikat e majta. zbythjet në politikën e jashtme katandisën atë që rëndom quhet “xhandar i botës” në një gjigand gjithnjë e me më pak testostreron e fuqi.

Në deklaratat sidomos për emigrantët a për fuqinë ushtarake të vendit të tij duket që atje tej se kandidati i djathtë i ka hyrë në palcë zgjedhësit të tij. E di ai se “latinot” pa letra e gërryejnë vendin, se amerikani votues ka lindur, është rritur, edukuar dhe brumosur me mendësi imperialisti. “Make America great again” është password që rihap entuziazmin e një kombi të mësuar të jetë superfuqia e parë e botës, lideri, njëshi. Atij amerikani që ka dhënë jetën e djalit në Vjetnam, Irak, Afganistan e kudo në botë i thërret Trampi, Atyre amerikanëve që janë gati të paguajnë me taksa e gjak për të qenë njëshi, “great”, perandori u thërret kandidati republikan, dhe sipas sondazheve duket se ata qenkan shumica.

Pra kush nga ne u tall në fillim me “atë trapin” ndoshta nuk e kapi se ai nuk po fliste për ne. Ose më saktë; edhe për ne po fliste, që të bëhemi gati për atë çka po ndodh me vendin e tij, sepse vendi i tij o do të rikthehet perandori, ose do të nisë të shpërbëhet, në emër të mëshirës , solidaritetit, barazisë , tolerancës dhe dokrrave të majta, siç janë shembur plot perandori para saj. Bashkimi Sovietik më i fundit. Trampi u foli amerikanëve me fjalët që ata deshën të dëgjojnë dhe me gjuhën që ata kuptojnë.

Tramp flet edhe me kontekstin e asaj që ai vet përfaqëson. Dekada e fundit është ajo e krizës. Shumëkush e krahasoi me atë të viteve ’20 të shekullit të kaluar. Një njeri i biznesit në vendin tipik të kapitalizmit liberal është simboli, shenja, shpresa se njeriu i biznesit do mendojë për shëndoshjen e biznesit.

Tramp është lider i suksesshëm në biznesin e tij. Amerika sot ka nevojë pikërisht për lider. Ai komb funksionon me stafe dhe ekipe, por që vizionin ua jep lideri. Lideri që ka bërë “great” biznesin e tij, që ka kuptuar thelbin e amerikanit dhe i përgjigjet troç që “po! atë do bëj” natyrisht që preferohet ndaj zonjës së buzëqeshur, tolerante deri në poshtërim ndaj asaj që i bëri globalisht bashkëshorti president, e akuzuar si marioneta e manjatit spekulant Soros.

Share...Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on Google+Share on LinkedInPin on Pinterest

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*